Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (4)

  • E.K /
  • 08 February 2021 - 15:44
Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (4)

"Të dashurin e ke në shtëpi, apo jo? Natyrisht se po, pasi që e ka të dashurën në det këtë vikend. Javën e kaluar ishin bashkë dhe, ta dish, e dashur, ata dy duken si dy pëllumba të dashuruar. Pse e lejon të sillet kështu? Me të vërtetë je e mjerë" - shkruante në porosinë e cila përsëri ma lëndoi zemrën. I tërë trupi sërish filloi të më dridhej, prandaj mu desh që të ulesha. Jo, kjo më nuk mund të vazhdonte kështu. Nuk dua që të jem budallaqja e Salihut. Sot do t'i them se i di të gjitha dhe do të kërkoj shkurorëzim - vendosa, derisa faqeve pa vullnetin tim, më rrodhën dy lot. Mezi e prisja mbrëmjen, që ta veja vajzën në shtrat. Sapo fjeti, i ktheva në dhomën e ditës, ku Salihu me fytyrën shumë serioze, përcillte një ndeshje futbolli. - Salih, duhet të bisedojmë - thash duke u dridhur. - A mund ta lëmë për nesër?

Sonte nuk jam i disponuar - më tha, pa më shikuar fare. Më duhej ta pranoja se një rrjedhë të tillë të ngjarjes nuk e kisha pritur. Por, përkundër kësaj, nuk e kisha ndërmend të hiqja dorë. - Pse nuk më ke thënë? Do të kuptoja - vazhdova duke besuar sesi kjo do të ishte lehtë, por u mashtrova. Pak më mungonte që të shkrehesha në vaj. - E, çka ashtu do të ishte dashur të të tregoja? Se tash e disa net nuk fle faji yt? Se punoj si kali, vetëm që zonja t'i ketë të gjitha që i duhen?! E, pse?! Që të më mashtrojë më mirë? Nëse ke menduar se nuk do ta merrja vesh kurrë, atëherë je mashtruar rëndë! - bërtiti, duke kërcyer nga kauçi. - Salih, çka dreqin je duke thënë, more? - e pyeta e tronditur, por nuk vonoi shumë e mu duk se kuptova çdo gjë.- Ah, kështu d.m.th, për shkak të qyqarllëkut tënd tash të gjitha gabimet do të m'i gjuash mua?! Por, nuk ke asnjë shans. Dua shkurorëzim! - bërtita, duke u dridhur nga zemërimi. - Ha-ha! Shkurorëzim?! D.m.th kaq shumë e do atë, sa që je e gatshme edhe për shkurorëzim?

A mendon se nuk e di se keni qenë së bashku, a? Vetëm ta dish, ekziston një person i cili ju ka parë. Tani e kam të qartë pse Meritën e merr gjithmonë me vete. Të shërben si paravan, apo jo?! Por, nuk ka problem edhe ajo do të më dëgjojë - vazhdoi me zemërim, duke e ndezur cigaren. - Salih, pashë Zotin çka po thua? Ti e di se kurrë nuk do të të mashtroja - thash më se e befasuar, pa kuptuar se çka ishte duke ndodhur. - Meqë po më pyet, po të tregoj. Duket se të dashurin nuk e ke edhe aq besnik, meqë me ditë të tëra më tregon deri në detaje se ku keni qenë dhe çka keni bërë prapa shpinës sime. Në fillim mendoja se e tërë kjo ishte ndonjë shaka e pakripë, e kushedi se kujt, por kur më pas fillova t'i analizoja dhe lidhja gjërat, kuptova se tërë kjo mund të ishte e vërtetë, edhe atë shumë e vërtetë, bile. Ato udhëtimet e tua... do të duhej ta dija se fshihet diçka aty - vazhdoi duke e fikur cigaren dhe duke e ndezur menjëherë një tjetër, derisa fytyra i merrte një ngjyrë gjithnjë e më të kuqe.

 Ndalu, të lutem, ndalu! Ti e di mirë se kjo nuk është e vërtetë. Edhe unë ka disa ditë që marr porosi të njëjta për ty. Rreth asaj sesi e ke një të dashur, derisa unë rri si qyqe në shtëpi. Ja, mund të të tregoj, nëse nuk më beson - thash përfundimisht atë që kisha në zemër, e Salihu filloi të më shikonte me habi. Dy orë më vonë, pas një analize të thuktë dhe krahasuese të mesazheve të arritura, të cilat na kishin ardhur nga numri i njëjtë, erdhëm deri në përfundim se autori i tyre ishte dikush që na njihte të dyve shumë mirë. - Kam frikë se nuk do të mund të bëjmë asgjë pa e njoftuar policinë. (vijon)

(Kosova Sot Online)