
Lexoni edhe:
Burjani: Vjosa Osmani është një shpresë që së paku e rrit LDK-në
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Një zonjë dhe ish-presidente, e cila kërcen nga partia në parti dhe pikërisht në prag të fushatës zgjedhore të votimeve të 7 qershorit, mban edhe fjalime të dyshimta propagandistike, për mendimin tim gjysmë-legale, si ai në të ashtuquajturin "Tubim i Ri-Bashkimit" me LDK-në, ku Vjosa Osmani ka hedhur akuza jashtëzakonisht të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti, si ajo për "rrezikimin e shtetit", nuk promovon thjesht strategji personale për rritje elektorale dhe vetëm për të marrë më shumë vëmendje politike për vete, por në realitet ajo penalizon drejtpërdrejt edhe vetveten, ngase nëse vërtet kishte veprime të kryeministrit "kundër shtetit", por megjithatë zonja Osmani, si e para e vendit, me vetëdije nuk ka ndërmarrë asgjë kundër, e madje edhe i ka heshtur "qëllimisht" veprimet e supozuara, ajo, pa asnjë meditim të mëtejmë, duhet të akuzohet dhe vendoset urgjentisht para drejtësisë për shkeljen e Kushtetutës dhe bashkërrezikimin e Republikës së Kosovës në koketim me të tjerët.
Burjani: Vjosa Osmani është një shpresë që së paku e rrit LDK-në 
Lexoni edhe:
-Ndryshe, nuk duhet lejuar që Vjosa Osmani, vetëm pse u dëshmua se posedon pasuri të përmasave të pabesueshme, deri te shtëpitë marramendëse edhe në kontinente tjera, deri nga më të largëtat e rruzullit tokësor si Australia, origjina e së cilës, në rrethanat e gjendjes në Kosovë, nuk është e lehtë të arsyetohet, dhe miratimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pa postin e lartë të presidentes, nuk garanton amnisti institucionale as për zonjën Osmani, ligj që mund ta prekte edhe vetë atë. Pasi nuk u rizgjodh presidente, ajo, 5 vite më vonë, shfrytëzon eventin partiak të LDK-së për të përrallisur se kinse kryeministri paska bërë veprime kundër shtetit, por përkundër obligimit kushtetues e ligjor, edhe ajo i paska heshtur ato, ngase kjo heshtje përbën vepër penale.
Të kritikohet kryeministri nga ish-presidentja e katapultuar nga vetë ai dhe LVV në krye të shtetit, pa ofruar asnjë argument për veprime "kundër shtetit", i vetmi kryeministër që në historinë e pasluftës dhe mbi 23 vite pas çlirimit nga Serbia okupatore, përkundër kundërshtimeve të jashtëzakonshme të brendshme dhe të jashtme, kur edhe kjo ish-presidente e akuzonte atëbotë kryeministrin se po luante bixhoz me shtetin, ai ka arritur ta shtrijë sovranitetin e Kosovës cep më cep dhe të vendosë rend e ligj në tërë hapësirën gjeografike të saj, është vërtet akt i rrezikshëm dhe i dënueshëm penal, me të cilin duhet të merret urgjentisht prokuroria e vendit.
Sa i takon Vjosës si ish-presidente, unë personalisht, dhe jo vetëm, kemi qenë nga fillimi mbështetësit më të palëkundur të saj, por duke parë kaosin e krijuar nga ish-presidentja, shihet hapur se krejt kjo lojë e orkestruar zhvillohet për interesa personale dhe jo për shtetin, dhe pas veprimeve konspirative që ajo ndërmori kohëve të fundit, shumica prej nesh jemi kthyer në kundërshtarë dhe as që do ta votojmë më Vjosën, edhe po të kandidonte ajo çdo muaj për poste të larta shtetërore e institucionale, megjithëse në sytë tanë e vlerësonim Vjosa Osmanin si figurë të devotshme për të parën e shtetit, pasi ajo ndryshoi për 360 shkallë, siç po e dëshmon vetë përditë në promovimet e saj të çuditshme paraelektorale.
Fatkeqësisht, zonja Osmani, me deklaratat e saj të dyshimta publike, ka filluar ta kontaminojë edhe atmosferën politike në vend, veprime të cilat u sjellin dëme të pariparueshme edhe interesave të shtetit të Kosovës. Ndaj, parë realisht, neve si qytetarë dhe shtetas të Republikës së Kosovës, me perceptim të formësuar elektoral, nuk na impresionon aspak fjalamania demagogjike e politikanëve arrivistë, siç e promovon veten ish e adhuruara jonë për presidente të vendit, zonja Vjosa Osmani, për veprimet e së cilës nuk kemi më jo vetëm simpati, por nuk kemi as mirëkuptim.
Si arsyeja konspirative e kritikës, ashtu edhe vetë mënyra dubioze e sjelljes së saj publike dhe të ngjashmëve, dëshmon se për interesa individuale, Vjosa & Co. janë në gjendje të shkelin mbi gjithçka, madje edhe mbi normat e të vërtetës universale, duke mos hezituar të shpifin publikisht e të përdhosin edhe parimet e shtetësisë së Kosovës, që për ne si qytetarë, të përkushtuar jo për politikën ditore, por për shtetin e Kosovës, i cili nuk është sferë e lojërave partiake, por arritje e shenjtë kombëtare, vazhdimësia e tij duhet të mbrohet me çdo kusht, edhe me votën demokratike të sovranit, pra të popullit të vendit tonë.
Sjelljet e papritura të politikanëve vendorë me "reputacion", si Vjosa, të cilët kishin fituar edhe simpatinë e qytetarëve, duke abuzuar me funksionet e larta shtetërore që paraprakisht mbajtën dhe keqpërdorur fjalën e lirë nëpër evente partiake e tubime paraelektorale, po dëshmojnë katërcipërisht se armiqtë e shtetit të Kosovës nuk kanë nevojë të shpenzojnë shumë energji, as të vënë në përdorim kosto të larta financiare për ta luhatur qëndrueshmërinë politike dhe dëmtuar mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës, ngase punën e tyre po e bëjnë me shumë besnikëri argatët vendorë, që për fat të keq flasin edhe gjuhën e popullit, të cilin edhe 27 vite pas çlirimit po mundohen ta keqpërdorin e mashtrojnë publikisht për egot e sëmura personale dhe interesat e veta karrieriste.
Kurti është i vetmi kryeministër që ka vendosur rend e rregull, ka siguruar të ardhura personale për të gjitha shtresat e popullsisë, që nga nënat lehona deri te fëmijët e porsalindur dhe, përkundër problemeve të theksuara me drejtësinë e kapur, po vazhdon ta luftojë me sukses edhe korrupsionin e krimin e organizuar në vend, që nga keqpërdorimet në administratë e institucione dhe krimet ekonomike, e deri te sistemi i fajdeve dhe luftimi i drogës e narkomafisë anë e mbanë Kosovës. Kryeministër që për herë të parë nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm ka arritur ta çojë deri në fund mandatin e tij qeveritar, duke vendosur Kosovën në vend të parë në Evropë për rend e ligj dhe duke fituar edhe zgjedhjet e lira demokratike tri-katër herë radhazi me rezultate impresionuese deri në nivelin prej 51.11% të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Prandaj, një kryeministër si ky të akuzohet kaq rëndë nga një politikëbërëse shëtitëse që kërcen si parashutiste nga një parti e vjetër tradicionale në një segment të "ri" politik si LVV dhe pikërisht me ndihmën e kryetarit të kësaj partie, Albin Kurtit, bëhet presidente e vendit për pesë vite me radhë, vërtet është vetëvrasje në mënyrën më tragjike të mundshme, për të mos thënë edhe çmenduri e paprecedentë politike, shkaqet e së cilës kanë nevojë të analizohen hollësisht edhe në mënyrë psikologjike dhe domethëniet e përqasjeve të saj të hulumtohen deri në imtësi profesionale nga prokuroria, veçanërisht kur ato vijnë nga një ish-bashkëpunëtore e ngushtë dhe koautore koherente e bashkëdrejtimit të shtetit për 5 vite radhazi me vetë kryeministrin Albin Kurti, të cilin ajo e akuzon vetëm pas përfundimit të mandatit dhe mosrizgjedhjes së saj për presidente.
Ndryshimi i papritur i qëndrimeve të saj na bën të gjithëve të dyshojmë se, po të rizgjidhej përsëri në postin e të parës së shtetit, zonja Osmani do t’i heshtte edhe akuzat ndaj kryeministrit, akt që përveçse i pamoralshëm është edhe plotësisht i papranueshëm, i cili prodhon mëdyshje të mëdha se e njëjta, për mbrojtjen me çdo kusht të pasurisë së saj të dyshimtë deri në Australi dhe egos personale e karrierës individuale, është në gjendje që nesër të luajë edhe me interesat e shtetit të Kosovës, siç luan sot në mënyrë kaq amorale me dhuratën e para pesë viteve nga VV, kur ky segment politik katapultoi Vjosa Osmanin në pozitën e të parës së shtetit, pa qenë anëtare e kësaj partie, as pa pasur parti të vetën të fuqishme pas vetes, e cila mund t’ia siguronte asaj postin më të lartë shtetëror, si ai i presidentes, veprim që pa asnjë mëdyshje mund të konsiderohet edhe si "sui generis", veçanërisht në rrethanat aktuale politike të mospajtimeve tipike për (mos)zgjedhjen e presidentit/es të Kosovës.
Për aq më keq, vetë etika e këtyre kritikave, qoftë edhe në kontekstin e marrëdhënieve të mëparshme politike mes Osmanit dhe Kurtit, derisa po ky kryeministër e avancoi dhe e bëri atë edhe presidente të vendit, duke qenë se po këta të dy për 5 vite me radhë ishin edhe dy figurat kryesore të kupolës së shtetit, do t’i kushtojnë shtrenjtë edhe imazhit të vendit dhe perceptimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, dëme që jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në politikën e jashtme janë shumëdimensionale dhe pothuajse të pariparueshme për kohë të shkurtër. Ndaj, detyrë nga më imediate të prokurorisë së shtetit mbetet shqyrtimi urgjent i këtyre akuzave dhe marrja në pyetje e ish-presidentes dhe e kryeministrit, e nëse vërtetohen aktakuzat, të mos u lejohet më kandidimi as marrja me politikë, njërit as tjetrit, në mënyrë që Republika e Kosovës përfundimisht të çlirohet nga politikbërës të dyshimtë dhe vendi të mos udhëhiqet më nga politikanë që e rrezikojnë shtetin tonë.
Deklaratat publike të Vjosa Osmanit e bëjnë edhe më akut shqyrtimin ligjor e kushtetues të vërtetësisë së akuzave të lëshuara në evente partiake dhe vënien urgjente para drejtësisë të personave përgjegjës, qoftë ajo edhe Vjosa Osmani, nga prokuroria institucionale e shtetit të Kosovës, për vetë faktin se, nëse gaboi kryeministri, pse ajo si presidente e vendit ka lejuar një gjë të tillë, pse ka heshtur deri më tani dhe a mos vallë ndoshta Vjosa Osmani paska bashkëpunuar edhe vetë në rrezikimin e shtetit bashkë me kryeministrin, apo vetëm për motive elektorale ajo guxon t’ia lejojë vetes të shkojë deri atje sa tani të shpërndajë edhe shpifje publike dhe akuza të pabazuara, si veprimet e supozuara "anti-shtet" nga persona institucionalë dhe funksionarët më të lartë shtetërorë, deri te vetë kryeministri i vendit, të cilat, nëse vërtetohen, që të dy menjëherë duhet të përfundojnë në pranga dhe të vendosen prapa grilave, në mënyrë që ky vend përfundimisht të lirohet nga udhëheqës që guxojnë ta rrezikojnë vazhdimësinë e shtetësisë dhe politikanë që me veprimet e tyre "kundër shtetit" kërcënojnë seriozisht qëndrueshmërinë e pavarësisë dhe ekzistencën e Republikës së Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".