Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (6)

  • A.P /
  • 16 October 2020 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: Ai e kishte llastuar vajzën tonë (6)

-Kështu do të jetë më së miri - tha ajo me një zë monoton, sikur të ishte e droguar. Ai djalë për të kishte rëndësi të madhe, meqë ndaj tij ushqente ndjenja të thella. Për herë të parë vërejta se ajo bile mundohej t'ia bënte qejfin atij, por disa gjëra, të cilat ishin bërë pjesë e ADN-së së saj, nuk mund të ndryshoheshin aq lehtë. Pa marrë parasysh sa mundohej që ta shtypte natyrën e saj kryeneçe, ajo herë pak e herë shumë, dilte në sipërfaqe, duke kulminuar me sulme histerike dhe me tërheqjen përfundimtare të të dashurit të saj. - Është evidente se kurrë nuk do të mund ta kem një lidhje normale, prandaj më së miri është që të pushoj së tentuari - thoshte, duke i rrudhur supet. - Mos ke marrë ndonjë drogë, e dashur? - e pyeta i frikësuar. Me të vërtetë më dukej sikur të ishte në ndikimin e ndonjë droge. Por, ajo ishte vetëm e dehur.

- Do të shohësh - belbëzonte - do të bëhem më e mira dhe më e ndershmja. Babai do të jetë krenar. Apo jo, baba? Fundja, ajo Olta, sipas të cilës ma vure emrin, përfundoi në manastir, apo jo? Ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme, ti ma ke dëshiruar një gjë të tillë edhe mua. Kurrë Besniku nuk e kishte ngritur zërin ndaj saj, por tani i bërtiti aq shumë, sa që iu frynë damarët në qafë. - Marre të koftë! Të dehesh dhe të flasësh kështu. A i ka hije kjo një vajze si ti? - E, çfarë vajze jam unë, baba? - i tha ajo duke e përqeshur haptazi. - A nuk e sheh se askush nuk më do. Më mbetet të shpresoj se do të më dojë bile Zoti i Madh! - Olta! - tani i bërtita edhe unë. Që në fëmijëri i kisha thënë që të mos e përmendte më kot emrin e Perëndisë, por sikur edhe mësimet e tjera që ia kisha dhënë, ajo e kishte harruar edhe këtë mësim. - Ti mendon se kjo është ndonjë shaka? Ndonjë tekë e jote? Se mund të bëhesh murgeshë shumë lehtë? - i bërtita unë. - Sa mendon se do të qëndroje? Tri ditë? Tri javë? Më gjatë se kaq nuk e besoj. Sikur fjalët e mia ta kishin prekur për herë të parë, ajo u skuq. Bile, as që mu përgjigj me qesëndi, sikur që bënte zakonisht. U ktheva kah burri, duke shpresuar se ai do të më mbështeste. Por, ai për herë të parë dukej tërësisht i pafuqishëm. Sikur ndokush t'ia kishte hapë sytë me gisht dhe të kishte kuptuar se çka kishte bërë. Ishte evidente se nuk mund të prisja ndihmë konkrete nga ai, por e shfrytëzova momentin e dobësisë së tij dhe heshtjes, duke filluar menjëherë që ta "përpunoja" bijën tonë.

- Olta, e dashur - iu afrova dhe ia kapa anash fytyrën me duart e mia. - Ti je një vajzë tepër e bukur. Që nga fëmijëria jote jam munduar që të të mësoj se nuk është mirë të jesh mendjemadhe, të kesh vetëbesim të tepër te vetja jote, por pa sukses. Ti gjithmonë ke vepruar sipas mendjes tënde. Besnikut ia hodha një shikim të shkurtër, por të mprehtë. Isha tepër e zemëruar në të. Ai ishte fajtor për të gjitha dhe ai e dinte shumë mirë këtë. Fakti që ai tani kishte heshtur përfundimisht, për herë të parë thuajse gjatë tridhjetë vjetëve, nuk ishte aspak e dobishme për mua. I drejtova sytë kah ai, sikur me fuqinë time mendore të mund ta detyroja që, me zë, ta pranonte gabimin e vet para vajzës, por natyrisht, një gjë e tillë nuk ndodhi. Për këtë shkak, mua mu desh të vazhdoja të flisja. - Shpirt! Sa herë të kam thënë se bukuria e vërtetë nuk është ajo e jashtmja, por e brendshmja, e cila del nga secili prej nesh, nga fjalët tona, sjelljet, veprat tona. Sa herë të kam thënë se fjala e mirë dhe buzëqeshja e sinqertë hapin më shumë dyer, sesa fytyra e bukur. Të kam thënë se edhe të tjerët kanë ndjenja dhe se duhet të përpiqesh t'i respektosh ato, por nuk doje të më dëgjoje. (vijon)

(Kosova Sot Online)