Roman dashurie: Sharmant apo romantik (20)

  • 21 May 2020 - 15:29
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (20)

Atyre u ishin nevojitur pesë orë vozitje deri te vendi ku papritmas u shfaq hoteli. Kishte mbetur e habitur me vizën e saj që ishte në pasaportë, por nuk kishte bërë shumë pyetje. Mirlindi kishte lidhje të forta, por se nuk kishte edhe aq rëndësi se çfarë lidhje ishin ato. Ajo kishte mbetur e habitur me planin e ndërtesës e cila ishte në fund të një parkingu të madh, e rrethuar me gjelbërim. Sikur një fuqi e madhe e kishte vendosur gjithë atë objekt aty, thuajse ndërtesë midis asgjëkund. Aty në parking ishin disa dhjetëra vetura, që të gjitha me targa të huaja. Mirlindi u ndal në recepsion dhe një djalosh, ashtu i thatë, kishte vrapuar ta merrte valixhen e saj. - Mund të shkoni në drejtim të recepsionit, unë do të vij pas pak, vetëm sa ta parkoj veturën tuaj. Porsa u fut përmes dyerve të mëdha prej xhami, ajo u gjend në botën që nuk ishte edhe aq e njohur për të. Udhëtimet e saja të dikurshme me artistët ishin disi më të relaksuara.

Do të vendoseshin në disa hotele jo me luks të lartë, në një dhomë me disa artiste të reja, e në secilën dhomë që do të vendoseshin do t'ju dukej si një parajsë e vërtetë. Nëpër recepsione e prisnin disa fytyra ashtu të lodhura, e buzëqeshja e tyre do të shfaqej vetëm atëherë kur do të lajmërohej ndonjë aktor apo artist i njohur, derisa atë, skenografen në hije, do ta konsideronin më pak të rëndësishme. Ajo po e njihte botën e artit, e nga pak edhe botën e hoteleve, por jo një hotel si ky, në të cilin pikërisht tani kishte 'ateruar'. Në recepsionin e mermertë po e prisnin tri fytyra të qeshura. U kthye përreth vetes dhe po vështronte mermerin e hirtë dhe po ndjente fuqinë e këtij hoteli. Para se të kishte arritur te ata, tashmë po dëgjoheshin disa fjalë në gjuhën shqipe, për t'i uruar mirëseardhje. Kur më në fund Mirlindi i ishte afruar, po mbante në dorë çelësin/kartelën e dhomës. - A ju mjafton një orë pushim para se të zbrisni për darkë? - Natyrisht. - Atëherë do të takohemi këtu, pikërisht pas një orë kohë. Atë po e përshëndetnin edhe më me buzëqeshje. E kishte vërejtur se si Mirlindin po e pyesnin me shumë kureshtje dhe ishin të gjithë shumë të interesuar për të. Po e priste ashensori, e Mirlindi kishte hyrë pas saj.

- Dhoma juaj është në katin e dytë. Kishte shtypur së pari numri dy e më pas edhe numrin tre. Tash edhe ajo e dinte se në cilin kat gjendej dhoma e tij. Ishte ndjerë paksa çuditshëm në atë hapësirën e vogël, të mbushur me xhama. Ajo po shikonte në pasqyrë mashkullin që nuk po e hiqte shikimin nga ajo. Ajo e kishte ulur kokën, e skuqur, por kishte marrë frymë kur ashensori kishte ndalur. - Shihemi për një orë. Vetëm buzëqeshi dhe shpejtoi te dhoma dhe të mbetet vetëm. /vijon nesër/

(Kosova Sot Online)