Roman dashurie: Sharmant apo romantik (6)

  • 04 May 2020 - 15:31
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (6)

Për një moment heshti, duke pritur që Sheqerja të reagonte. Por, ajo e shikonte drejt në sy, duke pritur me kureshtje vazhdimin, duke pyetur veten gjithnjë e më shumë athua ky mashkull sharmant e dinte se me çka merrej ajo. Pasi që Mirlindi pa se femra përballë tij nuk e kishte ndërmend të fliste, ai vazhdoi: - Gjëja është se atje nevojitet më shumë argëtim. Kumarxhinjtë, sidomos grekët, sjellin familjet e tyre, gratë, dashnoret, fëmijët, miqtë, të njohshmit. E, nëse të gjithë nuk janë të dhënë pas kumarit, atëherë ata mërziten. Ata që merren me kumar apo me baste, e kanë interesant 24 orë në ditë. Mjafton që ta kenë një tavolinë, një aparat të kumarit dhe, natyrisht, para, që të mos e hetojnë aspak kalimin e kohës. Por, çka me ata që kanë ardhur në përcjellje të tyre dhe që sillen nëpër hotel? Ai vend nuk është i banueshëm dhe, më duhet të pranoj, përkundër enterierit ekskluziv, hoteli si i tillë, nuk mund ta mbajë dikë që nuk luan kumar më shumë se 2-3 ditë. Për këtë shkak vendosa ta bëj një ndryshim dhe të fus ca përmbajtje argëtuese në atë vend.

Në kuadër të hotelit ka hapësira që janë të parapara për argëtim, sikur që është kabareja, salla e koncerteve, më pas salla e kinemasë dhe teatrit. Mua më nevojitet një person i cili do të bëjë diçka me këto hapësira, në përputhje me atë që më ofrojnë artistët e tjerë. Dua nga ju që ta pranoni punën që të m’i rregulloni ato hapësira, ashtu që aty të ndalet koha, e që stili të jetë ai i viteve 1930. E dua atë sharm. Sheqerja më nuk mundi të heshtte.

- Diçka jam duke marrë vesh. Idenë tuaj e kam të qartë, kuptoj çka dhe pse e dëshironi, por mendoj se këtë punë jeni duke ia ofruar personit të gabueshëm. Vetullat e trasha të Mirlindit u mblodhën tok. - Si mendon, e kam gabuar!? - Ju keni nevojë për një dekorator, e jo skenograf. Unë mund t’ua rregulloj skenën për shfaqje teatrale. Por, që t’ua rregulloj tërë ato hapësira për argëtim... - Doni të thoni se nuk jeni e aftë për këtë? Tani Sheqerja me të vërtetë u zemërua. Ishte e qartë se ky njeri nuk e dinte dallimin midis skenografisë dhe dekorimit të ambientit. - Me siguri unë jam e aftë që të bëj shumë gjëra, por jam duke ju thënë se nuk merrem me atë punë. Ka dallim! Mirlindi vetëm bëri me kokë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)