Ngjarje e vërtetë: E shita trupin për ta kthyer birin tim (2)

  • 10 January 2020 - 15:09
Ngjarje e vërtetë: E shita trupin për ta kthyer birin tim (2)

Kur e linda djalin, në shtëpi me të vërtetë u bë festë e madhe. Por, pa u qetësuar ende sa duhej euforia, bebja kishte mbushur vetëm dy muaj, burri më sulmoi për herë të parë fizikisht. Ishim vetëm në shtëpi dhe, sikur rëndomë, filluam të grindeshim rreth shtëpisë tonë të vogël dhe zhvendosjes. Përnjëherë thjesht u çmend. Nuk mund ta kuptoja një zemërim të tillë. Më kapi për qafe si të ishte njeri i egër, bërtiti me aq fuqi sa pati, më përplasi për shtrati, më hipi përmbi dhe filloi të më shtrëngonte në fyt. Vetëm pasi djali filloi të qante, ai u kthye në realitet dhe më lëshoi. Prej atij momenti sikur diçka ndryshoi përjetë në mua. Nga ai moment mu shuan të gjitha ndjenjat ndaj burrit.

E vetmja gjë që më mbante, që më gëzonte, për çka jetoja, ishte djali im i vogël. Më për mua nuk ekzistonte asgjë tjetër dhe askush tjetër. U tërhoqa në vetvete dhe, edhe pse ishim bashkë, unë praktikisht jetoja ndaras nga burri. Mundohesha t'i evitoja grindjet dhe konfliktet, përkundër asaj se ai shpesh më ofendonte. Atë sjellje të tij dhe ato keqkuptime në një masë të madhe ia përshkruaja faktit që jetonim bashkë me prindërit e tij. Doja ta ruaja martesën. Ndoshta do të ndryshonte kur të dilnim për të jetuar vetëm, mendoja dhe shpresoja. Për këtë shkak, vendosa që menjëherë të dilnim në shtëpinë e re, përkundër asaj se ende nuk ishte instaluar as uji në të. Pranoi edhe ai. Athua, mendoja, do të fillonte një jetë e re, më e mirë? As që mund ta merrja me mend se çka më priste.

Nuk kaluan as dy javë prej se kishim dalë në shtëpi të re, kur faktikisht mu rrezikua edhe jeta nga ai. Atë ditë burri ishte grindur me prindërit e tij. Unë punoja si floktare dhe më duhej të rrija më shumë në punë, prandaj ai u nervozua edhe më shumë që iu desh të më priste, në mënyrë që të shkonim bashkë në shtëpi. Rrugës për në shtëpi më bërtiti pa ndërprerë, por unë nuk e hapa gojën, gjë që mu duk se ndikoi që ai të qetësohej pak. Por, kjo ishte vetëm një qetësi para stuhisë. Sapo mbërritëm në shtëpi, ai thjesht u çmend. Pa i dhënë asnjë shkas, ai më hipi përmbi, duke më goditur dhe duke më rrëzuar në dysheme. U ul përmbi mua. Ma ngjiti me duar në qafë dhe filloi të më shtrëngonte. Ai bërtiste gjatë tërë kohës, por nuk më kujtohet çka thoshte. Në një moment mu nxi para syve dhe më ra të fikët. Nuk e di sa kam qëndruar pa vetëdije, por gjëja e parë që më kujtohet më pas, ishte dikush që më shkundte supet. Dhe, atëherë përjetova krizën e parë nervore. Atëherë as që e dija se për çka bëhej fjalë. Dridhesha pa kontroll, dhëmbët më kërcitnin dhe kisha frikë se do ta kafshoja gjuhën. - Më fal, më fal! - bërtiste Gëzimi, për shkak se e kishte kapluar paniku. Kur u qetësova paksa, më mori si të isha fëmijë dhe më vendosi në shtrat. 

Ti më nervozon, e unë menjëherë eksplodoj. Me gjasë për shkak se të dua tepër shumë - përsëriste ai arsyetimin e tij të vjetër, të cilin e kisha dëgjuar shumë herë. Edhe më tej mundohesha që ta evitoja çdo konflikt me të, por nuk shkoi shumë, e ndodhi një sulm thuajse identik. Kësaj here ndoshta edhe vet e provokova pak. Thjesht, e humba kontrollin. Bëhej fjalë për djalin tonë. Ai gjatë javës rrinte te gjyshi dhe gjyshja, e gjatë fundjavës me ne. Kur u vendosëm në shtëpinë e re, nuk munda menjëherë ta regjistroja në çerdhe, meqë nuk kishte vend, por pas një muaji ia arrita kësaj. Nga ai moment ngela e vetme kundër të gjithë të tjerëve. Gjyshi dhe gjyshja e djalit nuk donin që ai të shkonte në çerdhe, bile duke nënvlerësuar aftësinë time dhe të Gëzimit që vetë të përkujdeseshim për fëmijën tonë. Ajo që më tronditi më shumë, ishte fakti që burri mori anën e tyre. Në fillim u mundova që gjithçka ta sqaronim me qetësi, me argumente, por më pas më humbi durimi dhe ia thash të gjitha në fytyrë.

Më sulmoi, por kësaj here iu kundërvura me të gjithë fuqinë që kisha. Përsëri ma ngjiti me duar rreth qafe dhe atë shtrëngim nuk do ta harroj derisa të vdes. Gjatë tërë kohës isha e vetëdijshme. Ndjeja se po mbesja pa ajër, rezistenca ime filloi të dobësohej, më dukej se e pat puna ime. Më dukej se ishte duke më mbajtur ashtu me vite të tëra. As vetë nuk e di çka ndikoi te ai, që të më lëshonte. - Hana, pash Zotin, çka të ka ndodhur kështu? - më pyeti e tronditur të nesërmen kolegia dhe shoqja ime e punës. - Asgjë e veçantë. Vetëm edhe një grindje jona e rëndomtë - i thash me gjysmë zëri. - Asgjë e veçantë? Çka ke ti, mori? A je në mend? A e ke shikuar veten në pasqyrë? - më tha ajo me zemërim. Ia hodha vetes një shikim në pasqyrë. Kisha çka të shihja. Në qafë më ishin vizatuar gishtat e burrit. Ia plasa vajit. Gjithçka shihej, asgjë nuk mund të fshihja. E luta shoqen që të mos i tregonte askujt asgjë, në çka ajo mezi pranoi. Kuptova se nuk mund të jetoja më me të. Më duhej të shkurorëzohesha. Nuk mund të jetoja në frikë të përjetshme. Por, e kisha të qartë se as shkurorëzimi nga ai nuk mund të ishte normal, i civilizuar. Gjatë ditëve në vijim në mënyrë të fshehtë mblodha dokumentet e nevojshme për fillimin e procedurës së shkurorëzimit. - Më ka ardhur thirrja për ushtri! - më tha atë ditë kur unë planifikoja t'i thosha se doja të ndahesha nga ai. Natyrisht, në një situatë të tillë nuk i thash asgjë rreth kësaj. (vijon).

(Kosova Sot Online)