Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (2)

  • A.P /
  • 09 October 2020 - 18:03
Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (2)

Tregimi ishte shumë i prekshëm, por pse vendosi të ma tregonte në spital, mu më momentin kur e pa vajzën tonë për herë të parë, kuptova vetëm pasi e përfundoi atë. - Duke qenë se vogëlushja i ka flokët si të gjyshit tim, e ai gjatë jetës së tij preferonte emrin Olta, atëherë mendoj se do të duhej t’ia venim mu atë emër – Olta. Më kujtohet sesi isha e hutuar dhe sesi e shikoja e pafuqishme në atë moment. Olta... Nuk është se ky emër më dukej i keq, larg asaj, por unë, që nga muaji i katërt i shtatzënësisë, prej se kisha marrë vesh se fëmija ishte vajzë, kisha menduar për emrat si, Hana, Merita, Eda. Olta? Jo, përfundimisht kjo nuk ishte përzgjedhja ime.

- Do të jetë Olta! – përfundoi Besniku plot krenari, duke shikuar si i hipnotizuar vajzën tonë. - Olta, bukuroshe mbi bukuroshe! Gjithmonë do të jesh më e bukura nga të gjitha dhe kurrë askush nuk do të jetë i denjë për ty! Asokohe nuk shihja asgjë shqetësuese në fjalët e tij. Çdo baba mendon ashtu për vajzën e tij, apo jo? Vetëm pas shumë vitesh, kur i analizoja këto fjalë, kuptoja se fjalët e tij ishin si një lloj mallkimi. Olta me të vërtetë u bë bukuroshe, sikur që kishte parashikuar babai i saj. Bile, bukuria e saj ishte e tillë sa që nuk mund të kalonte pa u hetuar. Megjithatë, ajo që mua më shqetësonte gjithnjë e më shumë, ishte karakteri i saj. Edhe pse me të gjitha fuqitë isha munduar që ta bëja atë të ishte modeste, e mirë dhe e sjellshme, ndikimi i Besnikut kishte mbizotëruar. Olta ishte e bukur, por e papërmbajtur, kokëfortë dhe arrogante. Edhe pse kjo ishte evidente edhe derisa ajo ishte vajzë e vogël, problemet e vërteta filluan pasi që ajo hyri në pubertet dhe kur filloi t’i rendiste dështimet e saj në dashuri. Dini, pas të cilit çmendej kur kishte shtatëmbëdhjetë vjet, ishte dëshpërimi i saj i parë në dashuri. Pas tij pasoi lidhja me Petritin, më pas me Trimin e edhe me Mirin. Të gjitha lidhjet përfundonin ashtu që Oltën e linte i dashuri.

- Çka kanë këta idiotë? Pse më lënë? Në vend që t’i falënderohen Zotit që dikush si unë dëshiron t’ua hedhë sytë, ata ma kthejnë shpinën. Ja, tani edhe ky budallai më la. Nënë, çka është duke ndodhur? Sikur të isha e mallkuar! E shikoja me keqardhje vajzën time, duke u munduar të gjeja fjalë me të cilat nuk do ta zemëroja edhe më shumë. - Më dëgjo, zemër – fillova ngadalë. - Ti je një vajzë tepër e bukur. Një bukuroshe e vërtetë. Kushdo që të sheh, mbetet i magjepsur nga bukuria jote. Nuk kalon asnjë ditë e të mos dëgjoj komplimente në lidhje me pamjen tënde... Olta më dëgjonte me vëmendje. Dukej sikur fjalët e mia ishin për të melhem në plagë, në shpirtin e saj të plagosur, prandaj i dëgjonte me vëmendje të madhe. - Pra, pamja jote nuk është dhe nuk mund të jetë fajtore kur flitet për dështimin e lidhjeve tua të dashurisë. Këtu ajo u pajtua, duke pohuar me kokë. - Megjithatë, diku ekziston një problem – vazhdova unë me kujdes. - Po, natyrisht se ekziston: te ata idiotë! – bërtiti ajo, duke hequr flokët që i kishin rënë në sy. - Është e mundshme – thash ngadalë. – Por... - Çka, “por”? - Ndoshta ndonjë problem qëndron edhe te ti – përfundimisht mora guximin që ta thosha të vërtetën.

- Në mua? – tha ajo me ironi, duke bërë me duar kah vetja e saj. – Problemi qëndron te unë?! - Po, zemër. Te ti – përsërita me vendosmëri pohimin tim të thënë pak çaste më parë. Në fakt, faji ishte i tëri i imi, mendoja derisa e shikoja sesi i rrotullonte sytë dhe ofshante. Unë kisha bërë një lëshim të tmerrshëm. Kisha dështuar si nënë. Nuk ishte dashur që ta lejoja Besnikun që ta edukonte vajzën sipas kritereve të tij, që ta llastonte atë, t’i mbillte në kokë bindje të gabuara. Nuk ishte dashur që pa thënë gjë t’i dëgjoja fjalët e tij, duke e bindur vajzën se si ajo nuk kishte njeri në botë dhe se ndaj të gjithë të tjerëve duhej të sillej si ndaj shërbëtorëve. (vijon)

(Kosova Sot Online)