Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (5)

  • 24 January 2020 - 14:59
Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (5)

- Gjithçka ke shkatërruar! Krejt për çka kam jetuar tërë jetën dhe çka kam shpresuar. Ajo, ajo... - bënte me duar, shumë e nervozuar, duke mos gjetur shprehje mjaft poshtëruese për Leonorën - ta paska marrë mendjen! - Leonora! Kështu e ka emrin - i thash me zemërim. - Dhe, si munde ta ofendoje ashtu? Çka të ka bërë? - E urrej! - bërtiste ajo me histeri. - Nuk dua kurrë më ta shoh sa të jem gjallë! - Atëherë as mua nuk do të më shohësh më - i thash i qetë, por me vendosmëri. - Si mendon? - më tha duke më shikuar me habi. - Do të martohem me Leonorën. Ja, kështu mendoj! Nëna e kapi kokën me të dy duart dhe e dëshpëruar e ktheu shikimin kah babai. - Mustafë, thuaj diçka! Ky qenka çmendur fare! Babai u kollit. Sipas shprehjes së fytyrës së tij, shihej qartë se tërë kjo situatë ishte shumë e sikletshme për të. - Bir - filloi ai, duke u kollitur sërish - a nuk është paksa herët të bisedohet për martesë? - Mos u shqetëso, bir - e qetësova.

- Nuk thash se do të martohem menjëherë. Së pari dua të diplomoj, pastaj të gjej punë. Por, kur një ditë do të martohem, atëherë do të martohem me Leonorën. - Mustafë! - nëna sërish kërkoi ndihmë nga babai, kësaj here duke mbajtur gjoksin me dorë. Por, ai nuk reagoi. U ngrit dhe me hapa të ngadalshëm u nis kah dera. - Po shkoj të pushoj pak - tha duke u larguar. - Nesër më pret një ditë e rëndë në gjykatë. Pas asaj së diele të kobshme, në shtëpinë tonë mbretëronte heshtja. Thuajse askush nuk fliste me askënd, e nëna gjatë tërë ditës ofshante, duke mos hequr shprehjen e vuajtjes nga fytyra. Me Leonorën u pajtova në ndërkohë. Dorën në zemër, nuk ishte aq e lehtë t'ia shpjegoja pse isha sjellë në një mënyrë aq qyqare, por dashuria i mundi të gjitha dhe ajo mi fali të gjitha. Koha kalonte shpejt dhe, pa prit e pa ditë, erdhi vjeshta. Meqë nuk kisha hequr dorë nga vendimi që, nga juridiku, të kaloja në veterinari, këtë edhe e bëra. Pas kësaj, nëna përfundimisht hoqi dorë nga unë. - Jashtë, tha! Dil jashtë nga shtëpia ime! Nuk dua të të shoh më - më bërtiti si e çmendur. - Të urrej! E urrej edhe atë shëtitësen tënde të qenve! Krejt mi shkatërrove. Shko! Ik, shko tek ajo! U ndal vetëm për disa sekonda, sa për të marrë frymë, më pas ia nisi përsëri. - Kurrë nuk do të arrish sukses në jetë. Do të bëhesh dështak, mu sikur aji.

Por, ky është vendimi yt! Ti vetë vendose kështu! Natyrisht që nuk dështova. E, nuk dështoi as Leonora. U bëmë doktorë të veterinarisë dhe ndërtuam një jetë që e kishim ëndërruar të dy ne. Të njëjtën ditë, përkundër asaj se babai u mundua ta zbuste situatën, i bëra gati valixhet dhe u largova nga shtëpia e prindërve. E shikova për herë të fundit vilën luksoze ku kisha lindur, por për habi, nuk ndjeva aspak pendim. E dija se jetën më nuk do ta kisha të lehtë, por isha i gatshëm që ta përballoja këtë. Lirinë, të cilën e fitova përfundimisht, nuk kishte qenë e lirë. Më kushtoi me shumë net pa gjumë dhe me punë të vështirë, por gjithçka u shpagua. Sot mund të them se jam njeri i lumtur: pas vetes kam një grua të cilën e dua dhe bëj punën e cila më pëlqen. Asnjë pasuri nuk mund të matet me këtë! (FUND)

(Kosova Sot Online)