Ngjarje e vërtetë: Ish i dashuri donte të ma shkatërronte martesën (7)

  • A.P /
  • 15 September 2020 - 15:37
Ngjarje e vërtetë: Ish i dashuri donte të ma shkatërronte martesën (7)

Ditëve në vijim, falë jetës sime sekrete të dashurisë, u bëra e lehtë si zogu në hava. Derisa Demiri u kthye nga udhëtimi zyrtar, unë e ndryshova stilin e flokëve, për herë të parë pas kushedi sa vjetësh e përtëriva gardërobën dhe, me ndihmën e një punëtoreje të kozmetikës, në afat rekord i mësova të gjitha sekretet e grimosjes, të cilat kurrë nuk i kisha ditur. Kuptohet se, ashtu e ndrequr, ia dola që të dilja edhe dy herë me Metin, i cili nuk e fshehte ngazëllimin në lidhje me pamjen time të re. - Je e mrekullueshme, dashuri. Nuk mund të t’i shkoqi sytë – më thoshte ai vazhdimisht derisa unë, gjatë atyre ditëve të mungesës së Demirit, shkrihesha në përqafimin e tij në atë dhomë hoteli, pa pikë brejtje të ndërgjegjes. - O Zot, Shpresë! Çka të ka bërë vaki? Paske ndryshuar plotësisht – më tha burri im Demiri, me t’u kthyer nga udhëtimi, duke i hapur sytë.

– Më duhet të pranoj se u befasova për të mirë. Tani je një person krejt i ri – konstatoi ai, duke më shikuar i impresionuar, tërësisht i pavetëdijshëm se komplimentet e tij më nuk kishin kurrfarë rëndësie për mua. - Asgjë të veçantë nuk kam bërë. Vetëm e kam ndryshuar stilin e flokëve dhe i kam zbardhur pak ato – iu përgjigja me një mosinteresim të plotë, duke marrë celularin, ku sapo më erdhi një mesazh. „Nuk më hiqesh dot nga mendja. A mundesh sonte, për pak minuta, të ikësh nga shtëpia? Të pres në kohën e njëjtë, në vendin e njëjtë. Vetëm i yti, përjetë “ – mesazhi i Metit ma shkaktoi një buzëqeshje në fytyrë. Pasi që Demiri më pyeti çka kisha, menjëherë e fshiva mesazhin. - Një shoqe e punës. Vazhdimisht më mërzitë duke më thënë pse nuk shkoj te ajo, për ta pirë një kafe – e rrejta duke i rrotulluar sytë, pa e lënë atë të më bënte pyetje të tjera. - Dhe, pse nuk e viziton? Do të të bënte mirë pak relaksim. Edhe unë kam punë dhe, fundja, mjaft ke punuar sot – mu përgjigj Demiri, kurse mua mu ngrit adrenalina. Dukej se çdo gjë do të shkonte më lehtë sesa që kisha menduar. U ndjeva tepër i gëzuar që sërish m’u dha rasti të takohesha me Metin. - A di çka? Ke të drejtë. Vajzat edhe ashtu janë në shkollë, e darka është në frigorifer. Po shkoj të ndreqem dhe, më pas, po shkoj te shoqja – thash duke u ngritur me të shpejtë nga tryeza, duke mos e lënë Demirin të thoshte ndonjë gjë. Një orë më vonë, derisa të lodhur dhe të djersitur qëndronim të përqafuar në shtrat, Meti më propozoi diçka për të cilën, më duhet të pranoj, nuk isha aspak e gatshme në atë moment. - Të dua, Shpresa, të dua shumë. Do të doja të të lëmoja dhe puthja sa herë që ta ndjeja nevojën. Do të doja të zgjohem pranë teje. Më nuk dua të të ndaj me askënd – më tha, duke më kthyer kah vetvetja dhe duke më shikuar me ngulm. - Met, ti e di se unë të dua, por kam frikë se një gjë e tillë nuk është e mundur. Aty është Demiri, janë edhe fëmijët. Ti e di se nuk do të mund t’i lija hajt, vetëm ashtu – thash me një ndjenjë të pakënaqësisë edhe pse propozimi i Metit në atë moment nuk është se nuk më pëlqente. Do të ishte e mrekullueshme që përsëri ta ndjeja eksitimin e një fillimi të ri…

- Kush po të thotë se duhet t’i lësh fëmijët? Leje Demirin, e ti me fëmijët ejani te unë. Nuk ke nevojë të më përgjigjesh menjëherë. Vetëm më premto se do të mendosh rreth kësaj. Do të të pres sa të ketë nevojë – insistonte ai, e më pas buzët e tij përsëri u bashkuan me buzët e mia. Sado që kisha menduar që Meti dhe unë me mjeshtëri e kishin fshehur lidhjen tonë, nuk kaluan shumë ditë, e në punë u binda se kisha gabuar rëndë. Në këtë më bindi biseda me një kolege. (vijon) 

(Kosova Sot Online)