Roman dashurie: Punë fati (13)

  • 30 January 2020 - 15:05
Roman dashurie: Punë fati (13)

- Mua nuk më kishte rënë ndërmend një gjë e tillë, e tmerrshme jam. Ke të drejtë, mund t'i ketë ndodhur diçka e keqe, ky është shpjegimi i vetëm pse iku e më la pa ma thënë asnjë fjalë. Sa e marrë që jam, tamam një femër tipike, menjëherë më shkon mendja se është duke më mashtruar, që nuk më do, që i jam mërzitur, e fare nuk jam shqetësuar rreth asaj se a është mirë, a është shëndosh e mirë. Faleminderit Anita, mi hape sytë dhe mund të them se më ngrite në këmbë. Nëse nuk më lajmërohet gjatë dy ditëve të ardhshme, atëherë do të shkoj në polici. Gona u largua me plot vetëbesim, e Anita nuk mundi ta ndalte, të paktën për ta përmirësuar atë që, falë pyetjeve të saja të paparamenduara, kishte zgjuar besimin e Gonës tek ai mashkull i dyshimtë.

- Gona! E çka do t'u thuash policëve? Vajza me flokët duq u ndal dhe u kthye. - Si mendon çka do t'u them? Do t'u them se më është zhdukur i dashuri, pa më thënë asgjë. - E nëse të pyesin si e ka mbiemrin ai njeri, ku banon, i biri i kujt është? Nuk ma merr mendja se do të mund ta gjejnë vetëm me emrin Valon. Gona kuptoi se çka donte shoku të thoshte me këtë. U mërrol dhe u largua. - Më ka thënë mua Valoni se ti nuk je kurrfarë shoqeje, meqë je mendjemadhe dhe për shkak se je në lidhje me një politikan, e në anën tjetër je plot komplekse, meqë ke pasur një fëmijëri të keqe dhe një lidhje të tmerrshme të dashurisë. - Ke folur me të për mua? - Unë me Valonin kam biseduar për gjithçka, e edhe për ty. - Çka i ke thënë për mua? Pse i ke treguar për Çunin? A e di se nuk mund vetëm, hajt, ashtu, t'iu tregosh të gjithëve? - Unë nuk kam pasur asnjë sekret ndaj tij. Gona e ngriti kokën dhe e përshpejtoi hapin, duke dashur që ta ndërpriste atë bisedë. Por, nuk shpëtoi pa e dëgjuar përgjigjen e zemëruar të Anitës: - Ti mund të mos kesh mbajtur sekrete nga ai, por është evidente se ai ka mbajtur sekrete ndaj teje.

KAPITULLI I TETË

E mundonte ajo që i kishte ndodhë Gonës, edhe pse më shumë e mundonte fakti që kishte një përshtypje jo të rëndomtë dhe të pashpjegueshme që Valoni misterioz në njëfarë mënyre dukej si i rrezikshëm. E lidhte me ato gjërat e çuditshme të cilat i kishin ndodhur derisa ishte me Çunin dhe, sikur të ishte vetëm pak më e sinqertë ndaj dyshimeve të veta, do t'ia pranonte vetes se, në fakt, nëpërmes Gonës, donte t'i merrte disa informata rreth tij, e ndoshta edhe rreth Çunit. Herë-herë largonte mendimet e tilla, e vetëdijshme se nuk ishte duke jetuar në ndonjë triler, por nuk vononte shumë dhe fillonte ta pyeste veten se cili ishte ai njeri me vragë. Nuk mund të besonte se ai ishte vetëm një dashnor i parrezikshëm, i zhdukur. (vijon)

(Kosova Sot Online)