
Lexoni edhe:
Zeqa: Vendimi i Kurtit që të ndajë 2 milionë euro për aviokompanitë tendencioz dhe për përfitime elektorale
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore drejt Kosovës për mërgatën ka hapur debat të gjerë politik, ekonomik dhe institucional. Në thelb të diskutimit nuk qëndron vetëm pyetja nëse diaspora duhet mbështetur, por nëse koha, mënyra dhe transparenca e këtij vendimi përputhen me standardet e qeverisjes së mirë dhe neutralitetit institucional në periudha politikisht të ndjeshme.
-Nga aspekti ekonomik, argumenti i Qeverisë nuk është pa bazë. Diaspora shqiptare mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës përmes remitancave, konsumit sezonal dhe investimeve familjare. Muajt korrik dhe gusht kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e gastronomisë, tregtisë dhe shërbimeve të tjera. Në këtë kontekst, subvencionimi i përkohshëm i linjave ajrore mund të arsyetohet si masë ekonomike për të shmangur anulimin e fluturimeve për shkak të rritjes së kostove operative dhe për të ruajtur fluksin e ardhjeve të mërgatës.
Megjithatë, problemi kryesor nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e vendimit, por me momentin politik kur ai u mor. Nëse subvencionimi i aviokompanive është praktikë normale rajonale, siç pretendon Qeveria, atëherë lind pyetja logjike: pse kjo masë nuk u planifikua më herët, gjatë përgatitjes së sezonit veror apo në kuadër të politikave të rregullta të transportit dhe turizmit? Fakti që vendimi vjen pikërisht në periudhën kur dominojnë tensionet politike dhe zgjedhjet po afrohen, krijon perceptim të pashmangshëm për motivim elektoral.
Në politikë, perceptimi shpesh ka pothuajse të njëjtën peshë sa vetë veprimi. Edhe nëse qëllimi real nuk është ndikimi zgjedhor, përdorimi i fondeve publike në periudha të ndjeshme politike, sidomos para zgjedhjeve, duhet t’i nënshtrohet standardeve shumë më të larta të transparencës dhe llogaridhënies. Përndryshe, krijohet dyshimi se resurset shtetërore mund të përdoren indirekt për krijimin e kapitalit politik tek diaspora, e cila ka ndikim të konsiderueshëm në proceset zgjedhore dhe praktikisht mund të themi se përcakton fituesin e zgjedhjeve në Kosovë.
Një dimension tjetër problematik mbetet mungesa e qartësisë institucionale. Deri më tani nuk janë bërë publike kriteret konkrete të ndarjes së këtyre subvencioneve: cilat aviokompani do të përfitojnë, mbi çfarë baze përzgjidhen linjat, cili është mekanizmi i mbikëqyrjes dhe si do të matet efekti ekonomik i kësaj mase. Në mungesë të këtyre elementeve, çdo subvencion publik rrezikon të perceptohet si vendim ad-hoc dhe jo si politikë e strukturuar shtetërore.
Për më tepër, standardet evropiane të ndihmës shtetërore dhe konkurrencës së lirë kërkojnë procedura të qarta, transparente dhe të barabarta për subvencionimin e kompanive private, me qëllim shmangien e favorizimit të operatorëve të caktuar ekonomikë. Nëse mungon tenderi publik, raporti monitorues dhe publikimi i kontratave, atëherë hapet debat legjitim për mënyrën e përdorimit të parasë publike dhe për respektimin e parimeve të konkurrencës së ndershme.
Deklaratat e kryeministrit se “nuk bëhet fjalë për blerje votash” synojnë të neutralizojnë akuzat opozitare, por në demokraci nuk mjafton vetëm mohimi politik. Transparenca nuk provohet me deklarata, por me dokumente, procedura dhe kontroll publik. Pikërisht për këtë arsye, Qeveria do të duhej të publikonte menjëherë listën e përfituesve, shumën për secilën kompani, kriteret ekonomike të përzgjedhjes dhe analizën financiare që justifikon këtë ndërhyrje.
Në fund, mbështetja e diasporës është interes shtetëror dhe jo çështje partiake. Por kur fondet publike ndahen në periudha të ndjeshme politike parazgjedhore, pa transparencë të plotë dhe pa debat paraprak institucional, lind dyshimi se politika po tenton ta shndërrojë interesin kombëtar në avantazh elektoral dhe partiak. Pikërisht këtu qëndron dilema kryesore: a kemi të bëjmë me një politikë legjitime ekonomike për ruajtjen e lidhjes me diasporën, apo me një vendim të kalkuluar politikisht për të prodhuar efekt emocional dhe elektoral në prag të zgjedhjeve? Mendoj se ky vendim më shumë ka “nuancë” parazgjedhore.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".