Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (55)

  • E.K /
  • 16 January 2021 - 18:44
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (55)

E, martesa e saj me Zoranin ishte një kompromis, një marrëveshje interesi. Punonin bashkë, që të dy ishin infermierë. Ajo kishte vërejtur qëmoti që Zorani e donte, por ajo nuk ndiente asgjë për të. Pasi që lidhja e saj me dr Hasanin u shkëput njëherë e mirë, meqë ai refuzoi që ta pranonte birin e tyre ende të palindur si fëmijë të vetin, Marta kuptoi se urgjentisht i duhej ta gjente një zgjidhje. Aty ishte Zorani, i cili me gjithë qejf pranoi që të martoheshin edhe pse e dinte se ajo nuk e donte dhe se ishte shtatzënë me shefin e repartit.

Menjëherë pasi që u martuan vendosën që të shpërnguleshin për në Nish, në qytetin e gjyshit të Zoranit. Derisa ishte i ri, Zorani ishte një djalosh i vyeshëm dhe i sjellshëm. Problemet filluan kur ai kuptoi se ishte steril, se nuk mund të kishte fëmijë. Kjo ndikoi që ai të fillonte të pinte dhe të bëhej tejet xheloz... E kishte zënë gjumi me album në dorë.

KAPITULLI I NJËZETEKATËRTË

Kujtimi mbeti i mahnitur nga ajo që lexoi në vazhdim, në dokumentin që ia kishte dërguar Moshe. Mulla Ademi, pasi që e kishte marrë pak veten, i kishte çuar haber shokut të tij, mulla Idrizit, autorit të dokumentit, që të shkonte sa më shpejt te ai. Idrizi, përkundër asaj se kishte shumë punë atë ditë, i paska lënë të gjitha dhe i paska hipur kalit, për të shkuar te Ademi. "Edhe dukat po të isha duke shkrirë, të gjitha do t'i lija. Më thërriste mulla Ademi, për të cilin, sikur që thash, kisha dhe kam një respekt të madh".

Nejse, pasi paska shkuar te Ademi, pasi që kishte parë kufomën, Idrizi paska mbetur për një moment i shtanguar nga shoku dhe habia, jo vetëm për shkak se para vetes kishte një kufomë, por edhe për shkak të pamjes së vet kufomës. Mulla Idrizi kurrë nuk kishte parë aso... krijese. Një grua leshatore, tepër të madhe, muskulore dhe, mbi të gjitha, të frikshme. Pasi i kaloi habia dhe tmerri, Idrizi arriti ta dëgjonte mulla Ademin, i cili për të satën herë i thoshte: "Nuk është insan ky që sheh! Xhind është"! Sikur dikush tjetër t'ia kishte thënë këto fjalë, Idrizi do të mendohej mirë e mirë a t'i besonte dhe, me gjasë, në fund, as që do t'i kishte besuar fare.

Por, pasi që ato fjalë i dëgjoi nga mulla Ademi, ai as që e shtroi çështjen e vërtetësisë së tyre, bile as në mendime, por menjëherë e mori atë pohim sikur të ishte një e vërtetë hyjnore. - "Çka të bëj tani?! Ku ta lë këtë kufomë?" Idrizi në të njëjtën kohë ndihej i nderuar, por edhe në siklet nga përgjegjësia, për shkak se ai alamet imami, vet mulla Ademi i famshëm, tani dukej i dobët si fëmijë dhe kërkonte ndihmë nga ai. Për një moment, mbizotëroi frika. - "Mulla Adem, je ti ai që mund të më mësosh mua, e jo unë ty! Allahu i Madhërishëm ka qenë shumë më dorëlirë me ty, kur flitet për mendjen e hollë..." - "Aman, Idriz! Shoku im!

Edhe unë e di se nuk do ta kisha problem që të gjeja zgjidhje sikur kjo mesele të kishte të bënte me dikë tjetër. Nuk kam dyshime në këtë. Por, kësaj here në m... deri në fyt nuk është ndokush tjetër. Jam vet unë". Edhe pse kishte disa ide në kokë, Idrizi nuk u ngut. Nuk donte që të ngutej, e të gabonte para mulla Ademit. E dinte se zor që ndonjë herë tjetër mund t'i jepej mundësia që ta këshillonte mulla Ademin. Pasi që u mendua mirë e mirë, ftoi atë që të uleshin diku, gjë që edhe e bënë, por vetëm pasi ky i fundit mori dy çarçafë të mëdhenj dhe e mbuloi kufomën e Të Martës.   

(Kosova Sot Online)