Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (78)

  • E.K /
  • 08 February 2021 - 15:52
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (78)

I kujtohej edhe biseda e fundit që kishte pasur me të. Ndjente një urrejtje të madhe ndaj vetvetes edhe pse e dinte se tanimë ishte vonë, tepër vonë për të ndryshuar ndonjë gjë. Ndihej fajtor për vdekjen e së ëmës, por meqë zemërimin ende e kishte të madh për faktin që e ëma, për kaq shumë kohë, nuk i kishte treguar se kush ishte i ati i tij, disi këto dy ndjenja balancoheshin dhe i ndihmonin atij që ta mbante veten. Me gjasë, pasi që t'i ketë ikur zemërimi, e ai do t'i kalonte doemos, atëherë ai do të ndihej shumë më keq, meqë do t'i mbetet vetëm ndjenja e fajit, e cila do të jetë më e fuqishme dhe më e pashpirt. Ndjente një boshllëk të madh në shpirt, një zjarr që ia digjte zemrën. I vinte të bërtiste nga inati që nuk kishte qenë pranë të ëmës në momentet e fundit të jetës së saj. Kishte kohë që ai e përgatiste veten për një situatë të tillë, të pakëndshme dhe frikësuese deri në pafundësi, por, për fat të keq, po aq edhe të paevitueshme.

Gjatë tërë fëmijërisë e kishte pasur frikën e braktisjes. Ishin të shpeshta netët kur zgjohej i tëri i mbuluar në djersë. Ëndrra ishte e llahtarshme - e kishte braktisur e ëma, personi i vetëm, i cili i ofronte ngrohtësi emocionale. Derisa ishte më i ri, i lutej Zotit që të mos ishte aty kur e ëma do të jepte shpirt. Thjesht, vetëm ideja se një gjë e tillë do të ndodhte, e bënte të ndihej tmerrësisht keq. Por, kur u martua dhe kur u bë edhe vetë prind, i dukej se do të ishte humbje e madhe po të mos ishte aty kur do të ndërronte jetë ajo. Donte ta përcillte në botën tjetër atë që e kishte sjellë në këtë botë. Kështu rezononte edhe pse nuk ishte aspak fetar... Svetlana i qëndronte afër, e kishte kapur për krahu dhe, herë pas here, ia shtrëngonte atë lehtazi, sikur të donte ta ngushëllonte dhe t'i jepte fuqi. Marko, i cili kishte sytë e skuqur nga vaji, bashkë me Violetën, e cila po ashtu ishte e pikëlluar, por atë e shprehte në një mënyrë tjetër, rrinin ulur në një kënd, kurse në një skutë tjetër qëndronte Zorani. Për herë të parë pas tërë asaj kohe, dukej se ai ishte esëll.

Fytyra e tij ishte disi bosh, pa emocione. Aty ishin edhe disa kushërinj, të afërm të Zoranit, të cilët Denisit nuk i kujtohej kur i kishte parë për herë të fundit. Tani ata edhe ashtu i konsideronte si njerëz të huaj. Zoranin po ashtu. Tani ndaj tij nuk ndente më asgjë që mund të ndjejë i biri ndaj të atit. Edhe para se Marta t'ia kishte treguar të vërtetën rreth asaj se i kujt ishte, ai kishte kohë që Zoranin nuk e përjetonte si baba. Për këtë shkak, sikur të kishte fuqi, gjë që nuk e kishte, të gjithë Uskokovicët do t'i nxirrte nga aty, duke ua bërë me dije njëherë e mirë, se ai nuk ishte i farës së tyre, nuk ishte i biri i vëllait dhe kushëririt të tyre. I dukej sikur prania e tyre ishte ofendim për nënën e ndjerë, meqë askush nga ta, përkundër asaj se kishin ditur rreth sjelljeve të pahijshme dhe të dhunshme të Zoranit, askush kurrë nuk i kishte ofruar mbështetje, apo të paktën ngushëllim Martës. Ishte evidente se familja Uskokovic kurrë nuk e kishte pranuar kroaten Marta si pjesë të veten. Sidomos pas luftës në Kroaci, atë thuajse e kishin leçitur të gjithë, familjarisht. Vetë Marta ishte e vërtetë se kishte tentuar, të paktën në fillim, t'ia kalonte mirë me të afërmit e Zoranit, por më vonë, duke parë injorimin dhe refuzimin e tyre, nuk ishte munduar më në atë drejtim. "Dinjitetin tim nuk e shkeli për askënd", thoshte ajo. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)