Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (3)

  • 21 janar 2021 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (3)

- Zemra ime, ti qenke dashuruar marrëzisht, por, për fat të keq, në një mashkull të gabuar. E vërteta dhemb, por sikur të të donte sadopak, tanimë do të të kishte thirrur. Lirisht ma thuaj, nëse nuk kam të drejtë - fliste pa pushuar Dilja, derisa hanim drekë. - Nuk pajtohem me ty. Ndoshta vetëm i ka disa obligime. Mos harro që Burimi është biznesmen - e mbroja edhe pse më duhej të pranoja se si shoqja ime, megjithatë, kishte të drejtë, të paktën pjesërisht. Mu në atë moment më cingëroi celulari. Kur pash se ishte Burimi, sa s'bërtita nga gëzimi. Me një ndjenjë të fitimtares ia tregova celularin Diles.

 Tung, bukuroshe! Më intereson ta di a je e lirë sonte? Me gjithë dëshirë do të të ftoja në një vend të veçantë - dëgjova zërin e Burimit në anën tjetër të telefonit. Edhe pse më me dëshirë do të bërtisja me gëzim duke i thënë se, për të, jo vetëm sonte, por edhe gjatë pjesës tjetër të jetës do të jem e lirë, megjithatë disi u përmbajta. - Natyrisht që jam e lirë. Në rregull, mezi pres - nuk u durova pa thënë, gjë që e bëri Dilen, e cila e përcillte bisedën tonë heshturazi, t'i rrotullonte sytë nga pakënaqësia. Pasi që u morëm vesh rreth hollësive, e ndërpreva lidhjen. - Pra, ti me të vërtetë nuk je normale! Në vend që t'i thoshe sesi nuk je e sigurt se a do të ishe e lirë sonte, meqë kohëve të fundit je kaq e zënë, ti faktikisht i dorëzohesh pa kushte. "Mezi pres"!!! Paramendo! Nuk është për t'u çuditur sesi ai luan me ndjenjat tua - ajo fliste, por mua nuk më bënte më përshtypje. U nguta e shkova në dhomën e gjumit, me qëllim që ta zgjidhja veshjen ideale për këtë mbrëmje. Doja që ta lija pa mend Burimin, doja që edhe ai të dashurohej marrëzisht në mua. Sepse unë edhe ashtu isha e dashuruar deri në fund në të.

Atë mbrëmje Burimi dhe unë vizituam disa ndeja ekskluzive. Ai ishte tepër galant dhe kënaqesha në çdo moment të përbashkët. Vërejta shumë mirë se si ai gjatë tërë mbrëmjes më përpinte me sy. Dukej se fustani i vogël, i zi, të cilin e kisha veshë atë mbrëmje, e kishte arritur efektin maksimal. - Vogëlushe, je e mrekullueshme sonte. Me gjithë dëshirë do të të dërgoja në shtëpi menjëherë - tha ai si me shaka. Edhe pse më vinte që t'i thosha se si edhe unë me gjithë qejf do ta doja një gjë të tillë, u përmbajta dhe nuk thashë gjë. Burimi mund ta krijonte një bindje të gabueshme për mua, gjë që nuk e doja aspak. Vetëm ngadalë, do të kishte kohë - e ngushëlloja veten edhe pse tërë trupi më digjej nga dëshira për të. Ishte thuajse mesnatë kur Burimi propozoi ta vizitonim edhe një klub të natës.

Jam i sigurt se do të të pëlqejë. Përpos kësaj, besoj se do të doje t'i njihje shokët e mi - tha ai, gjë që bëri që të më kaplonte një valë e gëzimit. Pra, Burimi paska qëllime serioze, përndryshe nuk do të më njoftonte me shokët e tij - mendova. Edhe pse për atë klub kurrë nuk kisha dëgjuar, kisha një besim të pakufishëm te ai. - Do ta kem nderin - u përgjigja e eksituar, gjë që bëri Burimin të më puthte me afsh. Pas gjysmë ore tanimë gjendeshim para dyerve të klubit. Më duhet të pranoj se u habita kur vërejta se aty nuk dëgjohej kurrfarë muzike. Edhe më shumë u çudita kur Burimi dy-tri herë i ra fort derës me shuplakë. Me gjasë duke vërejtur shikimin tim të habitur, ai filloi të më trimëronte. - Mos u shqetëso, vogëlushe. Këto janë vetëm masa të sigurisë - ma sqaroi, e unë vetëm i rrudha supet. Burimi kishte shëtitur botën dhe nuk doja që të dukesha e marrë duke e pyetur për detaje. Mendova se mjaftonte fakti që i besoja. (vijon)

(Kosova Sot Online)