Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (80)

  • E.K /
  • 10 February 2021 - 15:48
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (80)

Për një çast sikur mund të gjente arsyetime për të gjitha të këqijat që ai i kishte bërë në jetë. Për alkoolizmin e tij, për keqtrajtimin e Martës, të tijin... Pasi që e shikoi, pa se edhe Zorani e shikonte atë dhe i kishte sytë e mbushur me lot. Sikur donte t'i thoshte diçka... Verica kapi si e tërbuar pallton e saj dhe iu drejtua të bijës me zemërim. - Hajde, ti! Çka po pret? A të na rrahin, a? Hajde të ikim nga këtu! Le t'ia bëjnë si të duan! Pasi që u largua Verica me të bijën, Zorani iu afrua Denisit. Me një zë që dridhej, iu drejtua duke e shikuar drejt në sy. - Deni... Kjo ishte hera e dytë që ai e thërriste kështu. - A mund të kalojmë në dhomën tjetër? Desha të bisedoja me ty... Denisi nuk kishte si të mos pranonte, sidomos pasi që vërejti se i ati mbante një qese në dorë. "Me gjasë do të jenë gjësendet personale të nënës", mendoi ai.

Pasi që hynë në dhomën e ndejës dhe u ulën, Zorani mori qëndrimin e dikujt që përgatitet për të thënë diçka, por që i duhet më shumë kohë për t'ia filluar. - Denis... mora vesh se Marta të ka treguar për të gjitha... - Po... Të dy u ndien në siklet. Nuk dinin çka të thoshin. Midis tyre ishte krijuar një hendek tepër i gjerë, sa që nuk ishte e mundur që të tejkalohej qoftë edhe në një moment kaq të veçantë, sikur që ishte ky. - Me gjasë je duke menduar se jam vetëm një alkoolist që flet broçkulla... Filluan t'i rridhnin lotët. Denisi nuk dinte si të vepronte. Përkundër hezitimit, ia shtrëngoi krahun, sa për ta ngushëlluar. - Kërkoj falje nga ti për gjithçka që të kam bërë. Ke merituar një baba më të mirë se unë... Nuk i tha asgjë. Por, me një të tundur të kokës ia bëri me dije se e kuptonte. Zoranit iu desh një kohë derisa arriti t'i qetësonte emocionet. - Martën e kam dashur me gjithë zemër. E di se ajo nuk më ka dashur mua kurrë.

Por, kam qenë i lumtur edhe kështu... Mirëpo, më vonë i prisha të gjitha. U dhashë pas kësaj të mallkuarës raki... Nejse. Dje, pasi që mbeta pa para, erdha në shtëpi për të kërkuar nga Marta. Ajo ishte duke dhënë shpirt... Përsëri i dolën lotët. - Më tha që të t'i jepja këto gjësende, pasi që më tregoi se ti tanimë e dije se i biri i kujt je. Denisi mori qesen me disa gjësende, që dukeshin sikur letra dhe fletore, me disa albume fotografike. - Të kuptoj plotësisht nëse nuk dëshiron të më shohësh më, por ta dish se ti do të jesh përgjithmonë biri im... I vetmi bir që pata. Denisi e shikoi disi me mosbesim. Ishe e vërtetë se nuk ishte i interesuar t'ia vështirësonte jetën këtij njeriu edhe më tepër, por i dukej e tepërt që ai t'ia thoshte këto fjalë. - Duhet ta dish se sa herë që të kam sharë, a rrahur, unë në fakt e kam sharë fatin tim të zi, që nuk ma mundësoi të bëhesha baba. Kjo ishte dëshira ime më e madhe në jetë.

Tani Zorani filloi të qante me dënesje. Denisi e përqafoi dhe edhe atij iu mbushën sytë me lot. Edhe ai mallkonte fatin që nuk ia kishte mundësuar ta njihte të atin e tij të vërtetë. Gjatë tërë jetës i kishte munguar figura atërore. Tani me të vërtetë i vinte keq për Zoranin e mjerë, por kishte qenë një periudhë e gjatë kur ai ishte lutur për vdekjen e tij. - Ta dish, Deni... Kur dëgjonte se ai e thërriste kështu, disi nervozohej, sepse i dukej se Zorani nuk e kishte të drejtën ta thërriste ashtu. Përkundër të gjithave! Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)