Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (5)

  • 23 January 2021 - 16:00
Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (5)

Mirëmëngjesi, Violeta! Shpresoj se nuk jam duke të të penguar. Ia solla Diles disa shënime dhe, thash, në ndërkohë, t'i blej disa petulla. Ato të cilat të pëlqejnë më së shumti, me sherbet - më tha Dibrani, duke qëndruar te dera me një qese të madhe të letrës në dorë. - Duket se Dilja është në ligjërata, por nuk ka problem. A dëshiron të hysh? Do të ta bëj një kafe - thash me gjysmë zëri, duke e lënë të hynte brenda. - Dmth ajo puna me Burimin është serioze, apo jo? - më pyeti derisa isha duke i qitur kafet në filxhanë. - Po, më duket se po - thash e painteresuar.

Nuk e kisha të qartë pse kjo duhej t'i interesonte atij. Ne nuk ishim aq të afërt sa që të kisha nevojë t'i qaja hallet personale me të. - Shiko, ndoshta nuk më takon mua të ta them, por... - filloi Dibrani të më thoshte diçka me siklet. - Çka? Send s'po të marr vesh - i thashë duke e fiksuar me shikim. Më dukej sikur Dibrani, për shkak të shikimit tim të ashpër, kishte filluar të skuqej. - Dëgjova diçka rreth Burimit. E di, ai është goxha i njohur në qarqet shoqërore. Dua të them, ka prirje jo të natyrshme. Por, ndoshta nuk duhet të flasim për këtë! Do të na ftohen kafet - bëri ai me dorë.

 Më premto vetëm se do të kesh kujdes - m'u lut. - Në rregull, të premtoj - thashë unë, duke ngritur dorën lart, në shenjë premtimi. Edhe pse nuk i besoja as edhe një fjalë të vetme, nuk mundesha e të mos vëreja sesi në qëndrimin dhe të folurit e tij kishte një dozë sinqeriteti dhe butësie jo të rëndomtë. Shihej se ishte me të vërtetë i brengosur për mua. Më duhet ta pranoj se një gjë e tillë më pëlqeu goxha shumë. Derisa pinim kafen, për herë të parë prej se e njihja, kuptova sesi Dibrani aspak nuk ishte aq i mërzitshëm sikur që kisha menduar. Përkundër disponimit tim të zymtë, disa herë ia doli të më bënte të qeshesha, gjë që e konsiderova përparim të mirë në raportin tonë.

 A e di, Dibran, nuk je ti edhe aq i keq - disi më shpëtoi dhe i thash derisa e përcillja. Pashë sesi përnjëherë u bë i ngathët pasi që dëgjoi këto fjalë. - Më vjen mirë që mendon kështu. E di, mendimi yt për mua ka rëndësi të madhe. Me të vërtetë... - bërbëliste derisa i ndryshonte ngjyra në fytyrë. - Nëse do të kesh nevojë për ndonjë këshillë miqësore, apo për dikë për t'i qarë hallet, lirisht më thirr - tha ai, duke u munduar që tërë këtë situatë ta kthente në shaka. Gjatë ditëve të ardhshme vetëbesimi im ishte i barabartë me zero. Vazhdimisht mendoja rreth Burimit. Në fakt, ai as që më kishte premtuar ndonjë gjë, e as që më ishte betuar për një dashuri të përjetshme.

Megjithatë, më mungonin pa masë shikimet, prekjet dhe puthjet e tij. Nuk mund të pajtohesha me faktin se ai më kishte harruar kaq shpejt. Deri para dhjetë dite do ta vija dorën në zjarr se ndjenjat tona ishin të dyanshme. Por, mesa duket, isha mashtruar keq në rastin e tij. Sidomos më vinte keq për faktin se më ofrohej ditëlindja, të cilën doja ta kaloja me njeriun të cilin e doja. Përkundër arsyes, shpresa ende nuk më kishte braktisur. E prisja me dëshirë thirrjen e tij, e cila assesi të vinte. Rreth një javë më pas u takova me Dilen në kafenenë tonë të preferuar dhe, disi pa vullnet, bëja plane për ditëlindjen time, kur më cingëroi telefoni.

Për pak sa nuk u rrëzova nga karrigia kur në anën tjetër të telefonit dëgjova Burimin. Isha aq e lumtur që ia dëgjoja zërin, sa që i harrova të gjitha të tjerat.  Hej, bukuroshe! Çka do të bësh sonte? Kisha diçka ndërmend. Vetëm unë dhe ti - më thoshte ai duke pëshpëritur, derisa unë isha duke u shkrirë nga kënaqësia. - Në rregull - i thash unë me padurim, gjë që e bëri shoqen time të më shikonte e habitur. Në fytyrën e saj pash qortim, por nuk mërzitesha për këtë. Me rëndësi ishte vetëm që Burimi përfundimisht më thirri dhe që sonte do të dilnim së bashku. (vijon)

(Kosova Sot Online)