Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (28)

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 15:45
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (28)

Edhe kësaj here, dr. Flamuri qeshi dhe nuk u durua pa ndërhyrë. Ai nuk ishte një profesionist i keq, por kishte sjellje disi tepër "fshatareske". Nuk e kishte atë "personalitetin" dhe sjelljen që do të duhej ta kishte një drejtor klinike. - Ha-ha! Edhe ju jeni të tillë që, ku t'ia mësyni, e shqyeni... - Eh, shiko! Ndoshta është kështu sepse punojmë më shumë, jo sepse jemi më të zottë se të tjerët! - Po, vetëm me një send, ma keni prishur pak... Kësaj here ishte Moshe ai që qeshi, përsëri lehtazi.

 E di, e di... - Nuk na keni njohur ende si shtet! - Flamur, ta kam thënë shumë herë se, po të pyetesha unë, do ta njihja Kosovën që ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë. Por, këto janë çështje të realpolitikës... - Natyrisht! Kësaj here ishte Kujtimi i cili, duke tundur kokën, shprehu pëlqimin me atë që thoshte Moshe. - Nejse, ju vazhdoni me drekën, se mua më duhet të largohem. Njëmijë e një punë i kam. Dhe, Kujtim, mos harro, të paguara i keni të gjitha.  Mirë drejtor, shihemi! - Hajt, tung! Moshe, ishte kënaqësi të të takoja përsëri. Të përshëndes njëherë! - Në rregull, Flamur. Do të takohemi përsëri, para se të largohem. - Natyrisht, pa hëngër fli nuk të lëshoj të shkosh. Ha-ha!

KAPITULLI I DHJETË

Dr. Feratin e kishin liruar nga paraburgimi, kurse Ramizin e gjorë e kishin dënuar me tre muaj burg. Qarkullonin thashethemet se dr. Ferati tërë fajin ia kishte hedhur Ramizit edhe pse vet dr. Ferati e mohonte kategorikisht një gjë të tillë. Lirimin e vet ai ia referonte avokatit të tij të zotë, por edhe "faktit" se, "ishte i pafajshëm". Kujtimi u ndie keq për fatin e Ramizit. "Nuk do të ishte bërë kiameti sikur të kisha dëshmuar në dobi të tij. Ja, ky shejtani i madh, dr Ferati, shpëtoi pa therë në këmbë edhe pse të gjithë e dinë se sa i zhytur në korrupsion është ai". Ky mendim i sillej herë pas here në kokë Kujtimit, por edhe bindja se kishte vepruar drejt kur e kishte refuzuar kërkesën e Ramizit, ende ishte e fortë.

Donte ta vizitonte shokun në burg, por kishte frikë se mos ai do ta keqkuptonte vizitën e tij. Si është ai urimi që ua bëjmë armiqve, "Të vizitofsha në burg". E, Kujtimi assesi nuk e konsideronte Ramizin armik. Përkundrazi, mendonte se keqkuptimi që kishin pasur, ishte vetëm një episod normal, një etapë e rëndomtë në një raport midis dy miqve. Moshe ia kishte lënë Kujtimit të vendoste se nga ku do ta fillonin hulumtimin rreth besëtytnisë së Të Martave. E, ky i fundit ende nuk kishte vendosur definitivisht. Kishte biseduar me të ëmën, por ajo nuk kishte pranuar të takohej me Moshen.

"Krejt çka di për atë temë të tregova ty. Nëse ke ndonjë pyetje, do të të përgjigjem, aq sa di. Por, mos më kërko që të takohem me atë profesorin. Thjesht, nuk kam energji për një gjë të tillë". Kështu i kishte thënë zonja Emine, e cila dukej se atë ditë ishte paksa më e irrituar sesa zakonisht. Si dukej diabeti ishte duke e bërë të veten. Kujtimi nuk e pa të udhës të insistonte. Mendonte ta organizonte një takim të Moshes me pacientin, me Luftimin, natyrisht nëse do të pranonte ky i fundit, por nuk dinte sa do të ishte i dobishëm një takim i tillë, meqë Luftimi kishte arritur një përmirësim të madh dhe të shpejtë. Ai tani nuk përmendte fare Të Martat. H.B.I (vijon)

(Kosova Sot Online)