Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (7)

  • 19 January 2020 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (7)

Ditëve të ardhshme u bëra krejt tjetër person. Dukej se më drejtonte ndonjë fuqi e lartë. Nuk mund të përqendrohesha në punë, isha e heshtur dhe e mbyllur. Madje edhe shoqen time më të mirë Miniren nuk e dëgjoja se çfarë më thoshte. Petritin e shmangia, ndërsa me vjehrrën as që dëshiroja që të kem punë. Edhe nëse i kishte vërejtur të gjitha, ajo nuk pyeste asgjë, gjë që edhe më shumë më bindte se ajo është fajtore. Edhe pak dhe do të bëhem me hajmali. Vjehrra më nuk mund të ma bëjë ndonjë gjë të ligë, mendoja unë. - Urdhëro. Mund ta përdorësh menjëherë. Gjatë muajve të ardhshëm do të të mbrojë nga çdo e ligë dhe më në fund do të ta sjellë qetësinë e pritur në jetën tënde - më tha Zyra, duke me afruar zinxhirin me hajmali, i cili dukej sikur të ishte bizhuteri. - Zemër, më beso se shumë shpejtë do ta vërtetosh fuqinë magjike të kësaj hajmalie - shtoi ajo pasi që e vërejti habinë time. - Shpresoj - i thashë unë e pasigurt. - Më fal, herën e fundit kam harruar të pyes se sa kushton talismani. - Pra, talismani kushton 200 euro, plus disa gjëra të tjera, të cilat i kam bërë gjatë këtyre javëve do t'u kushtojnë edhe 400 euro të tjera - tha ajo.

- Sa? Nuk e kam ditur që... - fillova unë e habitur, por nuk arrita ta përfundoj fjalinë, sepse Zyra më ndërpreu. - Do të pajtohesh që kjo shumë nuk është aspak e madhe, në krahasim me qetësinë dhe kënaqësinë që ju pret - tha ajo. - Megjithatë, nuk do të ishte keq që të më telefonosh pas disa muajve, në mënyrë që të merremi vesh për edhe ndonjë seancë shtesë - tha ajo, ndërsa sytë i shkëlqyen sërish me atë shkëlqimin e njëjtë, në të cilin tani qartë e vërejta lakminë. Mendoj se mu në atë moment fillova ta kuptoj tërë banalitetin e situatës, në të cilën isha. Vjehrra me fuqitë mbinatyrore dhe i biri i saj i magjepsur? Ndoshta, por vetëm në përrallë. Edhe nëse ekzistonin njerëz me aftësi të caktuara, më në fund m'u bë e qartë që Zyra nuk është një prej tyre. Ajo është vetëm një mashtruese, e cila falë naivitetit dhe marrëzisë së njerëzve fiton shumë dhe kënaqet në jetën e saj të lehtë. Por, a kam të drejtë të ankohem që ia ka dalë që të më mashtrojë, mendova duke e shikuar drejt në sy dhe duke qeshur. Së pari u skuq, e më pas e uli kokën. - A bën ta di se çfarë ka për të qeshur? - më pyeti. - Asgjë. Në fakt, të jam mirënjohëse që më ke ndihmuar që t'i kuptoj disa gjëra, dhe vetëm për këtë arsye nuk do ta thërras policinë. Ndoshta kam qenë shumë e zhgënjyer dhe kam besuar se mund të më ndihmosh, por më në fund e kam të qartë që një gjë të tillë mund ta bëj vetëm unë, dhe atë vetëm nëse do të jem e sinqertë ndaj vetes. Vetëm tani po e kuptoj që Petriti gjithmonë më ka dashur. Xhelozia që e ndieja shpesh është problem me të cilin do të më duhet që të mësohem të merrem vetë. E vjehrra ime? Kur mendoj më mirë, është ajo e cila gjithmonë ka provuar që të më kthjellë dhe të më tregojë se sa gaboj kur e fajësoj Petritin.

Unë e di se sa shumë të do, më thoshte gjithmonë kur qaja. Po shkoj tani. Shpresoj që nuk është tepër vonë që t'u kërkoj falje të gjithëve për shkak të sjelljes sime. Mendoj se kjo nuk do të më duhet - përfundova duke e hequr hajmalinë nga qafa. Derisa po e lëshoja në tavolinë, Zyra e habitur po e përcillte secilën lëvizje që po e bëja. - A mund të m'i kthesh paratë e mia? - e pyeta, ndërsa ajo pa asnjë fjalë nga xhepi i nxori paratë që ia kisha dhënë. Sapo dola në rrugë, i telefonova Petritit. - Tung zemër, vetëm dëshirova që të të pyes si je dhe çfarë je duke bërë? - Hej, çfarë befasie. Ditëve të fundit më dukej se ishe e zemëruar në mua. E di, të dua shumë dhe më mungojnë momentet tona së bashku. Bota thjesht nuk është e njëjtë pa ty - tha ai. Fjalët e tij ishin melhem i vërtetë për veshët e mi. E kënaqur e kuptova që lumturia edhe pa hajmalinë e Zyrës është duke trokitur sërish në derën time. FUND

NGA NESËR MUND TA LEXONI NGJARJEN E RE TË VËRTETË: "NGA KTHETRAT E NËNËS MË SHPËTOI VAJZA E VARFËR"

(Kosova Sot Online)