Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (5)

  • 21 shkurt 2020 - 15:19
Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (5)

A keni dëgjuar për zjarret, që kanë ndodhur kohëve të fundit? - më pyeti porsa i shtrënguam duart. - Po. Tmerr - bëra me kokë. - Shikoni, do t'jua them haptas, pa kurrfarë hezitimi se si unë e shikoj gjithë këtë - më tha duke prekur fytin. - Thjesht jam i bindur se burri juaj ka lidhje me gjithë këtë seri të zjarreve. Kur nuk u përgjigja asgjë, ai vazhdoi. - Zonjë, më nevojitet ndihma juaj - më tha. -E di se kjo që po kërkoj nga ju nuk është aspak e lehtë, por shikojeni edhe vetë se deri ku ka ardhur puna. Dy njerëz tashmë janë në rrezik jete. A po prisni që të pësojë edhe dikush tjetër? - Përse mendoni se është pikërisht ai? - pyeta me gjysmë zëri. - Sepse saktësisht i përshtatet përshkrimit të kryerësit. Jam i sigurt, se nëse do ta kërkonim edhe të kaluarën e tij, në fëmijërinë e tij ai ka bërë të njëjtën gjë.

Ndoshta ka vënë zjarre, ka urinuar në shtrat dhe me siguri se i ka munduar kafshët. - Për një keni të drejtë - thashë e tronditur. - Nexhi si i vogël me të vërtetë pëlqente të luante me zjarr. E më pas, aty ishte edhe gjyshi i tij i keq. Inspektori përsëri fërkoi sytë me duart e tij të mëdha. - Është çështje kohe, kur përsëri do të ndizet diçka. Njerëzit mund ta pësojnë. Herën tjetër ndoshta edhe më shumë. - Si mundem unë t'ju ndihmoj? - pyeta me zë të thyer. - Do t'ju jap numrin tim të celularit. Më lajmëroni sa herë që ai del nga shtëpia. Provoni nëse është e mundur, t'ia kontrolloni veturën. Ndoshta gjeni diçka të dyshimtë. Dhe, mos ju ekspozoni asnjë rreziku, në vend se ta përcillni. Nëse dyshimet e mia janë të sakta, burri juaj është një person shumë i rrezikshëm. Kur u ktheva dhe i tregova Vlerës çfarë kishte ndodhur, ajo më shikonte me trishtim. - Çfarë? Do ta spiunosh? A me të vërtetë mendon se ai është fajtori? - Nuk e di - u përgjigja me seriozitet. - Por ka shumë të vërteta për të qenë rastësi.

 Të lutem, vetëm ki kujdes - më tha Vlera, duke më përqafuar. Dhe kështu fillova ta spiunoj burrin tim. Që nga fillimi për një gjë të tillë jam ndier e tmerruar, por e binda veten time, se nëse nuk është fajtor, kjo është mënyra e vetme për ta shfajësuar. Rasti për ta kontrolluar veturën mu dha kur Nexhi qëndroi në shtëpi. Kishte ditë të lirë dhe po flinte. Miki, si edhe zakonisht, po flinte pranë televizorit. Dola nga banesa dhe e hapa veturën. Pikërisht isha para një hetimi, kur pas vetes time dëgjova zërin e Nexhit. Ashtu nga frika godita kokën për tavanin e veturës. - Çfarë po bën? - më pyeti. - Oh, kam humbur buzëkuqin dhe mendova se mos ndoshta më ka rënë. - Ke mundur të më pyesësh mua - më tha duke larguar shikimin nga unë. Më pas së bashku u kthyem në banesë. Derisa po ecja pas tij, e ndieja se si po më dridhen gjunjët. Me sa duket, inspektori kishte të drejtë. Në veturë, nën ulëse, kam gjetur hartën me artikujt e gazetave, që kishin shkruar për zjarret e kaluara. Dyshoja se burri im ishte një piroman, dhe ky mendim më tmerroi.

A mendoni se nuk ka dyshuar asgjë? - më pyeti inspektori kur e lajmërova dhe i tregova për zbulimin tim. - Jo, nuk e besoj - u përgjigja derisa edhe më shumë po shtrëngoja dëgjuesen. - E tani çfarë? - Më lajmëroni porsa të zbuloni edhe diçka. Kështu ka kaluar një javë, e më pas kam dëgjuar bisedën e Nexhit dhe të Mikit. Po flisnin për një 'punë speciale', të cilën duhej ta përfundonin. Më duket se nuk më kanë vërejtur, sepse dëgjova Mikin, kur po i thoshte: - Kur do ta bëjmë? Rrëshqita në shtëpi dhe ... - A je ti e dashur? - dëgjova zërin e ëmbël të Nexhit nga dhoma. - Po, unë jam - u përgjigja zëshëm. Atë mbrëmje, në vend se të përgatitej për punë Nexhi e ktheu fytyrën e bukur përballë meje, duke m'i treguar çukat në faqe, që dikur i shikoja me ëndje. - Më sjell verë e dashur - më tha me zë të lartë. - Sot kemi arsye për festë. - Po? - i thashë, duke ndier në vete shenjën për alarm. - Miki përfundimisht ka një punë - më shpjegoi. - Ky është lajm i gëzueshëm! - thashë edhe unë ashtu e gëzuar. - Do të ngremë dolli për këtë ngjarje. Pas një gote me verë, Nexhi më ofroi për të pirë, por refuzova. - Nuk dua më, faleminderit. Tashmë po më sillet gjithçka. Ishte kjo gjëja e fundit që e kujtoj. Ky është fakti pse nuk lajmërova inspektorin. /vijon/

(Kosova Sot Online)