Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (37)

  • E.K /
  • 28 December 2020 - 15:23
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (37)

- Kujtim, më ra ndërmend që më kishe treguar se e ëma e pacientit ishte boshnjake. Prandaj, mendova se, duke i folur, të themi ashtu, në gjuhën amtare, do të krijoja një lidhshmëri më të fortë dhe më të shpejtë me të. Por, si duket u gabova... Kujtimi pa se profesori nuk u përgjigj direkt në pyetjen e tij, por vendosi që të mos thoshte gjë. Mirëpo, sikur t'ia kishte lexuar mendimin, Moshe vazhdoi. - Interesimin për gjuhët sllave e kam nga gjyshi, babai i nënës, Shlomo Sabatka... - Atij që ishte në Shqipëri, apo jo? - Saktësisht.

Por, para se të shkonte në Shqipëri, sikur të kam treguar, ai kishte lindur dhe kishte jetuar në Çeki. E, më pas edhe gruaja ime e parë ishte kroate. - Aha! Si duket Moshe nuk deshi që të thellohej ky muhabet, rreth gruas së tij të parë, prandaj tentoi që të ndërronte temë. - Pastaj, gjuhët sllave, si e di, janë pak a shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. - Po, për dallim nga shqipja jonë, e cila është unike, apo thënë më mirë, jetime, në grupin e vet të gjuhëve indoevropiane.

Moshe nuk u përgjigj menjëherë, por më pas foli sikur dikush kur nuk dëshiron edhe aq të flasë, por megjithatë e sheh të domosdoshme ta ofrojë ndonjë shpjegim. - Kujtim, ti ke të drejtë. Natyrisht, unë nuk do ta merrja kurrë lirinë që tani të filloj e të të mësoj ty gjëra rreth prejardhjes së shqipes dhe shqiptarëve, sepse pa dyshim se ti i di më mirë këto gjëra, si shqiptar që je... Kujtimi përsëri filloi të ndihej disi në siklet, sikur nxënësi para mësuesit. 

Jo, jo, profesor! Ne jemi vetëm duke biseduar. Nuk është e thënë që unë të di më shumë rreth kësaj teme, vetëm pse jam shqiptar... - Megjithatë... - P.sh. unë mendoj se ata që thonë se shqiptarët, ne, jemi i njëjti popull me ilirët e lashtë, e kanë shumë gabim, sepse përgjatë historisë ka ardhur deri te përzierja e popujve dhe racave... - Kujtim, kjo që thua ti nuk do diskutim. Është e vërtetë që se luan topi. Sikur ne, çifutët, që nuk mund të themi se jemi po ata që ishim 2000 vjet më parë. - Rasti juaj është i veçantë, ndoshta... - Megjithatë! Ka shumë njerëz, me më pak, a me më shumë të drejtë, që thonë se çifutët e sotshëm, ata që jetojnë në Izrael, më shumë janë evropianë, sesa semitikë.

Edhe pse nuk mund të pajtohem me ata që thonë se ne, çifutët e sotshëm, jemi më shumë pasardhës të hazarëve, sesa të çifutëve origjinalë semitikë, prapëseprapë pohimet e tyre nuk janë krejtësisht të pavërteta. - A thua? - Me siguri se po. E di, çifutët, të them ashtu origjinalë, ishin popull i Lindjes së Mesme, të zeshkët dhe me karakteristika të tjera të atij regjioni.

Pak a shumë si arabët. Por, pas përzierjes së madhe që pësuan çifutët gjatë ekzistimit të tyre në Evropë dhe, sidomos në vendet sllave, fenotipi i çifutit sot më shumë ngjanë me një fenotip të një evropiani mesatar, sesa të një aziatiku të Lindjes së mesme. Për Kujtimin ishin interesante këto që ia thoshte Moshe, sepse, thënë të drejtën, nuk kishte menduar dhe nuk ishte marrë aq shumë, për të mos thënë fare, me origjinën e çifutëve. Por, më shumë atij i bëri përshtypje mënyra tejet objektive me të cilën Moshe e trajtonte këtë temë.  (vijon)   

(Kosova Sot Online)