Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (1)

  • E.K /
  • 11 December 2020 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (1)

Nëna ime kishte dy vjet që kishte vdekur kur takova mashkullin, i cili, para shumë vjetësh, për pak ia kishte shkatërruar jetën asaj e i cili ishte kthyer në mënyrë që të ma shpëtonte jetën mua, edhe pse nuk ishte i vetëdijshëm për këtë. Por, Burimi nuk më kërkonte mua, mirëpo unë e gjeta atë. Por, as unë nuk do ta kërkoja kurrë, sikur ai nuk do të donte që të gjendej. Gjurmët, të cilat i kishte lënë në çdo hap, më thërrisnin që t'i ndiqja. Gjurma e parë që e gjeta ishte lënë mu në varrin e nënës sime. - Kush i ka sjellë këto lule? - u habit motra ime Leonora kur një të diele te varri nënës gjetëm një buqetë të tulipanëve të kuq si gjaku. Lulet ende ishin të freskëta, kështu që ato ishte e qartë se nuk kishte shumë ditë që dikush i kishte vënë ato aty. - E, ku ta di unë? - u përgjigja, e nervozuar nga prania e motrës sime, të cilën gjithmonë e kam konsideruar si prepotente.

Thënë të vërtetën, në familjen tonë ndihesha si e huaj, meqë isha më e vogla, e nderi i vajzës më të madhe i takonte mu Leonorës. Ajo asnjëherë nuk e linte pa ma bërë me dije këtë, ma rikujtonte se ishte më e madhe, e unë plot pesë vjet pas saj, sikur të mos ishte kjo rezultat i një rastësie të thjeshtë, por e ndonjë merite të veçantë. Vetëm për nënën nuk isha gjithmonë e dyta. - Duhet ta doni njëra-tjetrën, meqë jeni motra - na thoshte sa herë që grindeshim dhe rriheshim. - Babai dhe unë ju duam që të dyjave sikur të ishin vajza hasreti, meqë çdo fëmijë është unik dhe i pazëvendësueshëm për prindërit e tij. Shumë mirë e dija se edhe babai mendonte njësoj, por nuk dinte ta shprehte këtë. Unë isha shumë e ngjashme me të, nga ai kam trashëguar jo vetëm vijat e fytyrës, por edhe vetitë e shumta të tjera edhe pse atëherë nuk isha e vetëdijshme për këtë. Babai sikur frikësohej që t'i manifestonte ndjenjat dhe të na e demonstronte dashurinë. Kur u rrita edhe mua më bëhej gjithnjë e më e vështirë që t'iu besoja njerëzve që i doja.

E tillë isha ndaj babait, në dashurinë e të cilit dyshoja vazhdimisht, e tillë isha edhe ndaj motrës dhe ndaj Limanit, burrit tim. Vetëm te nëna kisha besim të pakufishëm. - Babës i mjaftoj vetëm unë - më thoshte shpesh motra ime, derisa ishim të vogla. - E kam dëgjuar duke thënë se donte ta kishte vetëm një fëmijë, se ti nuk ishe e planifikuar dhe se ke lindur rastësisht. Aha, ja pra. Paskam lindur gabimisht! Unë, d.m.th., isha vajzë e padëshiruar! Pas këtij zbulimi as babin më nuk mund ta doja si më parë. - Ti je e tepërt - më thoshte me ligësi motra ime. Fatmirësisht, nëna më adhuronte. Më jepte dashuri dhe kujdes dhe gjithmonë ishte me mua, prandaj raporti ynë ishte aq i afërt, saqë Leonora shpesh ndihej e përjashtuar.

Ja pse atë të diele doja që të shkoja vetëm te varri i nënës, por motra insistoi që të shkonim bashkë. Më dukej se ato vizitat false të përbashkëta te varri i nënës, në fakt ishin tentime që të shkatërrohej lidhja ime e veçantë me nënën. Leonorës nuk i kishte shkuar për dore që ta prishte raportin tonë derisa nëna ishte gjallë, prandaj me këtë avaz vazhdonte edhe pas vdekjes së saj, mendoja, e kapluar nga zemërimi, por edhe nga një dozë e... butësisë. Leonora dhe unë kurrë nuk e kishim çuar aq mirë, por nuk mund të thuhej se nuk e donim njëra-tjetrën. Por, në ndjenjat tona gjithmonë ekzistonte një pengesë, e shoqëruar me mosbesim. - Ka mundur të ishte kushdo, ndonjëri nga miqtë, të afërmit, apo të njohurit - thashë duke qëndruar para varrit dhe duke i shikuar tulipanët. - Me gjasë bëhet fjalë për dikë që e ka njohur mirë nënën, meqë tulipanët e kuq ishin lulet më të preferuara të saj - tha motra. (vijon).

(Kosova Sot Online)