Roman dashurie: Sharmant apo romantik (30)

  • 31 May 2020 - 17:28
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (30)

Diçka në mendjen e saj ishte kundër Petritit, ndoshta për shkak se ai ishte disa vjet më i ri se ajo, apo pse ishte një sharmant nga rruga, një njeri i cili nuk mund ta përshkruajë punën e vet me një a dy fjalë, por që i duhen shumë fjali, me të cilat nuk thotë asgjë. Thjesht, ai ishte gjithçka që ajo nuk vlerësonte, i kalonte ditët duke mos bërë asgjë, i ngucte vajzat në rrugë, tregonte barsoleta të pista, e perspektiva për të nuk nënkuptonte ndonjë periudhë më të gjatë se një ditë. Por, ai e bënte të qeshte, afër tij mund të këndonte edhe pse e konsideronte veten si personin më pak muzikor në botë, mund të fliste çka t’i binte ndërmend, bile edhe të shante, kur merrte në thua duke ecur nëpër kalldrëm. Me Mirlindin ishte çdo gjë sikur në film, gjithandej kishte qirinj, dëgjohej një melodi, zhurmat e natyrës, pëshpërimat e epshit. Petriti ia kujtonte dashuritë e para, kalimtare, të rinisë, e Mirlindi ato më të vonshmet, më të rrezikshme dhe më të qëndrueshme.

KAPITULLI I NJËZETENJËTË

E lejoi edhe një herë që të provonte në veturë, para banesës së saj, që t’i zgjonte te ajo epshet dhe dëshirat. Ishte e sigurt se Mirlindit nuk ia kishte borxh atë që të ishte besnike ndaj kujtimeve, por ende hamendej, bile edhe kur hetonte se duart e saja përgjigjeshin ndaj ledhatimeve në trupin e Petritit, në ato vende të cilat ishin të ndaluara për të pasigurtët. - Nuk e di se çka ndjen. Por, mua më duhet të të them se të dua. Ajo e shikoi, duke parë se, nga puthjet e shumta, buzët i ishin bërë më të bujshme. - Edhe unë të dua ty, por nuk jam e sigurt se çka është duke më ndodhur. Sikur të kishte diçka që më pengon të të ftoj në banesën time. - Bëhet fjalë për dikë tjetër, apo jo? Nuk mundej as të pohonte, e as të mohonte. Vetëm e uli kokën, që ta evitonte shkëlqimin e syve të tij. - Më fal! Nuk jam nga ato femra që bëjnë naze dhe bëhen sikur janë të vështira që të dorëzohen. Ti më tërheqë, por sikur mungon diçka. Nuk e di se çka. Ai u largua dhe u ul në kolltuk, duke shikuar pa interesim diku larg. - Petrit? A u zemërove në mua, a? - Jo, nuk është se jam zemëruar. Jam disi i zhgënjyer. Këtë e kisha paramenduar krejt ndryshe. Por, tani më duket se paskam pritur tepër nga ti. Kisha pritur që të ma largoje mërzinë nga lidhjet e pakuptimta të miat, që i kam pasur deri më tani. (vijon)

(Kosova Sot Online)