Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (65)

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 15:53
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (65)

Duke parë gjendjen e saj nervoze dhe konfuze, paskan vendosur që ta sillnin në psikiatri. Kujtimi e dinte se sa shpesh ndodhte që policia të sillte aty njerëz që nuk kishin aspak nevojë për trajtim. Pasi mblodhi fuqinë, e bëri pyetjen që e brente gjatë tërë kohës. Donte ta dinte kush ishte rivali i tij misterioz. - E... kështu... A ishte ndokush tjetër me gruan time? - Po... Iu duk se i luajti kapaku i kresë. - Po, zotëri. Me gruan tuaj ishte edhe një fëmijë i vogël. - Djali ynë... Por, unë mendova a ishte ndokush tjetër, përpos tyre? - Jo... Pse, a do të duhej të ishte ndokush tjetër me ta, a? - Jo, jo. Veç pyeta, ashtu... Ndjeu një lehtësim të menjëhershëm. Sikur kur i hidhet prushit ujë, që fiket në moment, duke lëshuar një tym të zi.

Megjithatë, ende nuk ishte tërësisht rehat. Jo para se të bisedonte me Sabrinën. Shqetësohej shumë për gjendjen e saj, por mendonte se do të ishte gjysma e së keqes, po të mos ekzistonte "ai", ai mashkulli që kishte dashur t'ia merrte gruan. Edhe pse nuk e kishte idenë se kush mund të ishte ai, Kujtimi tanimë ndjente një urrejtje të madhe ndaj tij. Do ta shqyente në vend, si zhabën. Më pas policja i bëri disa pyetje rutinore. A kishin pasur ndonjë konflikt, a kishte gruaja histori të trajtimit, etj. Edhe pse disa herë deshi që t'ia jepte polices "letrën lamtumirëse" të Sabrinës, prapëseprapë nuk e bëri një gjë të tillë. Nuk i tregoi as faktin se Sabrina kishte përmendur një mashkull në letrën e saj.

Thjesht, duke e injoruar këtë "detaj", sikur shpresonte se ai do të zhdukej, do të zhbëhej. Fundja, çka do t'i duhej policisë një detaj i tillë? Mezi i pritej që ta mbaronte bisedën me policen dhe të shkonte te Sabrina dhe te i biri. Kur doli pa se Rinori ia recitonte Mirelës një vjershë që e kishte mësuar në çerdhe. U drejtua kah zyra e infuzioneve. E hapi derën, kësaj here me një vendosmëri më të madhe. Pa se aty gjendej infermieri Leka duke ia hequr infuzionin e mbaruar Sabrinës. U përshëndetën pa e zgjatur shumë dhe, menjëherë pasi e mbaroi punën, Leka doli jashtë. - Ku është djali? - Aty jashtë... me një infermiere. - A është mirë? - Po, po... Pasoi një heshtje prej disa sekondave. - A po shkojmë në shtëpi, Kujtim? - Po... mund të shkojmë... Po ti, a je mirë? - Mirë, mirë... Nuk u durua pa e pyetur. - Po çka ndodhi moj Sabi? Pashë Zotin më trego, se dua të çmendem nga meraku. Ajo e shikoi. Sytë iu mbushën përsëri me lot. - Pse nuk më ke treguar? - Urdhëro?! - Pse...? Pse të dëgjoj unë nga hallku... ? Pse nuk më ke treguar ti?!

Sabrina, për çka e ke fjalën? A jam unë ai që duhet të kërkoj sqarime nga ti, apo ti nga unë?! Me të vërtetë filloi që të ndihej nervoz nga kjo sjellje akuzuese e Sabrinës, në një situatë kur vet ajo ishte fajtore. Por, duket se Sabi nuk e vërejti këtë. - Kujtim, të lutem... Mos e moho më. Kujtimit menjëherë i ra ndërmend "meseleja" e tij me dr Tinën. Athua ta ketë marrë vesh Sabrina? U skuq, u bë si spec. - Të kanë parë njerëzit... - Sabrina, të lutem më trego për çka e ke fjalën... Të lutem! Ajo u shkreh edhe më shumë në vaj. - Lëre, më mirë! Do të bisedojmë më pas, në shtëpi... Ma sill djalin ta shoh! Autor: H. B.

(Kosova Sot Online)