Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (3)

  • 23 January 2020 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (3)

Leonora, nuk më treguat se çka studioni? - Unë nuk studioj … - Po, po - e ndërpreu nëna, duke bërë me padurim me dorë. - Tanimë e di se nuk studioni juridikun, më tregoi Floriani. Por, çka studioni? Ndjeva sesi pika e djersës më rrëshqiti nëpër ballë, kah tëmthat, e më pas nëpër faqe. - Jo, unë nuk studioj asgjë - u përgjigj Leonora, duke mos kuptuar asgjë. - Më vjen shumë keq për këtë, por prindërit e mi thjesht nuk kanë pasur mundësi financiare që të më shkollonin më shumë. Pikat e reja të djersës më dolën në ballë dhe filluan me të madhe të më binin nëpër fytyrë. Doja që disi t'i ndihmoja Leonorës, por asgjë nuk më binde ndërmend. Vetëm rrija si i varrosur, në karrige.

Çka ka për të ngrënë? - u mundua babai ta ndërronte temën. Por, për fatin e tij të keq, ky tentim ishte krejtësisht i pasuksesshëm. Nëna as që u kthye për ta shikuar. Vazhdonte që ta shikonte Leonorën, pa rrahur aspak kapakët e syve. Prejse ajo kishte thënë se nuk studionte dhe i kishte përmendur prindërit e varfër, ajo e shikonte atë sikur të kishte pikur nga Marsi. - Nuk studioni?! - bërtiti përfundimisht e tmerruar, e më pas u krijua një heshtje varri. Leonora u skuq dhe uli kokën. Zemra më dhembte kur e shihja se sa ishte prekur. - E, atëherë, çka bëni, nëse mund të pyes? - zëri i nënës ushtoi sikur murmurima. - Punoj në butik dhe, herë pas here, shëtis qentë. Ja, bomba plasi! Herë e shikoja Leonorën, herë nënën time. Leonora mori qëndrimin e një personi krenar, e vetëdijshme se nuk kishte thënë asgjë për çka do të duhej të turpërohej. Fytyra e nënës sime mori ngjyrë të hirtë.

 Përfundimisht çdo gjë është e qartë! - bërtiti me zërin e saj depërtues. - Tani e di pse dëshiron të heqësh dorë nga karriera e shkëlqyeshme. T'i paska marrë mendtë kjo... shëtitësja e qenve! Fjalët e fundit i shqiptoi me neveri të madhe. - Grua! - babai sërish tentoi ta qetësonte situatën, por edhe kësaj here pa sukses. - Si munde të ma bëje këtë? - m'u kthye mua me nervozizëm, duke mos ia varur atij veshin. - Tërë jetën tentoj që të të mbroj nga të dështuarit dhe badihavaxhinjtë, e ti ma sjell një të tillë në shtëpi! Para se të mund të flisja, Leonora papritmas u ngrit në këmbë. Nuk guxoja as ta shikoja. - Zonjë! Në zërin e saj hetohej një vendosmëri aq e madhe, saqë automatikisht ngrita kokën që ta shikoja. Sa e bukur që dukej. Flokët e zezë i ishin shprishur paksa, faqet i ishin skuqur, e në sy i shkëlqente një krenari e shfrenuar. Qëndronte drejt dhe me krenari, duke u dukur sikur të ishte farë mbretëreshe.

 Mjaft më ofenduat! Tani mua më duhet t'ua them disa fjalë. Nëna ime ishte aq e hutuar që vajza e panjohur kishte marrë guximin t'i kundërvihej, saqë nuk bënte verë me gojë. - Prindërit e mi ndoshta nuk kanë para dhe nuk jetojnë si ju - filloi ajo me një zë që i dridhej, duke bërë me dorë shtëpinë tonë. - Por, ata janë njerëzit më të mirë dhe më të sinqertë që njoh. Prejse babai im dhjetë vjet më parë pësoi aksident në kantierin e anijeve dhe mbeti invalid, nëna ime çdo mëngjes zgjohej në orën 5 të mëngjesit dhe punonte tërë ditën për të na ushqyer, mua dhe vëllezërit e mi. Tani, kur jam rritur dhe jam bërë e aftë për punë, është normale që dua t'ia lehtësoj barrën. Puna që bëj është e ndershme dhe kjo nuk ju jep juve të drejtë që të më ofendoni. Dua t'ju them edhe diçka. Që në momentin e parë që e takova Florianin, desha t'i njihja prindërit e tij. Ai me të vërtetë është i mrekullueshëm dhe mendoja se e tillë duhej të ishte edhe nëna e tij. Tani shoh se paskam gabuar. Faleminderit për drekën! U kthye kah dera dhe doli me të shpejtë. U nguta të shkoja pas saj, duke ia hedhur nënës një shikim akuzues.

Ajo vazhdonte të rrinte ulur, pa lëvizur fare, e zbehtë si xhenazja. Për një çast bile më erdhi keq për të, por më pas m'u kujtua se viktima e vetme në këtë ambient ishte Leonora. - Leonora, të lutem, më prit! - e arrita te dera kryesore dhe e kapa për krahu. - Lëshomë! - më tha me zemërim dhe përsëri kapi bravën e derës. Lotët i rridhnin poshtë faqeve. - Mos qaj - e lusja. Lotët e saj më thernin mu në zemër. - Pse nuk ma bëre me dije se çfarë nëne ke? Si munde të ma servoje këtë situatë?- Doja të të thosha, por nuk guxoja - pranova duke ulur kokën në shenjë pendimi. - Nuk duhej ta lejoje këtë të ndodhte, nuk duhej - tha ajo duke dalë nga shtëpia. Vrapova pas saj, por më pas u ndala. E dija se nuk do të mund të bisedoja me të, derisa të qetësohej. Me kokë të ulur dhe me ndjenja të përziera u ktheva në kuzhinë, ku prindërit e mi ende ishin të ulur në tryezë. Babai më shikoi i shqetësuar, derisa nëna vazhdonte që ta fiksonte një pikë të imagjinuar në mur. Kur e drejtoi shikimin kah unë, në sy i shihej urrejtja. (vijon)

(Kosova Sot Online)