Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (2)

  • E.K /
  • 06 February 2021 - 16:19
Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (2)

Dhe, fillova ta pyesja veten se mos ishte ai duke më fshehur ndonjë gjë. I pashëm, i ri, e punon në një firmë ku ka shumë femra, kurrë nuk i dihet - mendova, duke i qitur kafet, ku për shkak të këtyre mendimeve filluan të më dridheshin duart. - A je mirë? - më pyeti Salihu, duke më shikuar me një shikim depërtues. - Mirë, mirë! Vetëm më duket se më ka prekur ndonjë virus - e thash rrenën e parë që më ra ndërmend. - Atëherë më së miri do të jetë që sot të qëndrosh në shtrat. Për fat të keq, mua më duhet që të punoj - tha ai, duke ma lëmuar faqen. - Duhet të punosh? Paj sot është e shtunë. Edhe atë ndërrimi i dytë? - i thash me kujdes, derisa në mua rritej një dyshim gjithnjë e më i madh.

 Ajo që duhet bërë, duhet bërë! Aktualisht kompania jonë ka shumë punë, e disa lek më shumë nuk do të na bëjnë keq, apo jo? Nëse do të jesh vajzë e mirë, ndoshta kur ta marr rrogën do të t'i blejë ato këpucët të cilat i pe atë ditë dhe të pëlqyen pa masë - tha ai duke buzëqeshur. Kështu, dmth! Tani tenton edhe të më mashtrojë me dhurata. Paj, nuk thonë kot se, aty ku ka tym, ka edhe zjarr. Kushedi se me kë ti po argëtohesh dhe, ku?! Tanimë isha thuajse plotësisht e sigurt në vërtetësinë e informatës së personit anonim, që e kisha marrë disa ditë më parë. Megjithatë, e dija se, para se të bisedoja me Salihun, duhej të kisha dëshmi të forta në duar rreth tradhtisë së tij.

Pjesën tjetër të ditës e kalova tërësisht e shqetësuar. Nuk ia doli që të ma përmirësonte disponimin as vizatimi i Laurës, e cila atë pasdite kishte vizatuar me dorën e saj jo të shkathët vetëm për mua. Mendjen vazhdoja ta kisha të preokupuar me Salihun dhe me porosinë anonime. Duke besuar se shoqërimi me Mirlindën do të ma përmirësonte paksa disponimin, vendosa që ta ftoja në kafe. Sapo e mora celularin në dorë, kur më erdhi mesazhi i radhës: "Sapo ta pash burrin. Në punë?! Po more, qysh jo! Derisa ti rri si qyqe në shtëpi, ai kënaqet me zeshkanen e tij. E mjera ti!!" Derisa me duart që më dridheshin e thirra numrin nga i cili më erdhi ky mesazh, pashë se ai numër ishte i fikur. I tërë trupi filloi të më dridhej, derisa këtë e vërejti edhe Laura. Atë e qetësova, e në vete mendova se, sapo të vinte Salihu në shtëpi, do t'i sqaronim të gjitha gjërat. - Komshikeee! - përnjëherë nga jashtë dëgjova zërin e shtjerrë të fqinjës sonë të parë, Keti.

Shtypja e gjakut të cilën e kisha të lartë, vetëm sa mu ngrit edhe më shumë. Në përgjithësi nuk kisha asgjë kundër Ketit përkundër faktit se ajo ishte si tellalli i Gjakovës, për çka askush në fshat nuk e donte, mundohesha që me të t'i ruaja marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kalimi i kohës kot dhe thashethemet asnjëherë nuk kishin qenë stili im, por fqinjës sime dhjetë vjet më të vjetër duket se kjo aspak nuk i pengonte. - Mirëdita! A është dreka gati? Çka ke bërë sot? - tha nga dera, ende pa hyrë brenda. mezi arrita që t'i përgjigjesha, kur ajo vazhdoi: - Oh, shiko, shiko! Zonja paska kuzhinë të re? Nuk është keq, jo, jo! Po shoh se edhe muret sapo i keni lyer. Po, po. Nuk dua të përzihem, por atë mur a nuk do të ishte më mirë sikur, në vend me të verdhë, ta lyeje me të portokalltë? - vazhdoi, derisa i shkëlqenin sytë. Me sytë e saj si skaner, ajo e kontrolloi tërë shtëpinë. (vijon)

(Kosova Sot Online)