Vjosa Osmani kishte sfiduar publikisht Isa Mustafën i cili LDK-në e kishte bërë bisht të PDK-së

Vjosa Osmani kishte sfiduar publikisht Isa Mustafën i cili LDK-në e kishte bërë bisht të PDK-së
Vjosa Osmani kishte sfiduar publikisht Isa Mustafën i cili LDK-në e kishte bërë bisht të PDK-së

Idriz Zeqiraj

  • 16 May 2026 - 07:50

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Është padrejtësi, njëherësh edhe fajësi e madhe e të gjithë atyre që kanë rezerva ose kundërshti të hapur për kthimin e Vjosa Osmanit në shtëpinë e saj lindake, LDK. Ata akuzojnë pasojat, duke amnistuar shkakun. Ishte 25 maji 2015, data kur mbahej Kuvendi i 8-të maskaradë "Zgjedhor" i LDK-së. Dr. Vjosa Osmani, me guximin qytetar dhe intelektual që e karakterizon, shpalli kandidaturën për kryetare të LDK-së. Ajo donte ta sfidonte kryetarin Isa Mustafa, i cili partinë e Dr. Rugovës e kishte bërë bisht e patericë të PDK-së.

 

-Kryetari me Kryesinë klan kishin uzurpuar, krejt paligjshëm, kryesimin e Kuvendit, edhe pse tradicionalisht u përket delegatëve ta zgjedhin komisionin drejtues të Kuvendit.

Debati që duhet t’i paraprijë zhvillimit të Kuvendit zgjedhor, tashmë, paradoksalisht, ishte përjashtuar. Sikur nuk mjaftonte kjo, vunë në zbatim klauzolën e shpikur dhe të shpifur nga klanorët -50+1-, kusht për t’i hyrë garës së presidentit.

Gati për votim me aklamacion, votim i hapur, me ngritje dore! Vjosa Osmani, e doktoruar në Drejtësi në SHBA, kërkoi, madje ngulmoi për votim të fshehtë, "sepse po zgjidhet kryetari i LDK-së", - ua kujtoi ajo klanorëve hileqarë. Drejtuesit e Kuvendit e dinin se Isa Mustafa ishte katapultuar në kreun e LDK-së nga Hashim Thaçi me SHIK-un e tij. Andaj, votës së fshehtë në Kuvend nuk i mbijetonte.

Dr. Vjosa Osmani, në përballje me matrapazët, shkelës të rregullave dhe ligjeve më elementare demokratike, kundër ndalimit të debatit demokratik dhe votës së fshehtë, në shenjë proteste, u largua nga salla kuvendore.

Po atë ditë, delegatëve të Degëve të LDK-së të Zvicrës dhe të Gjermanisë, të prirë nga kryetarja Donikë Gërvalla, nuk iu lejua pjesëmarrja në Kuvend, pa asnjë arsyetim bazik.

Pak muaj më vonë u mbajt Konventa e LDK-së. Kryetares së Degës, Donikë Gërvalla, ia dhanë materialin enkas për Konventën. Sapo hyri në sallën e Kuvendit, tre bodiguardë të ministrave të Isa Mustafës e tërhoqën zvarrë nga salla.

Sjellja skandaloze, deri në rrugaçëri, u transmetua nga të gjitha mediet vizive dhe të shkruara. Asaj dite, në shenjë zhgënjimi dhe proteste, mijëra anëtarë u larguan nga LDK-ja.

Rikthimi i ish-presidentes Dr. Vjosa Osmani dhe pranimi në familjen e saj LDK, është dëshmi vetëfolëse se ndarja e vitit 2020 ishte më shumë se gabim, ishte faj i rëndë politik i një lidershipi të korruptuar nën çadrën e PDK-së dhe SHIK-ut të saj.

Ndërsa pala tjetër, Vjosa Osmani dhe Donikë Gërvalla, do të konsideroheshin gabim, sikur të largoheshin dhe të pasivizoheshin, siç ka ndodhur me shumë individë dhe grupe, të cilët i bërrylonte lidershipi dhe nuk jipte asnjë mundësi aktivizimi në strukturat e LDK-së.

Përkundër, binomi Vjosa-Donika ishin përkushtuar për misionin e shumëpritur nga shqiptarët, në përgjithësi, dhe nga populli, në veçanti. Misioni i shenjtë ishte bërja e ndryshimit të madh dhe kundër LDK-së. Synimi ishte largimi nga pushteti i "komandantëve", të cilët përgjakën kundërshtarët politikë, të ndihmuar nga shtetet armike të Kosovës, uzurpuan pushtetin dhe zhvatën pasuritë e brezave shqiptarë.

Bashkë me "komandantët" u shporrën nga drejtimi i LDK-së klani që mbajti në pushtet PDK-në, me aleatët e saj, të koalicionuar në PAN-in kriminal.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".