Roman dashurie: Punë fati (34)

  • 20 February 2020 - 15:05
Roman dashurie: Punë fati (34)

Anita u kthjell. Miloti kësaj here ishte më se serioz, bile dukej se neveritej nga tërë ajo që kishte ndodhur midis tyre dhe që e pengonte që, për hir të Çunit, ta kishin një komunikim normal. Për këtë shkak, pa bërë fjalë, u nis pas tij. Kur u ulën në automobil, i kërkoi falje që ia lagu ulësen. - Nuk ka lidhje, atë e thashë edhe ashtu vetëm sa për të ta zgjuar inatin. - Si po mendon? - Kam vërejtur se ti i bën disa gjëra vetëm nëse njerëzit të thonë se ajo gjë iu pengon, apo se nuk është mirë. Ajo nuk donte shpjegime shtesë, meqë ishte e sigurt që ai e kishte fjalën edhe për inatin e saj, që ta ruante lidhjen me Çunin. Kur arritën para banesës së saj, ai i tregoi se nesër do ta nxirrte Çunin nga spitali rreth pasdites, e që ajo të vinte në banesë në mbrëmje.

- E, pse atëherë? - Për shkak se, në ndërkohë, atë do ta vizitojnë kushërinjtë, miqtë dhe ata armiqtë e pështirë, e besoj edhe gazetarët. Kështu që do të ishte mirë sikur, në mbrëmje, ti të rrije me të. Tani të gjithëve iu duket interesante ta shohin në karrocë invalidore. - Mirë. Nëse ti thua kështu, atëherë do të vijë në mbrëmje. Ai qeshi i befasuar. - Nuk mund të besoj se u pajtove me mua rreth ndonjë gjëje! Ajo e shikoi, ngapak e thyer nga bukuria që shihte në fytyrën e tij. Ai i ishte i ndaluar, e edhe ashtu, nuk ishte për të, vetëm luante me ndjenjat e saj, duke u munduar t'ia bënte me dije se e dinte që ajo nuk e do Çunin. Ai ishte një mashkull i cili çdo femre do t'i shkaktonte dhembje. Ajo e dinte se ai do të mbetej i tillë, se kurrë nuk do të ndryshonte. As për shkak të saj. - Natën e mirë, Milot. Doli nga vetura, duke mos ia vënë veshin shiut dhe tërë botës. Kësaj here ai nuk u largua para se ajo hyri brenda. Kishte përshtypjen se ai ishte duke e përcjellë me shikim, por nuk guxonte të kthehej dhe të shikonte.

KAPITULLI I NJËZET E DYTË

Nëna e priti goxha e shqetësuar. - Thirri një njeri. U prezantua si gazetar. Donte të fliste me ty. Anita u mërrol. - A tregoi se në lidhje me çka? - Jo, por jam e sigurt se diçka në lidhje me Çunin. Me siguri e kanë marrë vesh që jeni në lidhje. Edhe pse nuk i pëlqente që të merrej vesh një gjë e tillë, ajo i rrudhi supet. - Edhe ashtu, herët apo vonë, do të merrej vesh, - Anita, më duhet të ta bëj një pyetje serioze. Me të vërtetë do të qëndrosh në lidhje me atë njeri, a? - Po, nënë. Do të rri në lidhje me Çunin. - E, me atë tjetrin? Me vëllain e tij? Çka do të bësh me të? (vijon)


(Kosova Sot Online)