Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (4)

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 17:11
Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (4)

Ia bëra me dorë. Përnjëherë u ndjeva e lodhur dhe nuk kisha fuqi për vazhdimin e një bisede të këtillë. Dorën në zemër, te unë në njërën anë ekzistonte dashuria amtare, e cila donte të bënte gjithçka për t’i ndihmuar fëmijës së vet, por në anën tjetër te unë kishte lindur një rezistencë e thellë ndaj tretmanit të cilin nuk e meritoja. - E, tani çka? A është kjo tërë ajo që ke për të më thënë? Apo, më mirë, mos më trego fare! – insistonte që ta vazhdonte bisedën, por unë tanimë ia kisha kthyer shpinën. Pa fjalë dola në korridor, mora pallton nga varësja dhe dola jashtë. Derisa ecja rrugës së lagtë, të cilën e kishte larë një rrebesh pranveror shiu, fillova ta ktheja prapa “filmin” në kokën time.

Sa kohë kishte që kisha duruar këtë çmenduri të Oltës për shkak të dashurive të saj të pafat? Tri vjet? Katër? Sido që të ishte, kisha duruar tepër. Sapo hipa në autobus, i cili duhej të më çonte në lagjen ku jetonte motra ime, më cingëroi celulari në çantë. Ishte burri im dhe, ishte i zemëruar. - Çka je duke bërë përsëri kështu? - Urdhëro? – me shuplakën e njërës dorë mbylla veshin tjetër, për ta dëgjuar më mirë atë. Zhurma në autobus ishte aq e madhe, sa që nuk isha e sigurt se e kisha kuptuar mirë. - Të pyeta çfarë dreqin ke? Pak më parë më thirri Olta, e cila qante pa ia nda. Më tha se e kishe akuzuar duke i thënë se ajo e kishte fajin që e kishte lënë i dashuri.

A je normal ti, mori? Falë Zotit që ajo e hoqi qafe atë budalla. Dhe, në vend se edhe ti t’i thuash kështu, ti ja nxitë ndjenjën e fajit. Nuk mund të besoj! - Ti Besnik, je një... – fundi i fjalisë nuk u dëgjua për shkak të zhurmës së madhe. - Çka? - Të thash se je një... – autobusi sërish bëri zhurmë dhe unë e ndërpreva fjalinë. Kësaj here ai me gjasë do të më dëgjonte mirë kur t’i thosha se është një budalla i madh, por po ashtu do të më dëgjonte edhe tërë autobusi. - Mori – zëri i Besnikut ishte ende tepër nervoz. - Ti ia shkatërron nervat njeriut! Dhe, ku je duke shkuar tani? Unë shpejt do të kthehem në shtëpi. - Mirë – i thash, e në vete konstatova se nuk mërzitesha fare ku shkonte ai. Tërë jetën isha munduar që ta prisja në shtëpi, me drekë të nxehtë, por tani papritmas asgjë nuk kishte rëndësi për mua. Fakti që ai më trajtonte si të isha një mobilie e shtëpisë, si dikush që nuk ka të drejtë për mendimin e vet, këtë edhe mund t’ia falja. Por, atë që ia kishte bërë vajzës sonë, kjo ishte e pafalshme. Nga një vajzë të bukur, ai kishte bërë një krijesë e cila, për shkak të mendjemadhësisë së saj, kurrë nuk do të ishte e lumtur. - Çfarë befasie! Shiko kush na erdhi! – motra ime Renata më përqafoi me gëzim dhe me të shpejtë më futi brenda.

Pas fjalëve të saj shumë shpejt u paraqit edhe burri i saj. Ata më pritën me buzëqeshje, e më pas fytyrat e tyre u ngrysën pasi që unë ia krisa vajit. - Shiko, unë të kuptoj plotësisht – tha Renata pasi që ia tregova hallin tim. - Ti e di se sa e dua Oltën, por do të të rreja sikur të të thosha se nuk e kam vërejtur atë mendjemadhësi të saj. Ti e di se, në një rast, këtë edhe ta pata thënë në sy – më tha ajo, e unë e konfirmova me një të tundur të kokës. Më kujtohej. - E di se ti nuk ia ke shkaktuar këtë – më tha, duke ma kapur dorën. – Neve prindërit gjithmonë na kanë mësuar që të jemi të sjellshme, modeste dhe të përulura. Ndoshta edhe e kanë tepruar në këtë drejtim. Por, në anën tjetër, më mirë kështu, sesa që të na e rrisnin mendjen. Nuk kuptoj sesi Besniku nuk sheh se, duke i mbjellë në kokë ide të tilla, vetëm sa e dëmton vajzën. Burri im i çmendur nuk shihte asgjë, kjo ishte e vërtetë. Ai ishte i marrë pas vajzës, që nga momenti i parë, pasi që ajo kishte lindur. Ai kishte humbur çdo arsye në lidhje me atë se çka ishte në rregull, e çka jo. (vijon)

(Kosova Sot Online)