Ngjarje e vërtetë: Si e ngjalla epshin e vjetër, për ta shpëtuar martesën (3)

  • 31 March 2020 - 15:17
Ngjarje e vërtetë: Si e ngjalla epshin e vjetër, për ta shpëtuar martesën (3)

- Çfarë është tash kjo përsëri? Plani "darka romantike me qirinj" nuk pati sukses? - Mos më pyet mua të lutem. Jo se plani nuk pati sukses, por edhe u fjalosëm. Në fakt, as nuk jemi fjalosur, por vetëm e shikuam njëri-tjetrin. Bile sikur të ishin fjalosur së paku, t'i bërtasim njëri-tjetrit e më pas të qetësohemi, mendoj se do të ndiheshim më mirë. - Keq, tepër keq, duhet ndërmarrë diçka. - Asgjë më shumë nuk po ndërmarr. U ngopa me gjithçka. Sa më shumë që po mundohem, vetëm më keq po bëhet. Është e dukshme se nuk jam ndonjë grua e aftë. - Ndal, atë që e thatë tani, as në gjumë mos gabo ta thuash, e lëre më në praktikë. Këtë se nuk je grua e aftë nuk dua ta dëgjoj më kurrë. - Burrit tim unë nuk i interesoj më. Si shtëpiake edhe mund t'i shërbej, e po ashtu edhe si nënë e fëmijëve, por si grua, dashnore, partner, shoqe, kjo jo. - Si e para, ndalo të kesh një mendim të tillë për veten tënde. Ngase, nëse mendon ashtu, pse të tjerët do të mendonin ndryshe. Të gjitha lidhjet dhe martesat hasin në krizë, por kjo mund të përmirësohet. Do të mendojmë diçka. E këtij mendimit të Sanijes edhe ia kisha frikën. Nëse dikush ka një imagjinatë të bujshme dhe fuqinë e një kombinuesi, kjo është ajo. Ajo është lidere dhe organizuese e shkëlqyeshme. E kam ditur se situata ime nuk do t'i dhurojë paqe. Për më tepër, se do të jetë sfidë. Për dallim nga ajo, unë u qetësova. Në fakt, fillova t'i pranoj gjërat ashtu si janë.

Nuk e kisha të lehtë të jem e vetmuar në martesë, por më qetësonte fakti se nuk isha e vetmja. Sa më shumë që pyetja gratë përreth vetes, fillova ta kuptoja se telashet në martesë tashmë ishin bërë rregull. Kur entuziazmi largohet, shuhet edhe pasioni. Nëse mbetet shoqëria, gratë mund të thonë se janë me fat. Në marrëdhënien time me Ditmirin nuk mund të ankohesha. Nuk ishte i pasjellshëm, e lëre më të jetë i dhunshëm. Thjesht nuk ishte i interesuar për mua si një grua dhe unë me të më duhej të pajtohesha. Sipas mendimit tim, por jo edhe sipas mendimit të Sanijes. - Ma thuaj a mos je çmendur gjë, Miradije, çfarë po flet?! Shikohu në pasqyrë. A po e sheh se çfarë femre e bukur je, je copë. Nejse, pak je lëshuar, por e rregullojmë këtë. Ti ishe dhe do të mbetesh një femër pas së cilës meshkujt çmenden. Duhet ta kujtosh këtë dhe mos u pajto me faktin të mbetesh një shtëpiake e qetë. Në cilin shekull po jeton ti? Më caktonte trajtime te stilistët e flokëve, kozmetikës, pediker e manikyr dhe kush e di se çka. Shkoja pa dëshirën time. Kjo më dukej si hedhje e të hollave. Po çfarë dreqi më nevojitej mua manikyri? Të m'i lyenin thonjtë me llak, a nuk mundem unë vetë ta bëj një gjë të tillë? A mos është lloj arti ky, a studiohet në fakultet. Mirëpo, për shumicën e tyre isha pajtuar. Me disa gjëra madje edhe unë isha e kënaqur. Për shembull, me ndryshimin e stilit të flokëve. Gjithçka ishte bukur dhe shtrenjtë, por nuk po jepte rezultatet e duhura. Ditmiri edhe më tutje ishte në filmin e tij. Do të vinte nga puna drejt në shtëpi, do të zbavitej paksa me Jehonën, do t'i fliste disa fjalë me mua dhe do të ulej para ekranit televiziv apo kompjuterit. Madje fillova të dyshoj se po më tradhton. Unë fillova të kontrolloj dhe, për fat, nuk gjeta gjë. - Hmm, thënë të drejtën edhe unë po dyshoja pak në këtë drejtim, kështu që, sipas mënyrës sime, bëra disa hulumtime. Pos disa vajzave të bukura në zyrë, nuk zbulova asgjë. Jo, nuk është puna aty, - po komentonte - Nuk e di për çfarë është fjala, por diku kam gabuar. Ose, ndoshta çështja është te natyra. A e di kur nëna natyrë të 'godet' me diçka. Nuk duhet të jesh as tepër e bukur dhe e hijshme, e as sharmante, që gjithë meshkujt të vrapojnë pas teje. Nuk e di ku është fshehtësia, por e di se nuk jam ai tip i njeriut. - Ti po mendon kështu. E si pra Ditmiri ishte çmendur pas teje, kur të kishte njoftuar. Më kujtohen fare mirë ato ditë. Dhe, ai nuk ishte i vetmi që ti i pëlqeje. - Kjo ishte dikur. E shkuar e harruar. Nuk ia vlen të mendohet për këtë. - E ndoshta edhe ia vlen. Prej nga e di ti se është ashtu nëse nuk e provon. - Çfarë të provoj? - Ashtu, të vihesh paksa në lëvizje. - Të lutemmm? Çfarë po thua... - Eja, eja, mos kërce menjëherë. Nuk e mendova përnjëmend. Vetëm ashtu, imagjinova...

- Dëgjo, e di se ti je e çmendur, por mos po e tepron paksa si shumë. - Pse e kam tepruar? Vetëm kisha dëshirë të propozoj që të dalim në një vend dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. - E di çka, i vetmi vend ku ti do të duhej të shkoje, dhe atë urgjentisht, është psikiatri. - Më dëgjo së pari çfarë të them e më pas më gjyko. Më pas filloi tregimi për Mondën. Monda ishte shoqja jonë nga ditët e rinisë. Një kohë edhe ishim shoqëruar, më pas jemi ndarë dhe më në fund nuk e pashë kurrë. Ajo për një kohë të gjatë ishte në lidhje me një djalosh, por ai kurrsesi t'i propozojë. Monda ishte person i durueshëm, plot mirëkuptim. Ajo kishte mirëkuptim edhe atëherë kur i kishte thënë se po e linte, pasi që e kishte njoftuar dikë tjetër. /vijon/


(Kosova Sot Online)