Ngjarje e vërtetë: Dita kur i dashuri më goditi në fytyrë (1)

  • 08 April 2020 - 15:32
Ngjarje e vërtetë: Dita kur i dashuri më goditi në fytyrë (1)

Sikur dikush vetëm një vit më parë do të më thoshte se do ta kaloja natën në stacion të trenit, do t’i thosha se ishte i marrë dhe nuk di se çka flet. Por tani, derisa shtrëngoja fort me duar çantën e krahut, ku kisha vendosur gjësendet e mia elementare, për shkak se aty gjendej gjithçka që momentalisht posedoja, ditët e mia të shkujdesura studentore më dukeshin me kilometra larg. Në kryeqytet kisha ardhur dy vite më parë, nga një vend i vogël në periferi. Babai më kishte vdekur kur kisha 15 vjet dhe jeta me nënën time, derisa përfundimisht u largova nga shtëpia, ishte tepër e padurueshme. Grindeshim për gjithçka, duke filluar nga ajo se nuk duhej të shkoja për të studiuar, e deri tek ajo se vallëzimi, i cili më pëlqente dhe me të cilin ëndërroja që të merresha seriozisht më vonë, ishte humbje e plotë e kohës.

Nëna ime mendonte se jetoja në iluzione dhe se, pas shkollës së mesme, do të duhej të punësohesha në postë, ku me vite të tëra kishte punuar edhe babai im. Për fat, kisha nota të mira, kështu që pa problem u regjistrova në fakultet, në kryeqytet. Komuna më kishte thënë se, si fëmijë jetim që isha, derisa ta vazhdoja shkollimin, do të më mbështetnin materialisht, prandaj nuk e pata problem që të vendosesha në konvikt të studentëve dhe ta filloja një jetë të re, studentore. Isha aq shumë e lumtur, sa që besoni apo jo, harroja edhe të haja, kështu që gjatë muajve të parë humba dy kile. Personi i parë të cilin e takova me të mbërritur në kryeqytet, ishte cimerja ime, Hafija, një fshatare e hareshme, e cila gjatë tërë ditës bisedonte në telefon. Edhe kur nuk fliste, ajo shkruante mesazhe, kështu që kurrë nuk e lëshonte celularin nga duart. Hafija mendonte se studimi shërben që të rinjtë të argëtoheshin, para se të hynin në botën e të rriturve. Çdo muaj, pasi që të paktën nja dhjetë herë refuzoja që të dilja me të në ndonjë ndejë, apo thjesht, për të dalë, më duhej që përfundimisht të pranoja, meqë më kërcënonte me sanksione, p.sh që të mos guxoja ta prekja gjysmën e saj të frigoriferit, ku përndryshe merrja çka të ma donte loçka. Në gjysmën e frigoriferit, i cili i takonte Hafijes, falë prindërve të saj, të cilët të paktën një herë në muaj e mbushnin atë me grykë, mund të gjeje me të vërtetë gjithçka.

Dhe, kështu, një ditë përfunduam në ndejën e koleges së saj nga fakulteti. Dhe, me gjasë gjithçka do të mbeste në atë ndejë të hareshme studentore, sikur atë mbrëmje të mos e takoja Atë. Ishte shoku i dikujt, te i cili sytë më shkonin automatikisht. Thjesht, nuk mundja të rrija pa e shikuar. Në fund ai më pa se e shikoja dhe më buzëqeshi. E ngriti gotën të cilën e mbante në dorë, duke ma ofruar një pije. Refuzova duke tundur kokën dhe duke bërë me kokë kah gota e plastikës, të cilën e mbaja në dorë. I thash se tanimë kisha marrë pije dhe iu falënderova për kujdesin, duke ia dhuruar një buzëqeshje nga thellësia e shpirtit tim. (vijon)

(Kosova Sot Online)