Roman dashurie: Sharmant apo romantik (22)

  • 23 May 2020 - 16:21
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (22)

Por, pas disa minutave ishte zhytur në ujin e ngrohtë, ende duke i matur përshtypjet, nga buzët e saj i kishte dalë një fjali fëmijërore: - Po ndihem si mbretëreshë! KAPITULLI I TREMBËDHJETË Ajo ishte vonuar tashmë dhjetë minuta. Për këtë nuk ishte fajtore vetëm pastrimi në xhakuzi, por edhe fustani i bardhë, të cilin kurrsesi ta përshtatë te gjoksi i saj. Belin e kishte të hollë, fustani ishte i gjatë dhe e kishte të vështirë të përshtatej në të. Në këmbët e saj kishte mbathur sandalet e bardha me gur të kuq nëpër rripa. Flokët i kishte lidhur nga prapa, ndërsa me grim kishte theksuar ngjyrën e syve. Po e përcillte si hije nga prapa parfumi i saj i rëndë dhe i këndshëm. Mirlindi kishte qëndruar aty në recepsion, duke pritur.

Kur e kishte shikuar Sheqeren, u shtang, por i doli përpara. - Më fal se jam vonuar. Shpresoj të mos dëmtoj diçka në agjendën tuaj. - Jo, këtu nuk ekziston ndonjë rregull. Koha dhe unë jemi në shërbimin tuaj. Edhe pse ndoshta do ta kishim më të lehtë sikur të mos ia ngulim sytë njëritjetrit. - Edhe unë mendoj ashtu. E kishte dërguar nëpër hapësirat e hotelit. Aty ishin dy bare të bukura, një sallë e madhe me plot makina për bixhoz, si dhe disa tavolina, ku femrat dhe meshkujt po shpërndanin çipa. E tëra ishte ndërtuar me shumë shije, përderisa të gjithë të tjerët, me kënaqësi po përshëndetnin Mairlindin dhe të ftuarën e tij. Më pas e kishte dërguar në një restorant ku ishin ekspozuar gjellë të ndryshme.

Sheqerja nuk kishte mundur ta largonte shikimin nga zbukurimi i tyre, sallata, ëmbëlsira dhe pjekurina, të cilat asnjë furrë në botë nuk mund t'i gatuajë. - E ne do të darkojmë në një restorant special, i cili shërben për mysafirë specialë. Kishin kaluar përmes një palë dyerve me ngjyrë të kaltër dhe u gjendën në një ambient krejt tjetër. Në tavolinën e bardhë po qëndronin lulet e bukura, e po ashtu edhe qirinj, e në disa peceta ishte vendosur stema e hotelit. Kamerieri i priti me kënaqësi dhe ua kishte përzgjedhur tavolinën, edhe pse kjo për Sheqeren ishte e panevojshme, sepse pos tyre aty nuk ishte askush tjetër. - Me sa duket, këtu paska pak klientë specialë. Mirlindi po qeshte. - Ka, sa të duash, por sonte kam vendosur të jemi vetëm unë dhe ti. Tani ti je mysafiri më i rëndësishëm. Kjo ishte mundur të kuptohej me dy kuptime, por iu desh ta kuptonte ashtu si edhe e kishte menduar si në punë biznesi. Kishin darkuar lloje të ndryshme të peshqve, sallatë të këndshme dhe fruta deti. Kishin konsumuar verë vendore, ndërsa një gotë ia kishte ngjyrosur fytyrën, që nuk i kishte ikur Mirlindit nga sytë.


(Kosova Sot Online)