Ngjarje e vërtetë: Si na e riktheu lumturinë djali i adoptuar (1)

  • 05 April 2020 - 14:36
Ngjarje e vërtetë: Si na e riktheu lumturinë djali i adoptuar (1)

Para se të vendoseshim në qytet, jetonim afër një lumi, skaj të cilit rriteshin drurë të ndryshëm. Kështu, shumë herët mësova se druri reagon ndaj të ftohtit dhe ndaj të nxehtit. Nuk ishte njësoj të punoje verës, apo dimrit. Fillova me shelgun, e më pas me lajthinë, e më pas kalova te drurët më të mëdhenj, dhe qysh atëherë e dija se nga to do të bëhen instrumente. Instrumentet muzikore u bënë opsesioni im. Merresha vetëm me bërjen e tyre dhe asgjë tjetër nuk më interesonte. Po, më interesonte muzika, natyrisht, meqë duhej edhe të bëje muzikë në instrumentet që i bëja. Në qytet menjëherë kërkova njerëz me interesime të ngjashme, jeta e të cilëve sillet rreth muzikës dhe instrumenteve. Është budallallëk ta pëlqesh vetëm një lloj të muzikës, mendoj unë. Me shokun e ri Petritin gjeta më së shumti pika të përbashkëta, e edhe motra e tij e madhe, Inva ishte shumë e bukur dhe i pëlqente muzika. Kur Petriti me dy të njohur shkoi në Venedik, unë kësaj nuk i kisha kushtuar vëmendje të madhe, por kur u kthye dhe më tregoi gjithçka rreth kësaj vizite, e dita se herën tjetër, do të duhej të shkoja edhe unë.

Nuk kishin shëtitur shumë nëpër qytet, por kishin shikuar atë që iu intereson – drurin dhe muzikën. Nuk dija asgjë për shumë fusha dhe miku tani mi kishte hapur shumë horizonte të reja. Rreth Venedikut dija diçka vetëm nga librat, por që laguna e tij është e njohur për drurin kualitativ, që përdoret apostafat për bërjen e instrumenteve, për këtë kisha dëgjuar për herë të parë. Që më parë kuptova se druri i cili rri një kohë në ujë, sillet krejtësisht ndryshe sesa druri i thatë. Por, gjithçka që më ndodhte kohëve të fundit, për mua ishte një revolucion i vërtetë i diturisë. Petriti në këtë aspekt ishte shumë përpara meje. Shëtisnim rrëzë lumit, bashkë me Invën, duke mbledhur degë të ndryshme për timpane. Rreth kësaj dinim diçka, derisa instrumentet më të mëdha, sikur që është violonçeli, për ne ishin ëndërr që donim ta realizonim. Por, para kësaj duhej të mësonim shumë më shumë rreth drurit. Te njëri ndër mjeshtrit e rrallë që ende merreshin me bërjen e instrumenteve, te mjeshtër Shabani, ne filluam që të bënim praktikë me të madhe. Meqë plaku ishte shumë i vyeshëm dhe i zoti, ai vazhdimisht na nguste, sikur do të vdiste të nesërmen: - Hajde, djema! Ngutuni pak. Mos bëni kajde! Ne i tregonim se me të vërtetë na pëlqente ajo që bënim, por as për së afërmi nuk e kishim mjeshtërinë dhe duart e tij. E, ai na përgjigjej menjëherë: - Shihe, ti! Sa mirë dinë të nxirren. Mirë, atëherë, Miran, Petrit, shkoni disa ditë në Venedik, te një mik imi i vjetër. Hapni sytë dhe veshët. Nëse nuk ktheheni me një shkathtësi më të madhe, atëherë nuk jenë për këtë punë. Mbetëm tepër të zhgënjyer nga fjalët e mjeshtrit, e më pas, kur menduam më mirë, kuptuam se plaku vetëm donte që të linte dikë prapa tij, që ta zëvendësonte në punëtori. Me siguri kjo ishte punëtoria e vetme e tillë në qytet dhe ai do të vdiste nga pikëllimi sikur ajo të mbyllej. Ai vazhdimisht na fliste rreth Italisë, ku ende kishte shumë punëtori të tilla. Pa bërë shumë zhurmë, udhëtuam për në Venedik dhe vetëm shikonim andej-këndej, duke e pasur të qartë se ky ndoshta ishte shansi ynë i fundit. Duhej të jepnim gjithçka nga vetvetja që të mësonim më shumë. Mjeshtri nuk ishte lehtë që të kënaqej, meqë me dekada ishte në atë biznes. Me vëmendje të madhe vizituam lagunën, prekëm me interesim llojet e ndryshme të drurit, në punëtori shikonim se çka bënin si dhe ofronim ndihmën tonë. Në mbrëmje shkonim në koncerte, ku muzika bëhej me instrumentet e tyre. Çdo pjesë e qytetit kishte koncertet e veta të vogla, qoftë edhe vetëm me dy njerëz, qoftë në rrugë, apo në ndonjë vend të mbyllur. Aty gjetëm mjeshtrit e zanatit tonë, të rinj dhe pleq, bilebile edhe një vajzë. Lodheshim tepër, por edhe kënaqeshim. E paramendoja Invën aty, afër nesh.

Edhe ajo, meqë i interesonte muzika, do të ishte shumë e lumtur. Aty kuptova se mezi prisja ta shihja. Në shtëpi u kthyem si njerëz të tjerë. Tani e kuptonim më mirë mjeshtrin, ishim bërë më seriozë, më përgjegjës, më të shpejtë. Buzëqeshja e mjeshtrit tregonte se ai ishte goxha i kënaqur me ne. Të paktën nuk kishte shpenzuar më kot paratë te ne. E, pasi që u paraqit një blerës për një orkestër të tamburave, ai na vuri në plan të parë, duke mbetur vetë prapa për të shikuar, për të intervenuar nëse do të kishte nevojë. Anëtarët e orkestrës ishin italianë, por kishte edhe të huaj. Gjuhën italishte e kuptonim deri-diku, meqë në botën e modës mbretëronte ajo gjuhë. Bisedonim rreth plotësisë së zërit, meqë sapo kishim mësuar diçka të re në atë temë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)