Ngjarje e vërtetë: Si tentoi vjehrri të më dhunonte (4)

  • 16 February 2020 - 15:15
Ngjarje e vërtetë: Si tentoi vjehrri të më dhunonte (4)

- Llukman, çka po bëni ju këtu? - e pyeta e irrituar. - Isha këtu afër. E, ku është Meti? Me gjasë ende fle. Pse nuk më habit kjo? - ai shtirej kinse nuk e vërente habinë time. - Dhe, nëse e njoh mirë birin tim, e njoh, jam i sigurt që pjesën më të madhe të ditës do ta kalojë duke fjetur - vazhdonte ai. - Por, a nuk do të më lësh të hyj brenda? Shpresoj të kesh kafe. Kam nevojë për një kafe të mirë - më tha ai, e mua nuk më mbeti asgjë tjetër, pos ta lija të hynte në banesë. - Bukur, shumë bukur - tha ai, duke shikuar rreth e përqark pasi që hyri në dhomën e ditës. - Po mundohemi - iu përgjigja me gjysmë zëri. - Lirisht uluni, e unë po shkoj në kuzhinë për ta bërë kafenë. - Apo, në fakt, a di çka? Ndoshta është më mirë të mos bëjmë zhurmë, që të mos e zgjojmë Metin.

Çka thua, a të shkojmë te kafeneja, këtu afër, e atje ta pimë kafen? Dita ishte e mrekullueshme - më befasoi ai me propozimin e tij. Edhe pse nuk isha e ngazëllyer nga oferta e tij, meqë në atë ditë të ftohtë nuk më dilej jashtë, e aq më pak të shkoja nëpër kafene me të, megjithatë Llukmani ishte vjehrri im i ardhshëm dhe nuk mund ta refuzoja. - Në rregull, vetëm të vishem - thash unë me gjysmë zëri, në çka ai reagoi duke mos mundur ta fshihte kënaqësinë. Derisa shkoja në dhomë që të vishesha, ende e ndjeja shikimin e tij mbi mua. Derisa pak më vonë rrinim ulur në kafenenë gjysmë të zbrazur, Llukmani filloi të fliste se sa shumë e do punën e tij. Derisa unë i përgjigjesha me një të tundur modest të kokës, fillova të mendoja sesi e kisha keqkuptuar qëllimin e tij, kur biseda papritmas mori kah tjetër. - E di, përkundër asaj se po i afrohem të 50-tave, ende ndihem si djalë i ri - më tha duke buzëqeshur dhe duke ma kapur dorën. - Bukur. Jam e sigurt se edhe kjo i ka përparësitë e veta - iu përgjigja unë pa menduar fare rreth domethënies së buzëqeshjes së tij.

Nga momenti në moment, situata bëhej gjithnjë e më e padurueshme. Të paktën, për mua. Ndjeja një nevojë të madhe që ta tërhiqja dorën time nga ajo e toja, por nuk dija si ta bëja këtë, pa e ofenduar Llukmanin. - Në fakt, do ta merrja guximin e do të thosha se unë kam më shumë energji dhe jetë sesa një djalë i ri. Në lidhje me këtë, unë jam i aftë edhe për shumëçka tjetër. Për fat të keq, Shpresa nuk ka një mirëkuptim të madh për nevojat e mia - përfundoi ai. Derisa faqet më ishin skuqur dhe më ishin bërë all, ia arrita që ta largoja dorën time. - Më vjen mirë për ju. E tani, nëse nuk keni asgjë kundër, më duhet të shkoj. Faleminderit për kafe - i thash me nxitim, duke u ngritur në këmbë. - Por, Merita! Doja të të ftoja për drekë te ne. Shpresa na pret. Mbrëmë përgatiti tërë ato ushqime. Do të ishte dëm i madh që ato ushqime të shijshme të shkonin kot. Fundja, dreka ishte ide e saj. Ti i pëlqen asaj dhe do të donte të të shihte përsëri. Meti edhe ashtu ende është duke fjetur dhe një Zot e di kur do të zgjohet. Mos më thuaj se do ta përgatisësh drekën vetëm për veten tënde? - insistonte ai. Me ta përmendur emrin e Shpresës, ndjeva sesi rezistenca në mua filloi të zbutej ngadalë. Për dallim nga Llukmani, nëna e Metit më pëlqeu që nga momenti i parë. E dija se do të ishte shumë e pahijshme nga ana ime sikur ta zhgënjeja. - Në rregull. Por, a jeni të sigurt se nuk do t'ju pengoj… - thash duke belbëzuar.

- Pashë Zotin, Merita, çka thua kështu? Ti je një vajzë tepër e bukur. Dhe, e mirë, natyrisht - shtoi ai me të shpejtë. Nuk kaluan as dhjetë minuta, e ne u gjetëm para shtëpisë së prindërve të Metit. - Hajde, zemër, Shpresa me gjasë tanimë është duke na pritur - më tha ai, duke më kapur për krahu edhe pse nuk kishte aspak nevojë për këtë. Derisa hapte derën e hyrjes, përsëri fillova të ndihesha në siklet. - Urdhëro, ulu dhe rehatohu. Po shkoj unë t'i sjell pijet. A të pëlqen shampanja? - më pyeti pasi që hymë brenda. Shtëpia dukej tepër e qetë. Nuk m'u desh shumë të kuptoja se si unë dhe Llukmani me gjasë ishim të vetmit në atë shtëpi. - A nuk është paksa tepër herët për shampanjë? E, ku është zonja Shpresa? Nuk është në shtëpi, a? - pyeta e habitur. - Ah, me gjasë ka shkuar t'ua uroj Vitin e ri fqinjëve. E di, si bëjnë gratë e moshës së saj. Plaka hesapi - shtoi me sarkazëm vjehrri im i ardhshëm. Edhe pse me gjithë dëshirë do t'ia thosha troç se as ai nuk ishte në lule të rinisë, disi ia dola të përmbahesha, e të mos thosha asgjë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)