Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (11)

  • 14 March 2020 - 12:14
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (11)

Të nesërmen vendosi ta thërriste Shpresën dhe t’ia tregonte të gjitha. Tërë natën paraprake ishte munduar ta zgjidhte dilemën e quajtur Ilir. As nuk kuptonte çka donte ai nga ajo, e as nuk e dinte çka priste vetë ajo nga ai. Herë-herë edhe vetes i dukej qesharake, duke e shikuar veten me sytë e Ilirit, ashtu me përparëse rreth belit, me ëmbëlsirat në pjatë, e më pas duke menduar se Iliri nuk do të humbte kohë me njëfarë plake atje, sikur ajo të mos i pëlqente. Meqë që nga ndarja nga burri kishte pasur vetëm lidhje të bazuara në seks, ajo ishte e bindur se nuk mund t’i kuptonte realisht, e as drejt, qëllimet dhe sjelljet e Ilirit. Për këtë shkak, kishte nevojë për këshillat e dikujt që kishte një përvojë më të gjatë me meshkujt. Nga të pesë shoqet që i kishte në dispozicion, Shpresa ishte zgjidhja e vetme e mundshme. Nuk është se shoqet e tjera nuk do të mund ta këshillonin, por me përjashtim të Shpresës, të gjitha të tjerat ishin tepër të sjellshme dhe të dhembshme, prandaj do t’i thoshin diçka që ajo do të kishte dëshirë të dëgjonte.

Vetëm Shpresa ishte e sinqertë deri në brutalitet, pa qime në gjuhë, e edhe e vetmja që kishte pasur përvojë me meshkuj më të ri se ajo, gjë që Lules i dukej si një poen shtesë në krahasim me shoqet e tjera. Ia doli që t’ia mbushte mendjen Shpresës që të takoheshin rreth orës gjashtë edhe pse kjo e fundit mundohej që të nxirrej, duke thënë se ishte lodhur dhe ishte “hëngër” me burrin. Por, Luljeta, edhe pse nuk e kishte zakon të insistonte kur ndokush e refuzonte, kësaj here kishte një motiv shumë të fortë, prandaj nuk lëshoi pe para dembelisë së Shpresës. - Duhet të vish. Apo, të paktën, të takohemi diku, ku të duash ti. Kjo ka rëndësi për mua. Të paktën gjysmë ore, por më duhet të të shoh gjithsesi. - Ah, Lule, a bash sot më gjete, a? Mund ta marr me mend sa i rëndësishëm është ky takim. Me gjasë e ke ndonjë nxënëse shtatzënë, e ti nuk di si ta këshillosh. Lulja nuk qeshi me këtë shaka sarkastike. Atë vazhdimisht e tallnin se, gjëja e vetme që i ndodhte në jetë, ishin në fakt gjërat që iu ndodhnin nxënëseve të saj. Për herë të parë nuk ishte ashtu si mendonte Shpresa. Tani vetë asaj i kishte ndodhur diçka, edhe pse nuk ishte e sigurt se sa mirë ishte ajo që i kishte bërë vaki. Me padurim priste orën gjashtë dhe Shpresën, e cila erdhi me një kapele të madhe, të kuqe, dhe me këpucët në duar. - Mos më pyet asgjë! Mu thye taka sapo dola nga vetura.

- Do të të jap të mbathësh diçka kur të largohesh. - Njëmend? E, çka do të më japësh, kur të gjitha këpucët tua janë të rrafshëta? - Çfarë lidhjeje ka që janë të rrafshëta? Edhe ashtu, ato do t’i përdorësh vetëm derisa të mbërrish te vetura. - E çka, p.sh, nëse gjatë rrugës, më ndalë ndonjë polic i bukur dhe më thotë të dal jashtë veturës? E unë ashtu, si shotë, me këpucët tua të rrafshëta, e vogël, keq e më keq. Jo, jo! Më mirë të dal zbathur, sesa pa taka. Por, më trego njëherë pse më thirre me kaq ngulm të vija sot këtu? (vijon) 


(Kosova Sot Online)