Zeqiraj: 100 eurot e Kurtit në kohë fushatash zgjedhore me qëllim përfitimi të votave

Zeqiraj: 100 eurot e Kurtit në kohë fushatash zgjedhore me qëllim përfitimi të votave
Zeqiraj: 100 eurot e Kurtit në kohë fushatash zgjedhore me qëllim përfitimi të votave

Idriz Zeqiraj

  • 04 June 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Lëvizja Vetëvendosje, e proklamuar si parti socialdemokrate, parim bazë ka përkujdesjen sociale të qytetarëve. Por socialdemokracia bashkëkohore barazinë e mirëqenies e ka të organizuar, të koduar në rregulla dhe ligje, goxha më ndryshe nga kjo e LVV-së. Barazia absolute sociale e shoqërisë është relative dhe asnjëherë e askund nuk mund të jetë ideale. Kjo dëshmohet me përpjekjet e dështuara të ideologëve të barazisë absolute sociale.

 

-Dhënia e herëpashershme e ndihmave grupore, zakonisht të shprehura në 100 euro, për disa kategori si pensionistët, fëmijët, studentët, nënat lehona dhe të tjera, pavarësisht të hyrave financiare familjare, përbën atë ndryshimin e madh nga praktikat e socialdemokracive evropiane. Trajtimi grupor i kategorive të përmendura është abuziv me buxhetin shtetëror, sepse jo të gjithë, brenda vetë kategorive, janë qytetarë në nevojë, të varfër.

Dhe, kur kjo ndarje monetare bëhet në kohë fushatash zgjedhore, shton dozën e dyshimit të bazuar se kjo bëhet me qëllim përfitimi të votave të këtyre kategorive.

Të ashtuquajturat parti të dala nga lufta: PDK-AAK-NISMA, pa hyrë askurrë në betejat e organizuara luftarake, me falsifikimin e "Dëshmive të Veteranit", pesëfishuan numrin e veteranëve, duke arritur në kuotën prej 45.000 veteranësh të rrejshëm.

Një komision i juristëve, i kryesuar nga prokurori dinjitoz dhe me integritet profesional e moral, Elez Blakaj, i ngarkuar mit verifikimin e listave emërore, bëri seleksionimin e parë, skartoi si "veteranë" të rrejshëm 19.500 veta. Por ndodhi skandali i madh: Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj, arbitrarisht, i ktheu sërish si veteranë validë, duke e fshirë edhe kategorizimin e bërë nga komisioni i juristëve. I gjithë ky falsifikim u bë nga PAN-i. Qëllimi ishte përfitimi material dhe bërja e veteranëve të rrejshëm klientelë elektorale të tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".