Ngjarje e vërtetë: Alkoholi ishte ai që na shkatërroi familjen (3)

  • 04 April 2020 - 17:47
Ngjarje e vërtetë: Alkoholi ishte ai që na shkatërroi familjen (3)

Gjatë asaj kohe, ne të tre biseduam gjerë e gjatë rreth babait. - Tërë këto vite i kam duruar ofendimet e tij, bile edhe dajakun, meqë për shkak të punës, shpesh ishte i shqetësuar dhe dehej. Përpos kësaj, me të ju kam ju të dyve, që ju dua më së shumti në botë. Derisa nuk ekzistonte ai alkooli i mallkuar, ai ishte njeri tjetër. Ndoshta do të duhej t'ia ofronim edhe një shans tjetër, para se të heqim dorë nga ai - na tha haptazi nëna. Besniku dhe unë ishim tepër dyshues rreth asaj se babai mund të ndryshojë, meqë asnjëherë në jetë nuk e kishim parë esëll. Kurrë nuk na kishte dërguar në park, apo diku tjetër, bile as në një shëtitje më të thjeshtë në qytet. Kur kthehej i dehur nga puna, ulej para televizorit dhe flinte. Por, në fund megjithatë pranuam lutjen e nënës.

Pasi që u kthyem nga deti, nëna thirri në spital dhe iu tha se ishim të gatshëm për terapi familjare, pa të cilën, sikur që na thoshin, nuk kishte shërim. Që të tre ne shumë haptazi shprehëm para mjekëve të gjitha peripecitë që i kishim përjetuar. Babai filloi të qante. Me lot në sy përsëriste se na donte dhe se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për atë që na kishte bërë. - Derisa je këtu, flet kështu. Por, sapo të dalësh jashtë, përsëri do të dehesh dhe do të na koritësh para fqinjëve - i thash unë. - Bija ime, të premtoj se kurrë më - tha ai. Ditën që ai doli nga spitali, të gjithë ne ishim tejet të tendosur. Kur u kthyem në shtëpi, ai i propozoi nënës që të merrnim disa punëtorë për ta lyer shtëpinë, e më pas edhe lokalin e saj.

Më pas do të mundnim, derisa ai të jetë ende në pushim mjekësor, e derisa ne të ishim në pushime të shkollës, të shkojmë të paktën një javë në fshat, te gjyshi dhe gjyshja. Vëllai dhe unë nuk mund të besonim: babai jo vetëm që u ndihmoi punëtorëve, por më pas ndihmoi edhe në pastrim. Pas kësaj shkuam në fshat. I frikoheshim mbrëmjes kur babai, sikur më parë, do të thoshte se do të dilte për të shëtitur, për t'u kthyer më pas i dehur, i bërë tapë. Por, kjo nuk ndodhi. Gjatë ditës i ndihmonte gjyshit, e në mbrëmje mua dhe vëllain na shëtiste nëpër fshat, duke na treguar se ku kishte preferuar më së shumti të luante derisa kishte qenë i vogël. Na tregonte shumë ndodhi nga fëmijëria e tij. Më pas ktheheshim dhe piqnim kallamboq në oborr. Kuptuam se babai ishte një njeri i kthjellët, i mençur dhe argëtues kur është esëll.

Gjyshi dhe gjyshja ishin të entuziazmuar nga ndryshimi i të birit të tyre. Edhe nëna shkëlqente, vetëm Besniku dhe unë nuk ishim të bindur se ndryshimi nuk ishte vetëm i përkohshëm. Por, babai me të vërtetë më nuk pinte. Mua më thërriste bukuroshen e tij dhe më thoshte se i kisha ngjarë tërësisht të ëmës. Bile, me të fillova të flisja edhe rreth djemve. Kur njëherë, duke bërë shaka, tha se do t'ua thyente kokën atyre që do ta hidhëronin bukuroshen e tij të vogël, Besniku është përzier duke thënë se edhe ai ma thotë të njëjtën gjë vazhdimisht. - Atëherë do t'i bashkojmë forcat, bir - tha ai dhe qeshëm të gjithë ne. Babai im ka dhjetë vjet që nuk e ka shikuar alkoolin as me sy, e lëre më ta pijë. Bile nuk ka pirë as kur diplomova unë. Ngrehi dolli me një lëng, duke më thënë se më së shumti rëndësi kanë dëshirat e mira, se sa pija në gotë. FUND

(Kosova Sot Online)