Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (7)

  • E.K /
  • 25 January 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Përvoja ime e hidhur me të dashurin bizar (7)

Mendoja se ëndërroja kur dy ditë më vonë më thirri Burimi. Me asnjë fjalë nuk e përmendi "ngjarjen e pahijshme". Ishte i sjellshëm dhe njeri i mirë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Zemra më rrihte më shumë nga gëzimi kur tha se ishte duke planifikuar që të ma organizonte një ndejë befasie për ditëlindje. - Kuptohet, në banesën time. Do të shohësh vogëlushe, do t'ia kalojmë për mrekulli. Ushqim dhe pije nga më të mirat, një shoqëri e mirë dhe muzikë e mirë... Shpresoj se nuk do të zemërohesh që kam marrë lirinë duke ftuar edhe disa njerëz të tjerë? - tha ai me zë të çuditshëm. - Natyrisht se jo. Me rëndësi ka vetëm që të jem me ty - nuk u durova pa i thënë. Tanimë në mendime paramendoja Burimin duke më puthur, e në fund, duke më propozuar fejesë para të gjithëve.

E vetmja gjë që më shqetësonte ishte sesi do t'i tregoja Diles dhe Dibranit se binte poshtë marrëveshja jonë për festimin në restorant. Duke njohur shoqen time, nuk dyshoja se ajo do të ofendohej rëndë, gjë që edhe nuk mund t'ia shihja për të madhe. Do të ishte më mirë që t'i tregoja sa më parë, mendova. Megjithatë, kjo ishte më lehtë të thuhej, sesa të bëhej, kështu që gjatë ditëve të ardhshme mblodha fuqinë për ta bërë një gjë të tillë, gjë që e bëra të shtunën në mëngjes. - Dila, marrëveshja jonë për festimin në restorant për fat të keq, bie poshtë. E di, Burimi të shtunën më ftoi të shkoja te ai. Më vjen keq, por nuk mund ta refuzoj. Jam e sigurt se do të kuptosh... - thash me keqardhje, duke parë shikimin e Diles plot zhgënjim. - Mirë, atëherë, por të paktën ndoshta do të mund të drekonim atje. Dibrani është munduar aq shumë - tha ajo. - Me të vërtetë më vjen keq. Fundja, Dibrani mund të vijnë te ne të dielën.

Çka mendon? - e pyeta e dëshpëruar, vetëm sa për ta qetësuar ndërgjegjen. Ja, nuk ishte aq vështirë sikur që kisha pasur frikë, e ngushëlloja veten. - Në rregull, bëja si të duash. Fundja, kjo është ditëlindja jote, apo jo? - mu përgjigj me sarkazëm. Kur atë mbrëmje hyra në banesën e Burimit, thjesht mbeta pa fjalë. Gjithçka ishte rregulluar për mrekulli. Bile edhe mysafirët tanimë ishin aty. Dukej se Burimi ishte munduar shumë që, atë mbrëmje, të ndihesha sa më mirë. Sapo më puthi dhe ma uroi ditëlindjen, filloi të më njoftonte me të tjerët. Edhe pse që të gjithë ishin të sjellshëm dhe mirë të disponuar, nuk mund t'i ikja përshtypjes se sjellja e tyre ishte nga pak e çuditshme. Vëmendjen ma tërhoqi një vajzë e pashme, e moshës sime. Veshjen e saj në rastin më të mirë mund ta quaja të guximshme. Fustani të cilin e kishte veshur zor se i linte diçka imagjinatës për të paramenduar, por dukej se ajo nuk mërzitej për këtë gjë. Rrinte ulur rehat-rehat në një kolltuk, duke pirë pijen e saj dhe duke përcjellë me interesim atë që ndodhte. Ata sy... isha e sigurt se i kisha parë diku. Me kalimin e natës, shoqëria vinte duke u bërë gjithnjë e më e lirë.

I dashur, faleminderit. Kjo është festa ime më e mirë në jetë - i thash duke mu marrë goja, derisa Burimi ishte duke vallëzuar me tri femra përnjëherë. - Nuk ka përse, vogëlushe. Befasia më e madhe ende nuk ka ardhur. Vetëm rekalsohu. Ja, pije këtë - më tha, duke ma zgjatur një gotë. Edhe pse më nuk më pihej, e dëgjova Burimin dhe e piva atë pije deri në fund. Duke u kthyer, pash disa meshkuj duke vallëzuar vetëm me rroba të brendshme. Pa e marrë ende veten mirë, pashë se muzika përnjëherë u ndal thuajse fare, e drita po ashtu u bë më e dobët. Më dukej sikur dhoma rreth meje ishte duke u sjellë. (vijon)

(Kosova Sot Online)