Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (1)

  • E.K /
  • 17 November 2020 - 15:44
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (1)

Fol, o bir! - Është diçka e veçantë... Të Martet... Me të dëgjuar këto fjalë fytyra e zonjës Emine mori një shprehje habie, e cila shumë shpejt u zëvendësua me një si buzëqeshje të lehtë, sikur donte t'i thoshte "a edhe ti, alamet doktori, i biri i doktorit, merresh me këto punë, a"? - Me siguri ti ke dëgjuar për këto Të Martet, por mua nuk më kujtohet të më kesh treguar ndonjëherë për to. - Iha, bir! Ku më ktheve ti... Ka kohë që nuk e kam dëgjuar askënd të flet për këtë temë... Kur isha e vogël, flisnin gratë ashtu, pa lidhje, si të pashkolla që ishin... Po ty, çka... nga të lindi ky interesim për këtë gjë? - E kam pranuar një pacient kur isha kujdestar. Ai ankohej se do ta vrisnin Të Martet. "Do të më ziejnë në kazan", thoshte... - Po, po, kështu thoshin... - A di të më tregosh diçka më hollësisht? Është me rëndësi për trajtimin e këtij pacienti.

Në atë moment këtë bisedë e ndërpreu Donika, e cila hyri në dhomë me të shpejtë, me sy të përlotur. Për një moment vëmendja u përqendrua tek ajo. - Hë, çika ime, çka ke? - Kurrgjë! - Qysh kurrgjë, hajde më trego! - Sumeja... Po më thotë pse po flet si "cërtanat e Shipnisë"... Sumeja ishte vajza e një fqinji, të ardhur aty nga një fshat më i largët i rrethinës së Prishtinës. Kjo nuk ishte hera e parë që ajo e përqeshte Didën për këtë gjë. Kujtimit për një çast iu kujtua se edhe atë, kur ishte i vogël, shokët e tallnin ndonjëherë, duke i thënë "pse po flet si në shkollë". E ëma, duke qenë arsimtare e gjuhës shqipe, insistonte që fëmijët e saj ta flisnin një gjuhë sa më të pastër, "me gramatikë" sikur që thuhej atëherë. Por, për të mos qenë objekt talljeje nga moshatarët, më vonë Kujtimi ia kishte filluar të fliste në dialekt, "sikur krejt dynjaja". - Hajde te nëna, Donika. Hajde çika e gjyshes. Donika shkoi, qëndroi te gjyshja, duke e përqafuar atë fort dhe, pasi që u qetësua, doli nga dhoma. Si duket, gjatë kësaj kohe zonja Emine kishte menduar për pyetjen që ia kishte bërë i biri, prandaj sapo doli Donika, pasi njëherë la anash ilaçet dhe hoqi syzat, ia filloi të fliste.

Përpara njerëzit në fshat kishin punë të shumta, të rënda. Sidomos gratë. Në njërën anë duhej të përkujdeseshin për fëmijët, pastërtinë, të gatuanin për anëtarët e shumtë të familjes, e në anën tjetër edhe të punonin në ara, thuajse barabar me meshkujt. Ndoshta për këtë shkak edhe lindi kjo meseleja e Të Marteve, për të pushuar paksa nga i tërë ky mundim. Gjoja se, ditëve të marte, sidomos pasdite, nuk duhej të punoje. Kush e bënte "me tybe", pra kush betohej se nuk do të punonte të marteve, e më pas e thyente këtë premtim, atëherë vaj halli për të, vinin Të Martet dhe e zienin për së gjalli, ia mbysnin fëmijët dhe, në disa raste ia digjnin edhe shtëpinë. - Po këto Të Martet, a gra ishin, a? - Ishin gra të gjata, të mëdha e të fuqishme, muskulore, tepër të rrezikshme. - A i kishin këmbët me lesh? - Hahaha... Po, po. Mirë paske dëgjuar. I kishin këmbët me lesh, në fakt ishin të tërat shumë mashkullore, si amazone. - A ka pasur raste të sulmeve nga këto Të Martet në katundin tënd? H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)