Roman dashurie: Punë fati (12)

  • 29 January 2020 - 14:59
Roman dashurie: Punë fati (12)

U ngjit për të dhe e përqafoi edhe më fort. E dinte se nuk ishte dashuri, por kishte disa emocione që e shtynë që të kujdeset për të dhe që ta mbrojë, edhe pse nuk e dinte saktësisht nga çfarë.

KAPITULLI I SHTATË

Sjellja e Gonës filloi të ndryshojë ngadalë. Nga një person krenar që tregon se ofendohet nga sjellja e shoqes, së pari u shndërrua në një vajzë të qetë shikimet e pikëlluara të së cilës Anita disa herë i kishte vërejtur, e pas dy muajve që nga koha kur Valoni u bë qendër e jetës së saj Gona në punë u paraqit e ënjtur nga qarja. Edhe pse Anita kishte vendosur që më të mos provojë që ta ndryshojë mendimin e Gonës, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndonjë mashkull, kësaj radhe i erdhi keq kur e pa fytyrën e shoqes së saj dhe menjëherë e tërhoqi në zyrën e vogël. - Nëse të sheh shefja, do të shkosh në shtëpi. Më lër ta përmirësoj këtë me grim. Pas pesë minutave dukej shumë më mirë, ndërsa vetëm një sy i mprehtë do të mund të vërente se ka tepër korrektor në pjesët nën sy. - Faleminderit Anita! Ku je mësuar që t'i fshehësh kaq mirë qeskat nën sy? Anita vetëm buzëqeshi dhe ia bëri me dorë sikur një përgjigje e tillë nuk është shumë e rëndësishme. Shumë herë i kishte mbuluar të mavijosurat dhe të prerat e saj gjatë dy viteve të vështira, ashtu ishte mësuar. -Më trego çfarë ka ndodhur? - Valoni është ndarë nga unë. Anita deshi që t'i thotë "a të kam thënë", por nuk i tha. Në këtë moment një gjë e tillë nuk do t'i ofronte ngushëllim. Shoqja e saj kishte nevojë për shpresë dhe ngushëllim, jo për predikim. -Jeni grindur? -Jo, kjo është më e keqja. Çdo gjë ishte mirë. E njoftova edhe me familjen time, dy net ka fjetur në dhomën time. - E ke njoftuar me prindërit? Anita u trondit. E dinte që Gona do ta dërgonte vetëm bashkëshortin e saj të ardhshëm në shtëpi, së paku gjithmonë ashtu thoshte. -Po. Isha shumë e sigurt në të. ai në të gjitha mënyrat dëshmonte se më do, më thoshte se gjithmonë do të jemi bashkë.

Edhe të mitë u ndanë të kënaqur me të, ishte një xhentëlmen i vërtetë dhe para tyre tha se ne të dy do të kemi familje. -Çfarë ndodhi më pas? -Më pas u zhduk. Thjesht u zhduk. Kur u zgjua ditën e tretë, nëna ia përgatiti kafjallin, e ai tha se do të shkojë në punë, dhe se do të kthehet pasdite. Kjo ndodhi para pesë ditësh. Nuk u kthye. Me siguri e mori atë që e deshi. -Çfarë ka marrë? -Si çfarë? Mua, trupin tim. Kam fjetur me të pa frikë dhe të nesërmen mund të ndodhë ndonjë gjë e keqe. Tani prindërit nuk po durohen, e unë nuk di si do ta kaloj këtë. E kam vështirë, jam dashuruar. Si ka mundur të zhduket ashtu?! -A i ke telefonuar? - E ka fikur mobilin. Vetëm atë numër e kam. - E ke ndonjë kontakt me dikë nga jeta e tij? A keni qenë në ndonjë lokal, ku ke vërejtur se e njeh pronarin apo ndonjë kamerier? -Jo, nuk kam takuar ndonjë të njohshëm të tij. Mendon se duhet ta kërkoj? -Po, së paku që të jesh e sigurt që nuk i ka ndodhur ndonjë gjë e keqe. Gona e habitur e shikoi Anitën, sikur ta shihte ndonjë fantazmë. /Vijon/

(Kosova Sot Online)