Ngjarje e vërtetë: Alkoholi ishte ai që na shkatërroi familjen (2)

  • 03 April 2020 - 15:09
Ngjarje e vërtetë: Alkoholi ishte ai që na shkatërroi familjen (2)

- Shpresë, unë kam ca të holla të kursyera. Kërko në afërsi të shtëpisë ndonjë lokal të vogël, merre me qira dhe duhet të jesh e pavarur, ndërsa sa për fillim, unë do ta paguaj qiranë. Po ndihem mjaft keq, shkaku i këtyre fjalëve që po t'i them, por këtij idiotit tim nuk do t'ia dhuroj asnjë cent, sepse që të gjitha do t'i dërgonte në alkool. Krejt atë që e kemi do ta trashëgojnë fëmijët tuaj. Keni një vit kohë, derisa Nita të shkojë në shkollë. Interesohu, atje te ju në qytet, dhe me siguri se njerëzit kanë nevojë për një rrobaqepëse dhe ndoshta nuk është nevoja për një profesioniste, por dikush që kryen disa punë të lehta. Besoj se mund të shkurtosh pantallona, ta ngushtosh një fustan. E kam parë unë këtë herën e fundit kur ishim në kryeqytet - fliste gjyshi. Nëna ka gjetur një lokal të vogël me një çmim mjaft të përgjegjshëm për qira, si dhe ka filluar punën. Puna ishte nisur për mrekulli, në fillim po vinin klientë të vjetër, të cilëve u kishte kryer punë, derisa qepte në shtëpi, por nuk kishte kaluar edhe shumë kohë dhe kishin filluar edhe klientë të rinj, pasi që çmimet ishin të volitshme. Babai natyrisht ishte zemëruar pa masë, por shkaku i gjyshit dhe shkaku i gjyshes nuk guxonte të bënte më shumë zhurmë.

- Nënë, përse ne kurrë nuk kemi shkuar në det? Të gjitha shoqet e mia shkojnë së paku nga dhjetë ditë, vetëm ne shkojmë vetëm te gjyshi dhe te gjyshja në fshat - e pyeta njëherë nënën time. - Nita shpirt, nuk kemi sasi të mjaftueshme të të hollave. Por, pasi që puna është nisur mbarë po të premtoj se shumë shpejt do t'ju dërgoj në det - m'u përgjigj nëna. Që nga koha kur nëna kishte filluar të punonte, babai kishte filluar të konsumonte më shumë alkool. Gjithmonë na turpëronte, pasi që e gjithë fqinjësia, e madje edhe fëmijët në shkollë e dinin se ai ishte pijanec. Xhelozia e tij ishte aq e madhe, saqë kur kthehej nga puna dhe do të kalonte pranë lokalit të nënës, ai do të fshihej diku dhe do të shikonte se kush po futet në lokal. Në shtëpi gjithnjë po grindeshin. Po i kërkonte llogari për secilën imtësi: pse ia kishte hekurosur të kaltrën e jo bluzën e bardhë, pse kishte gatuar mish e jo fasule, pse kishte blerë banane, kur mund të hamë mollë... - Sikur të mos e kishte atë rrobaqepësi të vogël, do të mund të përkujdesesh për shtëpinë, e edhe më pak do të kishin shpenzuar të holla në budallallëqe të tilla - bërtiste ai. Kur sot mendoj më mirë, ende nuk e kam të qartë se si nëna kishte mundur t'i durojë të gjitha këto. Ndërsa që gjithnjë e më shpesh ai ishte i dehur edhe në vendin e tij të punës. Besniku ishte në klasën e tetë, ndërsa që unë isha në klasën e shtatë, atëherë kur ndodhi kthesa e madhe në jetën tonë. Babai ishte aq i dehur një ditë në vendin e tij të punës, saqë nuk kishte mundur t'i llogariste klientët, kështu që shefi e kishte dërguar në shtëpi dhe e kishte kërcënuar se do ta largonte nga puna. - Nëse nuk ndalon me pijen, do të largoj nga puna. Unë nuk do të lejoj që shkaku yt të bjerë shitja - i kishte thënë ai. Babai ishte nisur për në shtëpi dhe ashtu i dehur ishte kthyer në lokalin e nënës. Mu në atë moment, aty ishte edhe një zotëri, i cili i kishte dërguar disa palë pantallona për t'i rregulluar. I zemëruar për atë që i kishte ndodhur në vendin e tij të punës, e xheloz sikurse një qen i tërbuar, ai kishte filluar të bërtasë, kishte goditur njeriun dhe e kishte lënduar nënën me fjalë të ndryshme.

Kalimtarët e rastit dhe fqinjët që e kishin dëgjuar zhurmën kishin shkuar aty pikërisht në momentin, kur ai kishte filluar ta ngufaste nënën, derisa klienti, i cili po gjendej aty kishte tentuar ta ndalonte. Nëna kishte përfunduar me disa shenja të mavijosura në fytyrë dhe disa prerje në arkadë. Policia e kishte dërguar atë para gjyqit dhe e kishte gjykuar - ose burg ose heqje dorë nga alkooli. Kështu babai kishte filluar të shërohej, derisa nëna na kishte dërguar në det. Nuk ishin për një kohë të gjatë, një javë, por kjo javë ishte java më e paharruar në jetën time. /vijon/


(Kosova Sot Online)