Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (79)

  • 09 February 2021 - 15:49
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (79)

Në dhomë hyri Verica, motra e madhe dhe prepotente e Zoranit. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ajo me familjen jetonin në një fshat afër Nishit. Para luftës kishin jetuar në Fushë Kosovë. Pasi që ajo ua shprehu ngushëllimet të gjithëve, filloi të bënte "xhër, xhër" në vesh me një të afërme tjetër. Më pas halla Vera, sikur që e quanin të gjithë, iu afrua Denisit duke iu drejtuar me një zë autoritativ. - Denis, e di se ti nuk je ballafaquar më parë me raste të këtilla. Për këtë shkak nuk ta shoh për të madhe që ende nuk e ke kontaktuar askënd nga kisha për ta përgatitur funeralin. Unë tani me Natashën do të shkoj në kishë dhe do t'i kryej të gjitha. Natasha ishte e bija e saj, e cila për dallim nga e ëma, kishte një shpirt engjëlli. Edhe vet ishte e bukur si engjëll. - Faleminderit shumë për gatishmërinë tënde, por do të shkoj vet në kishë. Isha vetëm duke u menduar se ku gjendet kisha më e afërt katolike këtu në Nish...

Kisha katolike?! Në zërin e hallës Vera, më shumë se befasia, hetohej në dozë e madhe nervozizmi dhe kundërshtimi. Sikur donte t'ia bënte me dije Denisit se kishte thënë blasfeminë më të madhe të mundshme. - E, çka na duhet kisha katolike, nipi im? Këtë "nipi im" e tha me një urrejtje dhe cinizëm që nuk mund të fshihej. Dukej se Verica nuk e donte askënd tjetër, përpos vetvetes. Denisin e nervozoi shumë kjo sjellje e saj, prandaj vendosi t'ia kthente me të njëjtën masë. - Hallë e dashur Vera... nuk e di se sa e afërt ke qenë me nënën time. Por, nëse nuk e ke ditur, ajo ka qenë katolike dhe si e tillë edhe do të varroset. Verica në fillim ngeli pa tekst, meqë nuk ishte mësuar që të tjerët t'ia jepnin asaj ta hante gjellën të cilën ua servonte atyre. Pasi që e mori veten paksa, reagoi me nervozizëm.

A edhe në këtë moment tragjik do ta injoroni vëllanë tim, a? A nuk e keni injoruar mjaft të shkretin gjatë tërë jetës së tij? Si po bëka, sipas teje, që një familje e respektuar ortodokse ta organizojë funeralin sipas kishës së mallkuar kroate? Denisi mori frymë dhe u përgatit të thoshte diçka, por Verica ishte më e shpejtë. - Mos harro, nip, se edhe ti je i joni. Edhe ti, sado që ke bërë tërë atë shkollë dhe ke një punë zotërinjsh, në fund të fundit je një Uskokovic dhe një ortodoks. Apo, ndoshta të vjen turp nga ajo që je?! Sapo Denisi deshi që t'ia thoshte troç të vërtetën, se lëre më që nuk ishte Uskokovic, por nuk ishte as serb, as ortodoks, por një gjysmë ustashi dhe një gjysmë "shiptari", se ishte mishërimi i ankthit më të madh të tyre, ishte Zorani, i cili doli nga skuta ku kishte qëndruar deri tani dhe iu drejtua motrës me një zë të ashpër, si kurrënjëherë më parë. - Çka po përzihesh në punët e familjes sime, bre?

A ti do të vendosësh sesi do të varroset gruaja ime, a? Këqyri punët e tua, mori... Marta katolike ka qenë dhe si katolike do të shkojë në atë botë. Verica kësaj here e kishte shumë vështirë që ta merrte veten. Kishte përjetuar një shok të papritur. Vëllai i saj i vetëm, ai që kurrë nuk ia kishte kthyer fjalën, tani e kishte bërë për pesë para në praninë e tërë familjes. A mund të kishte poshtërsi më të madhe? Edhe Denisi ngeli i befasuar nga reagimi i Zoranit. Për herë të parë pas tërë atyre viteve ndjeu një respekt dhe ndoshta edhe dashuri ndaj Zoranit. E shikoi me një dozë falënderimi dhe për herë të parë, u bë i vetëdijshëm se as ai nuk duhej ta kishte pasur lehtë ta rriste fëmijën e dikujt tjetër. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)