Roman dashurie: Sharmant apo romantik (8)

  • 06 May 2020 - 15:33
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (8)

Mendoni, lexojeni ofertën dhe ma bëni me dije vendimin tuaj. Por, ju lus që këtë ta bëni sa më parë, deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta di se a mund të gëzohem t’ju kem për bashkëpunëtore, apo do të më duhet ta kërkoj dikë tjetër. Në atë moment ai u ngrit, duke ia bërë me dije asaj se biseda kishte përfunduar. Të njëjtën gjë e bëri edhe Sheqerja, e më pas ia shtroi një pyetje: - E si do ta dini ju që unë mund ta kryej punën ashtu si dëshironi ju?

A më duhet më parë t’ua paraqes idetë e mia, e më pas të vendosni se a mund të bashkëpunojmë, apo jo? Mirlindi buzëqeshi, duke ia zgjatur dorën. - Jo, unë jua servoj punën të gatshme, në tabaka, pa kufizime dhe konfirmime. Ju thashë se kam pyetur shumë njerëz rreth juve, prandaj jam i sigurt se ju do ta bëni këtë punë më mirë se çdokush tjetër. Edhe ajo ia ktheu me buzëqeshje dhe, shkurt, e mbajti dorën e tij në të sajën. - Në rregull, do t’ua bëj me dije vendimin tim deri kah fundi i javës. - Brenda këtu e keni edhe vizitkartën time. Do të doja të bashkëpunonim, por nëse nuk vjen deri te kjo, sido që të jetë, më vjen mirë që ju takova. Derisa disa minuta më pas ishte duke zbritur shkallëve, iu duk sesi kjo ndërtesë megjithatë kishte shpirt.

KAPITULLI I PESTË

Për fat të mirë, gjatë kthimit për në shtëpi, i rastisi të udhëtonte me taksinë e një taksisti të heshtur, kështu që në qetësi mund të mendonte rreth punës që ia kishin ofruar. Disa herë e hapi dosjen, kureshtare që të shihte se çka gjendej aty, por për ta lexuar, priste që të shkonte në shtëpi, për t’i lexuar letrat që gjendeshin aty. Përgatiti një filxhan të madh të kafes dhe u ul në kauç, në ambientin i cili njëkohësisht ishte edhe dhomë e ditës, kuzhinë dhe dhomë e ngrënies. Pasi që i kishin vdekur prindërit, një kohë të gjatë nuk kishte ndërruar asgjë prej mobilieve, por pasi që në jetën e saj ishte futur Gëzimi, kishte vendosur të merrej me pamjen e shtëpisë së saj, duke e rregulluar dalëngadalë, në mënyrë që tani të ndihej komode në të. E hapi dosjen dhe e lexoi broshurën e hollë, por të qartë të kompanisë. Nuk gjeti asgjë të njohur, për të kumari ishte diçka e panjohur. Një hobi i cili disa njerëzve iu sillte para. Më pas e analizoi vizitkartën e Mirlindit. Ajo ishte e thjeshtë, pa lajle e lule, më e thjeshtë sesa që, sipas saj, do të duhej të ishte. Por, nga broshura pa se nuk bëhej fjalë për një kompani të vogël, e cila mezi mbijetonte, por për një kompani e cila iu kishte hyrë disa punëve të mëdha, me shumë vende evropiane. Më pas e mori letrën ku shkruante se çka pritej nga ajo. (vijon) 

(Kosova Sot Online)