Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (62)

  • E.K /
  • 23 January 2021 - 17:13
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (62)

KAPITULLI I NJËZETEGJASHTË

Gëzimi nuk dinte asgjë rreth kësaj meseleje. Fjalët e Kujtimit i erdhën krejtësisht të papritura. Filloi të ndihej në siklet para dhëndrit, i cili në njëfarë mënyre, ishte si një vëlla i madh për të, të cilin nuk e kishte pasur kurrë. I vinte turp që t'i shikonte fëmijët. E vajzat, për herë të parë në jetën e tyre, nuk e përqafuan dajën, e as nuk e pyetën çka u kishte blerë. E tërë situata filloi që të bëhej e padurueshme. - Gëzim, a me të vërtetë asgjë nuk të ka thënë Sabrina, a? As edhe një fjalë të vetme? - Kujtim, më beso! Si vëllait po ta them. Ende nuk mund të besoj se ka ndodhur një gjë e tillë. Përsëri pasoi heshtja. Kur, papritmas Gëzimi nxori me shpejtësi telefonin nga xhepi. Të tjerët e shikuan, sikur për të kërkuar sqarim, por ai pa thënë gjë, e thirri dikë.

 Lendita, unë jam... Mirë, mirë, ti si je? Mirë... Hej... a ke folur me Sabrinën këtyre ditëve? Si? Po, a! Po mirë bre motra ime e dashur, po pse nuk më ke treguar? Jo... jo more po çka po thua?! Nejse... Qenka larguar nga shtëpia... E paska lënë një letër... me dikë... nuk e di. Hajde, pra! Lendita ishte motra e dytë, menjëherë pas Sabrinës. Gëzimi iu tregoi se ajo paska folur para tri dite me Sabrinën në telefon dhe paska vërejtur se nuk ishte bash mirë, por nuk kishte dashur ta bënte të madhe këtë punë. I ishte ankuar diçka në lidhje me Kujtimin, sesi më shumë qëndron jashtë shtëpisë, sesa në shtëpi, sesi kishte filluar të mos e donte më si më parë, etj. Këto fjalë Lendita nuk i kishte marrë me seriozitetin e duhur.

Tani edhe ajo ishte për të ardhur te ta. Gëzimi u ngrit në këmbë dhe filloi që të endej nëpër sallon, duke ofsharë herë pas here. - Kujto, a je bre burrë i sigurt se atë letër e ka shkruar Sabrina? - Shkrimi i saj është, Gëzim... Nuk ka fije dyshimi. - Po... mos e ka detyruar ndokush ta shkruante atë letër?! Mos e ka marrë ndokush me dhunë? - Gëzim, vajzat e kanë parë atë duke dalë... Ajo bile edhe është përshëndetur me to... I ka përqafuar. I ka përqafuar dhe ka qarë. E ktheu shikimin kah të bijat, për të parë mos kishte thënë ndonjë gjë që mund t'i kishte shqetësuar ato. Pa se Kujtimja ishte thelluar në mendime, kurse Dida kotej dhe sa nuk kishte fjetur, ashtu ulur siç ishte. - Duhet ta lajmërojmë policinë, dhëndër! - Policinë?! - Po, ndoshta ata na ndihmojnë... - Mesa di unë, ata nuk ndërmarrin asgjë pa kaluar 24 orë nga momenti i zhdukjes së një personi... - Por... - Megjithatë, të presim pak, të shohim nëse do të marrim vesh diçka.

Erdhi Lendita. Me vete kishte marrë edhe dy binjakët e saj pesëvjeçarë. Kujtimi kurrë nuk e kishte parë atë ashtu të parregulluar. Ajo ishte shumë pedante, por kësaj here nuk i kishte krehur as flokët dhe kishte dalë thuajse me rroba të shtëpisë. Pasi që u përshëndetën, për disa minuta askush nuk tha asgjë. Ishte Kujtimi ai që e theu heshtjen. - Lenditë, mesa mora vesh, ti paske biseduar me Sabrinën para ca ditësh, apo jo? - Po, në telefon... Nuk e di, Kujtim. Thënë të drejtën ajo mu ankua se ti... ke filluar ta lësh anash, se vazhdimisht ose rri në kompjuter, ose del jashtë shtëpisë... - Jo, bre... Kujtimi filloi të mendonte se, të paktën pjesërisht, Sabrina mund të ketë pasur të drejtë, meqë kohëve të fundit disi si tepër ishte marrë me ato Të Martat e mallkuara. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)