Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(42)

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 13:24
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(42)

Diku rreth orës tetë në mbrëmje, Dreni erdhi drejt e te dera. As nuk kishte lajmëruar, por vetëm kishte ardhur. E kishte hapur derën, e gatshme që t’i thotë se ishte askushi, se nuk kishte të drejtë të vinte dhe të zhdukej kurdo që ai dëshironte, por kur e kishte përqafuar e në duar po mbante një buqetë plot me lule, të gjitha fjalët u zhdukën në puthje.

Menjëherë janë hedhur në shtrat, pasioni e kishte shtyrë kohën për sjelljen e vendimeve, e mendja kishte pritur që zemra dhe shqisat të bashkoheshin.

Dy orë më pas, të dy ishin lakuriq në shtrat dhe po e shikonin tavanin. Këmbët e tyre po silleshin me të njëri tjetrit, e koka e Ganes ishte mbështetur në gjoksin e Drenit. – Për çfarë po mendon? – Për ty Gane. – Çfarë për mua? – Se sa shumë kohë është humbur.

Ganja mblodhi krahët. Përsëri mendja filloi t’i fliste, se gjithçka duhet të ndalojë.

– Po, nuk kemi pasur edhe aq fat. Ndoshta nuk na është shkruar që të jemi së bashku.

– Mendoj se ardhmëria nuk ka fare të bëjë me këtë. Madje është munduar tri herë të na bashkojë, e fajtorë jemi ne të dy pasi që nuk i kemi dalluar gjërat, të cilat na lidhin neve. U ngrit në këmbë, u mbështoll me një peshqir të madh dhe bëri një shëtitje deri te dritarja. Jashtë ishte errësirë, por aq shumë kishte vetura nëpër rrugë që me dritat e tyre po ndriçonin trotuaret, kalimtarët, rrugën, fasadat e shtëpive.

Pyetej se çfarë kishte bërë ajo gjithë këto vite, sa ishte në moshën e re të atyre kalimtarëve, a nuk kishte ndonjë pengesë atëherë që tani në moshë paksa më të shtyrë ka dy dashnorë – njërin prej të cilëve e dashuron shumë e me tjetrin do të martohet edhe një muaj.

– Ganimete, për çfarë po mendon? Nuk ishte kthyer për ta shikuar sepse po ta bënte këtë gjest, nuk do të kishte forcë t’ia thoshte. Mu për këtë arsye edhe më tutje po shëtiste me shikimin nga rruga, por ju drejtuar me një zë të qetë dhe shumë të vendosur, i cili nuk lejon që të ndërpritet në gjysmë të fjalisë.

I tha se e dashuron shumë, se kjo ishte dashuri në shikim të parë dhe se me të madhe ishte frikësuar se ndoshta nuk ishte e duhura për të, dhe për këtë arsye nuk i ishte lajmëruar dhe kjo ishte arsyeja pse gjithçka ishte komplikuar. I tha se pranë tij ndihet grua, e cila është shumë e lumtur dhe ka dëshirë të jetojë.

– Por Dren, ti e di se unë po martohem, dhe do ta bëj. Këtu nuk ka kurrfarë dyshimi. Ai njeri është i mrekullueshëm, më dashuron, kujdeset për mua, brengoset për mua.

Ai është qenia më e bukur njerëzore që e njoh. Kurrë nuk do i bëja diçka që do ta lëndonte. Unë thjesht nuk kam pasur shumë dashuri në jetën time, kështu që kam mësuar ta vlerësoj kur dikush më dashuron aq shumë. (vijon)

(Kosova Sot Online)