Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (7)

  • E.K /
  • 25 November 2020 - 15:50
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (7)

Doktor, aman, më ndihmo! Doktor, do të më ziejnë për së gjalli! A mund të më shpëtosh... Me të ishin një burrë i moshës mesatare dhe një grua, pak më e re. Nga qëndrimi i tyre indiferent, Kujtimi konstatoi se ata, me gjasë, nuk ishin familjarët e ngushtë të pacientit. Ngadalë, qetësohu! Ulu njëherë! Ooooo, doktor, nuk e di ti... Qetësohu, qetësohu! A mund të më tregosh kush dëshiron të të bëjë keq? Të Martet! Të Martet, doktor! Edhe pse kishte vërejtur se nuk mund të priste ndonjë ndihmë kushedi sa të madhe nga shoqëruesit e pacientit, Kujtimi ua drejtoi shikimin atyre, për shkak se fjalët që i dëgjoi nuk kishin kurrfarë kuptimi për të. Ishte burri ai që foli i pari.

O doktor, ne e kemi komshi Luftimin! Ka kohë që kemi vërejt’ se ai nuk është mirë. I kemi thënë edhe nënës së tij, por badihava! Në bisedë u kyç edhe gruaja, e cila me gjasë ishte bashkëshortja e tij, për të vazhduar më pas me një zë më të ulët Po çfarë nëne, bre?! Po ajo është më e sëmurë se ky. Ajo ia ka shti djalit në mend këto budallaqe... Sikur të mos ishte shikimi i rreptë i të shoqit, me gjasë gruaja do të vazhdonte ende. Kujtimi vendosi që t’i drejtohej përsëri pacientit, Luftimit. Luftim, a mund të më thuash se ku jeton? Veç sa i tregova kësaj motrës.

E kishte fjalën për Mirelën. Ende në popull infermieret quheshin motra medicinale, apo edhe vetëm motra, me gjasë një terminologji komuniste kjo, sepse Kujtimi nuk besonte se një shprehje e tillë të ishte përdorur në vendet e “botës së lirë”, sikur që thuhej me eufori dikur. Vetëm tani Kujtimi e përshëndeti Mirelën me kokë dhe me një buzëqeshje të lehtë, meqë kishte një konsideratë për të. Edhe ajo ia ktheu në të njëjtën mënyrë. - Po, po. Por, nëse nuk përton, më trego edhe mua se nga na vjen. Nga vij? N’kufi me Serbinë jetoj. Ku bën dreqi vezë... Përsëri në bisedë u kyç fqinji. Doktor, jemi nga një fshat i Llapit, njëmend në kufi me Serbinë. Tani kemi mbetur vetëm pesë shtëpi.

Të gjithë kanë dalë në shehër. Kujtimi e mbante shikimin te pacienti edhe pse kishte dëgjuar atë që kishte thënë fqinji. Ajo që mund të konstatonte te pacienti ishte ankthi tepër i lartë, i nivelit psikotik. Luftim, unë mendoj se ti ke nevojë që të qëndrosh disa ditë në klinikën tonë, derisa të qetësohesh dhe të bisedojmë me ty, për të parë se si mund të të ndihmojmë. A mund ta merrni edhe nënën... nënën edhe Nurijen, motrën time, doktor?! Të rrimë të gjithë këtu, bashkë? Me siguri se do të bisedojmë me familjarët tu. Por, ata nuk kanë nevojë që të rrinë me ty... Ooo doktor! Nëse ato nuk vijnë këtu, nëse nuk largohen nga shtëpia, do t’i mbysin doktor. Nuk i ke parë ti sa të tmerrshme janë... Autor: H. B. I.

(vijon)

(Kosova Sot Online)