Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (3)

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (3)

Jo, jo - u tmerrova nga një mendim i tillë! Assesi! Jeta ime do të shkatërrohej me atë rast, kjo të paktën ishte e qartë. E tmerruar e pyesja veten se a e dinte ndonjëra nga shoqet se çfarë marrëzie kisha bërë. Për fat të mirë, asnjëra nuk dinte gjë, e sa më përket mua, kështu edhe duhej të mbesë. Edhe pse në një moment doja që t'ia tregoja sekretin të paktën njërës prej shoqeve të mia, me të cilën isha më e afërt, prapëseprapë nuk e bëra një gjë të tillë. Kisha tepër turp nga ajo që kisha bërë, aq shumë saqë nuk mund t'iu tregoja as shoqeve të mia. A do të mundeshin ato ta kuptonin një gjë, të cilën nuk e kuptoja as vetë unë? Prej se kisha filluar lidhjen me Dritonin, kurrë nuk e kisha kthyer kokën për ta shikuar ndonjë mashkull tjetër.

Ai ishte i vetmi për mua dhe më ofronte krejt çka më duhej. E, tani ndodhi ky incident! Ja, kështu, tash e tri vjet bartja në vete sekretin të cilin e dinin vetëm dy njerëz në botë: valltari Besim dhe unë! Pas asaj nate të trentë në bar, më kurrë nuk e kisha parë Besimin, por as nuk e kisha harruar marrëzinë që kisha bërë. Sikur një ankth i vërtetë, para syve më dilnin fragmente të asaj marrëzie: bërtitjet e shoqeve të mia, vallëzimi im në podium me valltarin gjysmë të zhveshur, duart e tij muskulore rreth belit tim dhe, përfundimisht, ajo më e keqja, unë dhe ai bashkë në shtrat! Dhe, asgjë nuk mund të ma largonte shijen e keqe nga goja, kur më kujtohej kjo ngjarje. Ama bash asgjë. Megjithatë, më dukej se, gjatë vitit të fundit, disi ia kisha dalë që ta trusja në nëndije këtë ngjarje të keqe dhe të vazhdoja me jetën normale.

E ngushëlloja veten se ajo nuk kisha qenë unë dhe se e tëra kishte qenë vepër e alkoolit, i cili e kishte marrë kontrollin mbi mua. Por, sapo kisha arritur ta bindja veten për pafajësinë time, më arriti thirrja! Besimi vazhdonte të heshtte, e shqetësimi te unë vetëm sa vinte e rritej. - A je ende këtu? - e pyeta, edhe pse mund ta dëgjoja qartazi frymëmarrjen e tij të vështirë. Çka kishte? Dukej sikur të vuante nga astma. Nuk mund të besoja që një i ri aq i fortë, sikur shkëmb, të vuante nga ndonjë sëmundje. I shtrëngova grushtet, e vendosur që të mos dorëzohesha para asnjë kërcënimi. Sepse, çka mund të kërkonte ai nga unë, pos që të më kërcënonte? Me gjasë kishte marrë vesh që burri im është në kuvendin komunal, dhe se përfaqësonte një rrymë konservatore politike. Një "gabim" i vogël i gruas së tij të dashur do të ishte ëmbëlsirë e vërtetë për kundërshtarët politikë, e, natyrisht, edhe për shtypin joserioz.

Tanimë e shihja fotografinë time në ballinat e revistave joserioze me tituj të mëdhenj, inkriminues: "Zbulohet afera e gruas së deputetit komunal në barin e striptizit!" Ndjeja se si më dilte djersa në buzën e epërme. Shuplakat e duarve përnjëherë më bëheshin aq të djersitura saqë kufja e telefonit më rrëshqiste nga dora. E shtrëngova me tërë forcën. - Po, ende jam këtu - mu përgjigj Besimi pak me ngurrim. Tani do të ma thoshte atë që kishte ndërmend! Shkakun pse, pas kaq shumë vitesh, ai kishte marrë mundin që ta gjente numrin tim. Tani me gjasë do të më thotë se, nëse nuk ia jap një sasi të parave, do t'i tregonte për të gjitha burrit tim.

Do t'ia tregoj sekretin tonë të vogël e të ndyrë dhe do t'ia bëjë me dije se me çfarë gruaje, në të vërtetë, është martuar. E tendosur sikur harku i shigjetës, prisja që të ma thoshte atë për çka më kishte thirrur. Me gjasë ai duhej të kishte edhe ndonjë fotografi, të cilat do të duhej t'i kishte bërë atë natë, tinëz. A nuk shkonin kështu kërcënimet e këtij lloji? Në kokë më ishte krijuar një presion i padurueshëm derisa prisja, gati pa marrë frymë, që të më thoshte atë që kishte ndërmend. - Më duhet të ta them, Nita. Tash e dhjetë vjet vuaj nga sida. Mund të më padisësh po të duash, meqë edhe atëherë e dija, por nuk të kisha treguar. Por, shumë shpejt do të vdes, prandaj nuk ka kuptim. (vijon)

(Kosova Sot Online)