Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të operacioneve estetike (4)

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 15:43
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të operacioneve estetike (4)

- Shikoje këtë - më tha, duke ma bërë me dorë kah një aktore e njohur. - Ka një pamje të tmerrshme! Ka gati gjashtëdhjetë vjet dhe, për shkak se e ka tepruar me operacione estetike, duket sikur kineze! Kjo ishte e vërtetë: sytë i kishte të zgjatur, por mua prapëseprapë më dukej e bukur. Meqë ishte moshatare e Beratit, mendova se burri im i thoshte ato fjalë nga xhelozia, meqë ajo dukej shumë më e re se ai. Atë mbrëmje rashë në gjumë e vendosur që t'i operoja gjinjtë. Duke u kredhur në gjumë, mendoja se si, në një të ardhme të afërt, do të mund ta bëja një lifting të plotë të fytyrës dhe ta hiqja tulin në fyt.

Rasti për këtë mu dha disa javë më vonë. Beratit i duhej që të shkonte në një udhëtim zyrtar në Gjermani. Avioni i tij me gjasë ende nuk ishte ngritur nga pista, e unë tanimë isha në klinikën e dr. Dinit. Nuk kisha pritur se do të ndjeja aq shumë dhembje, por nuk kaluan mirë as pesë ditë, e unë munda të dilja me një bluzë, e cila i vinte në pah gjinjtë e mi më të mëdhenj dhe më të fortë. Pasi që u kthye Berati, me asgjë nuk ma bëri me dije se e kishte vërejtur ndryshimin. Më tha se kongresi në Gjermani ishte shumë interesant dhe se kishte kaluar mirë. E kënaqur që nuk më qortoi rreth intervenimit që kisha bërë, fillova të kurseja për lifting të fytyrës. Dy muaj më vonë e rrejta duke i thënë se do ta vizitoja nënën dhe nuk do të rrija më shumë se një javë.

Natën para se të udhëtoja e vesha një rrobë seksi të gjumit dhe u paraqita te dera e dhomës së tij të punës. - A nuk do të më puthësh për përshëndetje, a? - e pyeta me kujdes. Ai e ngriti shikimin nga kompjuteri dhe ma hodhi një shikim të lodhur. - Më vonë - më tha. - Tani kam punë. Më kishte zënë gjumi para se ai të vinte, e ai nuk ma nxori gjumin. Të nesërmen në mëngjes para se të ikte, më përqafoi me shpejtësi dhe shkoi në punë. Qysh të nesërmen u operova. Nënës i thash se kisha operuar hundën për ta drejtuar dhe e luta që të mos i tregonte Beratit asgjë. - Dukesh sikur të të kishin plagosur në luftë! - më tha ajo, pasi që erdhi të më vizitonte në spital. Fytyrën të tërën e kisha të mbështjellë me fasha, meqë përpos hundës, kisha bërë edhe ngritjen e mollëzave të faqeve. Pasi që mi hoqën fashat, në fillim u frikësova nga ajo që pashë, por nuk kaluan mirë as dy-tri ditë e fytyra ime mori pamjen që ëndërroja.

Para se të dilja nga spitali u shikova në pasqyrë dhe mbeta e kënaqur, meqë përfundimisht dukesha sikur ato modelet nëpër revista. Pasi që u ktheva në shtëpi, më priti Berati. Më kërkoi falje që nuk kishte kohë të rrinte me mua, meqë e priste një takim i rëndësishëm në punë. - Mos u mërzit, i dashur - i thashë. - Edhe unë jam e lodhur dhe menjëherë do të bie në shtrat. Kur shkova në punë të nesërmen, të gjithë e vërejtën pamjen time të re dhe të freskët, për çka më uruan shumë. Një javë më vonë, gjatë drekës me Yllkën, shoqja ime nuk pushonte duke më bërë komplimente. - Edhe unë do të duhej të bëja lifting - më tha, duke ofsharë. - Por, mjeku më thotë se organizmi më ka përjetuar tepër shumë trauma dhe se do të ishte mirë sikur të prisja paksa.

U befasova, meqë Yllka më dukej e përkryer. Edhe pse, ndoshta, buzët i kishte paksa tepër të mëdha, thuajse të ënjtura... Buzët! Kishte kaluar thuajse një vit prej se e kisha marrë injektimin e fundit të kolagjenit dhe tani buzët e mia, në fytyrën time të re, dukeshin disi demode. E thënë, e bërë! Telefonova në klinikë dhe e caktova një termin për javën tjetër. E dija se Berati sërish do të ishte në udhëtim zyrtar dhe e luta dr. Dinin që ta rriste sasinë e kolagjenit. Personeli i klinikës më pritën shumë mirë, duke më bërë komplimente të shumta në lidhje me pamjen time të përtërirë. (vijon)

(Kosova Sot Online)