KOHA E HIPOKRITEVE ZILIQARE!...
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Kemi humbur rrugën si popull dhe si shoqëri; jemi duke u përballur me dukuritë më ekstreme të njerëzve të pakarakter – hipokritë, të cilët pa fije turpi e ndërrojnë karakterin sa herë që kanë nevojë. Është e dhimbshme, e turpshme dhe e mallkuar për figura të ndryshme që rastësisht kanë hyrë në politikë me pretendime për të përfituar materialisht dhe për t’u ngritur në karrierë. Ky soj njerëzish po e shfaqin fytyrën e tyre të vërtetë, edhe tani kur fushata parazgjedhore eshte ne flugun me te madh. Ata më herët janë bërë pjesë e partive politike me vullnetin e tyre, duke brohoritur e vrapuar pas liderit, duke thurur vargje e lavdi dhe duke e lartësuar deri në qiell bashkëpunëtorin e tyre.
Tani, po këta njerëz, pasi i humbën privilegjet në parti dhe nuk arritën ta marrin “kalanë nga brenda” përmes opstrukcioneve dhe bllokadave duke lënë vendin pa institucione dhe duke shkaktuar kriza politike tani po këta njerëz për ta rrëzuar “perandorin”, janë kthyer duke vrapuar nëpër televizione private, në debate të mjerueshme, duke shpifur, njollosur e denigruar, me gjithë mendjen e sëmurë, ish-bashkëpunëtorët e tyre partiakë. Ky formacion i një grupi të ashtuquajtur pseudoanalistësh dhe opinionistësh është dislokuar nëpër studiot televizive private, duke “derdhur lot krokodili për popullin e Kosovës dhe ardhmërinë e shtetit”. Ky soj njerëzish dikur vraponte pas ish-liderëve dhe klaneve të tyre si këshilltarë e bashkëpunëtorë, duke u shndërruar në servilë të vërtetë. Tani, në këtë kohë kur Kosova po përballet me sfida të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe të ruajtjes së sovranitetit të shtetit, këta individë të pakënaqur kanë filluar të ekspozohen duke shpifur në të gjitha mënyrat kundër ish-partiakëve dhe bashkëpunëtorëve të dikurshëm. Kjo mënyrë e komunikimit nuk ka ekzistuar më parë në traditën e popullit Shqiptar. Të shpifësh me urrejtje patologjike ndaj ish-bashkëpunëtorit, ish-shokut apo “ish-mikut” partiak, nuk është gjë tjetër përpos pafytyrësi dhe hipokrizi. Njerëzit me karakter nuk e ulin asnjëherë nivelin e moralit dhe dinjitetit njerëzor përmes shpifjeve të ndyta, të cilat mjerisht po ndodhin ne mesin tonë por për fatë të mirë nuk ju beson askush. Koha po tregon se në politikë populli asnjëherë nuk gabon. Populli di të gjykojë, të mendojë dhe të pozicionohet gjithmonë në interesin e përgjithshëm të shtetit dhe kombit. Andaj, në shekullin XXI, në Kosovën e plagosur nga lufta e fundit me Serbinë, ende kanë mbetur mbeturina që po e njollosin imazhin dhe perspektivën e këtij vendi, i cili tërë historinë e tij e ka të mbushur me vuajtje. Këto mbeturina në politikë janë bërë barrë e rëndë e shoqërisë Kosovare duke e përqarë shoqërinë për interesat e tyre financiare e karrieriste e duke e dëmtuar imazhin dhe prestigjin e shtetit të Kosovës. Andaj në fund mendoj se është koha e fundit që përmes këtyre zgjedhjeve të panevojshme më në fund të braktisen këta liderë, këta deputetë, këto figura të degraduara dhe të konsumuara për ti dhënë frymë të re njerëzve që janë të gatshëm ta ndryshojn gjendjen në aspektin pozitivë dhe ti dhënë kuptim Shtetit të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
