Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (4)

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (4)

Të nesërmen shkova te mjeku im i përgjithshëm dhe bisedova me të rreth problemit të Renatës. - A mund të bëj ndonjë gjë për t'i ndihmuar bashkëshortes? - Bashkëshortja juaj ka nevojë për ndihmë profesionale, në spital, në lidhje me lënien e alkoolit, krahas terapisë grupore apo ndihmës së ndonjë personi të afërt. Bashkëshorti mund të jetë një njeri ideal për ndihmë dhe mbështetje në këtë drejtim, nëse marrëdhëniet midis bashkëshortëve janë të mira, por me sa munda të kuptoj, ju pjesën më të madhe të kohës e kaloni në punë. - Po, më duhet të punoj, e kemi edhe një fëmijë të vogël, për të cilin përkujdeset nëna ime - i thashë. - Nuk mund ta lë punën, e përpos kësaj, raporti midis meje dhe gruas nuk është më i miri i mundshëm. Pak-nga-pak, sikur raporti midis nesh ka ardhur duke u ftohur. Nuk e di, ndoshta edhe unë e kam fajin... - Kuptoj - tha, e më pas disa minuta mendoi pa bërë zë. - Nuk e njoh aq mirë gruan tuaj. Ajo ishte te unë vetëm një, a dy herë. por, unë mund ta këshilloj atë që të kërkojë ndihmë te një koleg imi, që është psikiatër. Ndoshta do t'i ndihmonte psikoterapia. Por, më së shumti rëndësi ka që nga shtëpia juaj ta largoni çdo pije alkoolike.

Dola nga zyra e mjekut, thuajse i sigurt se nuk do t'ia dal t'i ndihmoj Renatës. Kisha të drejtë edhe kur mendoja se nuk do t'ia dilja ta bindja që të shkonte në psikoterapi. Mezi arrita ta bindja që të shkonte ta bënte, të paktën, një vizitë te psikiatri, të cilën ia kishte preferuar mjeku i praktikës së përgjithshme. Por, rezultati nuk ishte i tillë sikur që kisha shpresuar se do të ishte. Ajo filloi t'i merrte tabletat të cilat ia kishte përshkruar mjeku, por nuk iu përmbahej udhëzimeve të tij në lidhje me sjelljen dhe evitimin e alkoolit, prandaj krizat e saj nervore vetëm sa u përkeqësuan edhe më shumë. Në shtëpi nuk kishte alkool, por ajo çdo mbrëmje kthehej gjithnjë e më vonë - edhe atë e dehur. Përsëri shkova të bisedoja me mjekun, i cili kësaj here haptazi më tha se problemi i Renatës do të zgjidhej me vështirësi, apo edhe nuk do të zgjidhej fare, nëse ajo nuk pranon që ta lërë alkoolin me anë të ndihmës profesionale. U ktheva në shtëpi i humbur: nuk dija çka të bëja. Iu drejtova nënës për këshillë, e me atë rast edhe babai mori vesh rreth problemit të Renatës. Dhe, përsëri prindërit e mi më ndihmuan duke pyetur në disa qendra për shërimin e alkoolikëve.

Në fund, mezi arrita ta bindja Renatën, duke e kërcënuar edhe me marrje të përkujdesjes ndaj vajzës, që të paraqitej në repartin e mjekimit të alkoolikëve, si dhe të përfshihet në terapinë grupore. Por, për dallim nga të tjerët, të cilët donin të shëroheshin, Renata kishte problemin se ishte tepër indiferente ndaj të gjitha problemeve të saj. Tre muaj e çoja në repartin për mjekimin e alkoolizmit, por pa rezultate. E vetmja gjë që thoshte ajo ishte fajësimi dhe kritikat ndaj terapisë grupore, ndaj mjekut që ia kishte preferuar atë dhe, natyrisht, ndaj meje, për shkak se e kisha detyruar që të shkonte aty. Kur një pasdite arrita në spital, ajo doli nga shoqëri të një gruaje rreth 30 vjeç të vjetër. Më shkoi ndërmend që të dyja t'i thërrisja në picë, duke shpresuar që Renata, nëse rri me dikë, megjithatë do ta vazhdonte pjesëmarrjen në terapi. Derisa prisnim kamerierin që t'i sillte picat e porositura, një grua e re, e cila quhej Jetmira, filloi spontanisht të fliste rreth vetes. (Vijon) 

(Kosova Sot Online)