Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (21)

  • E.K /
  • 03 tetor 2020 - 16:18
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (21)

E shikonte Drenin dhe pyetej pse fati ishte duke e munduar kështu. Pranë tij qëndronte një femër zeshkane dhe vërehej se midis saj dhe Drenit kishte diçka, meqë dora e saj vazhdimisht e prekte supin e tij. Përpos disa thinjave në flokë, te ai nuk kishte ndonjë ndryshim tjetër, të rëndësishëm. Mund t’i kishte shtuar disa kile, por edhe ato i rrinin mirë. Genta e vërejti ndryshimin në fytyrën e Ganes. – Çka ndodhi? A po e njeh ndonjërin nga ta, a? – Të lutem thirre kamerierin, duhet të shkojmë. – Çka u bë? Pse? – Të gjitha do të t’i them, por jo tani, të lutem.

Duhet të largohemi sa më parë. Genta më nuk bënte pyetje, e thirri kamerierin me një të lëvizur të dorës dhe e bënë pagesën. Ganja vetëm shpresonte që të kalonin para dy çifteve, e që Dreni nuk do t’i vërente ato. Sapo ajo u ngrit me shpejtësi, ai u kthye, duke shikuar me kureshtje. Shikimet iu takuan dhe ai u befasua sinqerisht. Ai shikim i ndërsjellë zgjati disa sekonda, por nuk treguan se njiheshin. Ajo doli jashtë dhe thuajse duke vrapuar u largua, duke e detyruar edhe Gentën që të vraponte. Në hotel ia tregoi të gjitha asaj, duke ia qarë hallin dhe duke vajtuar. – Nuk duhej të vija. E dija se isha duke gabuar. – Gane, ndoshta kjo është mirë. Fati nuk të servon asgjë pa ndonjë arsye. – Fati dëshiron që unë të vuaj! Shoqet biseduan deri vonë, natën, por ngushëllim nuk gjetën.

KAPITULLI I NJËZETENJËTË

Të nesërmen Genta ndiente dhembje të muskujve. Kur u desh që të niseshin në shëtitjen e rëndomtë të pasdites, Genta tha se do të donte të qëndronte në dhomë, në mënyrë që të mundej të dilte bashkë me Gentën në mbrëmje. Për këtë shkak Ganja vendosi që vetë të shkonte për ta blerë gazetën. Njerëzit kënaqeshin në atë pasdite të nxehtë dhe shëtisnin si buburreca. Ganja tanimë i njihte disa prej tyre, të cilët tanimë i kishte takuar disa herë. E, më pas pa një fytyrë të njohur. Ai shkonte në drejtim të saj. Serioz, i bukur, i hijshëm. Nuk dinte si ta evitonte. U gjendën pak hapa larg njëri-tjetrit dhe u ndalën. Asaj i dridheshin këmbët. – E pabesueshme që takohemi përsëri këtu. Përshëndetje, Gane. – Përshëndetje, Dren. – Mbrëmë, kur të pashë, mu duk sikur ëndërroja. Tani e di se nuk paska qenë ëndërr. – Ankth, apo jo? – Varet për kë. Për mua jo, edhe pse do të duhej. Ajo e pa se si ai e vështronte unazën e saj të fejesës. – Unaza nuk bartet në atë dorë. – E di. Ende nuk jam martuar. – Vërtet? – Por, do të martohem në vjeshtë. (vijon)

(Kosova Sot Online)